Hill dëshmon për të tretën ditë radhazi në mbrojtje të Thaçit
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 16 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 17 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 18 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, ka përfunduar dëshminë e tij treditore në Gjykatën Speciale në Hagë, sot më 12.11.2025. Ai ishte ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, në çështjen ndaj tij dhe tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së: Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit. Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës po gjykohet rreth akuzave për krime lufte. Hill e nisi dëshminë më 10.11.2025, teksa tha se UÇK-ja nuk kishte hierarki vertikale dhe se ishte e vështirë të gjendej dikush që fliste me autoritet.
13:18- Hill: UÇK-ja na duhej në negociata, s’ishte e rëndësishme për mua se sa brigada e batalione i kishte
Ish- i dërguari amerikan për Kosovën gjatë luftës, Christopher Hill, në ditën e tretë të dhënies së dëshmisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, është pyetur nga trupi gjykues për disa kabllograme të asaj kohe që flisnin për strukturën dhe udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trupi gjykues i citoi një kabllogram ku thuhej se: “Duket se Grupi i Drenicës ka luftuar dhe ia ka dalë me sukses të ketë kontroll në hierarkinë e re të UÇK-së që po krijohet. Grupi i Drenicës duket se udhëhiqet prej Hashim Thaçit dhe përbëhet kryesisht prej personave të moderuar që janë më pro një zgjidhjeje paqësore sesa luftimeve.”
Trupi gjykues e pyeti Hillin nëse ky dokument sugjeronte që Thaçi e drejtonte UÇK-në.
“Nuk jam në gjendje të analizoj atë çka është thënë, por kështu duket siç e ka thënë autori,” u përgjigj Hill.
Në dokumentin e përmendur thuhej gjithashtu se udhëheqja e UÇK-së përbëhej nga ish-të burgosur politik si Jakup Krasniqi e Ramë Buja, dhe nga ish-udhëheqës të lëvizjeve studentore si Hashim Thaçi e Rexhep Selimi.
“Ish-të burgosurit raportojnë të jenë udhëheqës të krahut të moderuar, kurse ish-pjesëmarrësit e protestave të studentëve si Thaçi dhe Selimi janë më radikalë. Ata pretendojnë që të mbështesin rrugën politike. Në kontaktet me ne, Thaçi dhe Selimi duken më të prerë se Buja, Krasniqi, Bashota etj. Atëherë këtu përfshihen disa anëtarë të udhëheqjes, sipas autorit të kabllogramit, dhe se ndërmjet tyre më i rëndësishmi duket se është Thaçi”, citoi trupi gjykues.
Hill u pajtua me “idenë” e autorit të kabllogramit.
“Duke e lexuar këtë pjesë pajtohem sepse duket se kështu është ideja e autorit dhe në veçanti [pjesa] që Drenica ka fituar epërsi dhe është më lart se grupet e tjera në të gjithë Kosovën. Ishte një përpjekje e madhe për të mbledhur gjithë informacionin dhe këtë informacion pastaj ta bësh në një mënyrë të tillë që është koherente dhe e kuptueshme.”
Më tej, trupi gjykues iu referua një faqeje tjetër ku flitej për numrin e luftëtarëve të UÇK-së:
“Një burim i mbrojtur ka pretenduar disa herë që UÇK-ja ka 30 mijë ushtarë dhe po aq armë. Ne e kuptojmë që organizimi i UÇK-së parashikonte që secila prej zonave të kishte pesë brigada. Brigadat mund të kenë deri në 5 batalione nga 140 deri në 150 persona. Ne vlerësojmë se UÇK-ja mund të ketë rreth 22 mijë anëtarë. Mendojmë që ky është një numër i lartë. Dhe mendojmë se diku deri në 7 ose 8 mijë ushtarë të ketë UÇK-ja. A keni arsye të thoni se këto shifra nuk janë të sakta?”
Hill nuk pati ndonjë kundërshtim në lidhje saktësinë e shifrave të përmendura, por tha se nuk e di mënyrën se si ishte siguruar ky informacion.
“Jo, nuk kam, por nuk e di si është mbledhur ky informacion. Ky është një informacion që mblidhet në Uashington nga shërbimet inteligjente, jo nga personat në terren. Kjo është një përmbajtje befasuese, por gjithsesi ky lloj informacioni i dërgohej zakonisht Uashingtonit dhe pastaj konfirmohej nga të gjitha burimet e nevojshme se çka po flisnim ne kur po i referoheshim UÇK-së. Mua nuk më kujtohet që shërbimet inteligjente të jenë pajtuar me një shifër të tillë, as tani e as atëherë, se mbaj mend.”
Trupi gjykues e pyeti më pas nëse kishte parë ndonjëherë komunikime të brendshme të UÇK-së, të nxjerra prej komandave të zonave apo batalioneve.
