Hovenier: ShBA ende s’mund të thotë se e di kush është përgjegjës për sulmin në Ibër-Lepenc
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dy ambasadorë amerikanë në Ballkan, njëri në Kosovë e tjetri në Serbi, kanë dhënë qëndrime në lidhje me fajtorin për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, më 29 nëntor.
Jeffrey Hovenier, ambasador amerikan në Kosovë ka thënë se qëndrimi i SHBA-së mbetet i pandryshuar në lidhje me fajtorin për sulmin në Ibër-Lepenc dhe se “Qeveria e SHBA-së nuk është ende në gjendje të thotë se ne kemi nxjerrë përfundime ose e dimë se kush është përgjegjës për këtë sulm”.
Kështu ka thënë Hovenier për KALLXO.com, i pyetur në lidhje me deklaratën e bashkështetasit të tij, Christopher Hill, i cili është ambasador në Serbi. Ky i fundit ka deklaruar “se nuk ka prova që Beogradi ka gisht në këtë punë”.
Ambasadori Hovenier tha se hetimi është në vazhdim dhe se Shtetet e Bashkuara po e mbështesin atë punë në mënyrë aktive.
“Ne kemi ofruar dhe kemi sjellë mbështetjen e FBI-së (Byrosë Federale të Hetimeve) këtu në Kosovë, për të punuar tani me forcat e rendit kosovar drejtpërdrejt, me kohë të plotë, për të ndihmuar në identifikimin e atyre që janë përgjegjës dhe për të siguruar që ky hetim të jetë i besueshëm, i plotë dhe të çojë në përfundimet e duhura”- ka thënë diplomati amerikan.
Hovenier ka deklaruar se janë shumë të përkushtuar që t’i ofrojnë sa më shumë mbështetje autoriteteve të Kosovës për të arritur në atë përfundim në një mënyrë të besueshme, transparente, të plotë e “që plotëson praktikat më të mira për zbatimin e ligjit”.
Sulmi i 29 nëntorit në Varagë të Zubin Potokut që një pjesë të Kosovës e la pa ujë për disa ditë me radhë, e që nga autoritetet kosovare dhe Bashkimi Europian u rëndua me termin më të ashpër, si ‘terrorist’ akoma vazhdon të jetë i pazbardhur se kush është fajtori kryesor.
Ky sulm vendit i kushtoi mbi 400 mijë euro riparim.
Derisa Hovenier nuk përjashtoi asnjë mundësi se kush është fajtor për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, Christopher Hill, ambasador në Serbi tha se nuk ka prova që Beogradi ka gisht në këtë punë.
“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë” – ka thënë Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.
Hovenier duke dënuar sulmin që e quajti “të tmerrshëm”, kishte deklaruar që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit- është herët dhe çështjet si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”- kishte deklaruar ai, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 02.12.2024.
Qeveria e Kosovës fajëson Serbinë në lidhje me këtë sulm. Akuzat po mohohen nga Serbia.
Kryeministri Kurti kishte drejtuar gishtin nga Serbia po atë natë kur ndodhi sulmi, duke thënë se ky shtet është duke i përdorur metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar”– kishte thënë Kurti.
KALLXO.com ka kërkuar përsëri një qëndrim nga Zyra e Kryeministrit në lidhje me deklaratën e Hill-it, por nga kjo zyrë nuk janë përgjigjur.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka mohuar që Serbia ka lidhje me rastin.
“Hetimet do të tregojnë se kush e ka kryer, sepse edhe ne po i bëjmë hetimet tona. Kemi dyshime të caktuara, porse hetimet do të tregojnë se kush e ka urdhëruar atë sulm”- kishte thënë Vuçiq.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se sa i përket hetimit për Ibër-Lepenc, Departamenti i Hetimeve është duke i vazhduar hetimet, se janë bërë disa aksione dhe janë siguruar disa dëshmi të cilat janë duke u ekzaminuar nga Policia e Kosovës në laboratorë të ndryshëm qoftë brenda Kosovës, qoftë jashtë saj.
Riparimi i dëmit që i është bërë kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në nëntor të këtij viti, do të kapë vlerën e rreth 400 mijë eurove, ka thënë më 19.12.2024 kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka.
Ai ka thënë se riparimi i kanalit do të bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që e gjithë puna pritet të finalizohet deri më 30.06.2025.
Më 09.12.2024, KALLXO.com ka raportuar se një ‘bypass’ është vendosur si zgjidhje alternative, për të liruar kanalin e Ibër- Lepencit nga qarkullimi i ujit. E, më pas pritet të bëhet edhe vlerësimi i dëmit e rregullimi i tij.
Shpërthimi në Kanal, prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentrale u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas Policisë së Kosovës. Ky sulm dhe u cilësua si më i rëndi në infrastrukturën kritike apo vitale të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Këtë sulm e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Gjermania, Franca, Turqia e shumë shtete tjera.
Arrestimet në lidhje me sulmin në Ibër-Lepenc
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur e sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera – lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit.
“Me këtë rast në Stacionin Policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga Neni 122; lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga Neni 129 Par. 1 dhe Neni 128 Par. 1 Nënpar. 1.8 të KPRK-së; “mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Neni 366 Par. 2 – lidhur me Par. 1 të KPRK-së” – është thënë në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale ka thënë se dy të shoqëruarëve iu është caktuar masa e ndalimit.
“Me vendim të prokurorit, dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb janë ndaluar. Për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është caktuar nga Gjykata për 1 muaj. Kurse, i dyshuari D.M. nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist. Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq, i cili ka thënë se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale “të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, u gjetën edhe armë e municion – për ç’arsye Prokuroria po e ndjek edhe “për armëmbajtje pa leje”.
Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Sipas Policisë, i arrestuar është personi me inicialet J. V. nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm, në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, më datën 01.12.2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm, në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës ka kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur e sekuestruar si dëshmi katër granate dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës AK-47, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.
Më 30.11.2024, u prezantua gjithçka që u gjet nga bastisjet në veri pas shpërthimit të kanalit të Ibër-Lepencit. Në 10 lokacionet që u kryen bastisjet pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc u gjetën mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë zolla nga të cilat tri janë të përdorura, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municione të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska thika, të holla në euro dhe në dinarë dhe pajisje të tjera.