“Mendoj që këto hollësi të lidhura me brigada dhe batalione janë gjëra që s’kemi pasur asnjëherë mundësi t’i shikojmë apo konfirmojmë. Mendoj që informacioni është shumë herë më i hollësishëm sa i takon strukturës, sesa mund të prodhohej prej ndonjë ambasade. Kështu që pyetja ime do të ishte se si është mbledhur ky informacion… Për mua ishte e qartë se UÇK-ja na duhej si pjesë e negociatave, pavarësisht sa brigada kishte apo jo. Por ne donim gjithashtu që ata të mos e linin mënjanë LDK-në e të thoshin se LDK-ja s’kishte rëndësi, sepse kështu përpiqeshin të thoshin shumë persona.” tha Hill.
Ish-emisari special u pyet edhe në lidhje me themelimin e UÇK-së. Megjithatë, diplomati amerikan nuk dha përgjigje konkrete.
“Nuk më kujtohet, por e di që kanë qenë disa teori të ndryshime rreth kësaj gjëje- pra njëra prej tyre kishte të bënte me sulmin në familjen Jashari.” – u deklarua Hill.
11:56- Hill: Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por e pranoi se s’ishte i interesuar për luftë të armatosur
I dërguari i SHBA-së për Kosovën në kohën e luftës, Christopher Hill, u pyet për procesin e Rambujesë. Ai tha se gjatë bisedimeve ishte optimist se Rambujeja do të funksiononte.
Hill tha se morën sinjale nga Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së se e përkrahnin marrëveshjen, por tregoi se kishin edhe shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi, pasi pala serbe nuk e nënshkroi marrëveshjen.
“Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe pas Rambujesë- serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë. Sigurisht qe ndjesia ishte jo neutrale, nuk kishte ndjesi pozitive për atë çka po ndodhte për Kosovën, por çka do të ndodhte në Serbi”- tha ai.
Kur u pyet se kush e nënshkroi marrëveshjen, Hill tha se nuk i kujtohej.
“Ajo çfarë më kujtohet është se i gjithë delegacioni i Kosovës ishte dakord për marrëveshjen dhe ishin pozitivë për nënshkrimin në Paris. Isha shumë i kënaqur, që ata që s’kishin pasur qasje të njëjtë, në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë. Pra ishin persona të cilët për shkaqe politike apo për shkak të mendimeve për Rugovën nuk ndanin të njëjtën qasje, megjithatë në Rambuje ishin të gjithë bashkë.” – tha ai.
Diplomati amerikan tha se marrëveshja ishte mesazh për serbët se “kjo do të ndodhë dhe është mirë që të bëheni pjesë e procesit”.
Sipas tij, ky proces hodhi poshtë idenë e Sllobodan Millosheviqit që “shqiptarët nuk pajtohen për asgjë”.
“Koncepti i asaj kohe ishte që t’iu jepej mesazh i qartë serbëve- t’iu thuhet se kjo do të ndodhë kështu- që ju është mirë që të bëheni pjesë e procesit. Pra, kjo është mënyra më e mirë që të mbroni interesat e Serbisë dhe të jeni pjesë e këtij procesi. Përderisa, Millosheviq kishte thënë shumë e shumë herë se shqiptarët nuk do të pajtohen dhe nuk bien dakord asnjëherë për asgjë dhe marrëveshja në fakt e rrëzonte pikëpamjen e tij që shqiptarët nuk do pajtoheshin me asgjë. Ai kishte thënë gjatë gjithë kohës që shqiptarët nuk do pajtohen me asgjë dhe për rrjedhojë ne nuk na duhet të pajtohemi me asgjë. Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim se e arritëm marrëveshjen por ti do bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë.” – tha Hill.
I pyetur se a e dinte se ku shkuan Thaçi, Krasniqi e Veseli nga Franca kur mbaroi rundi i parë i negociatave, Hill tha se nuk e dinte.
“Nuk e di! Unë e di që ata u morën nga një avion francez. Mendova se ata do të shkojnë në Shkup, por dëgjova se u dërguan në Prishtinë me avion. Ata kanë shkuar në vende të ndryshme besoj, megjithatë kam dëgjuar fjalë se Thaçi ka qenë në Tiranë. Po ashtu më kujtohet se jam përpjekur që të merrja informacione nga ambasada jonë nëse ata kishin ndonjë shenjë që Thaçi ishte atje, dhe ishte e vështirë edhe për ambasadën të gjente gjurmë të Thaçit.”- theksoi Hill.
Ai përsëriti edhe sot se UÇK-ja nuk kishte hierarki vertikale.
“Pra sado që UÇK-ja ishte e përgatitur të ecte përkrah nesh, ajo nuk e kishte një strukturë vertikale organizative- dhe kjo është një mënyrë shumë elegante për të thënë sa ishin të organizuar. Së dyti- ata nuk ishin vërtetë të interesuar të punonin me ne në përjashtim të faktit ose rasteve kur vërtetë e kishin ndjesinë se nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër, por që të punonin me ne.” – u shpreh Hill.
Christopher Hill u pyet pse ish-udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmendi me emër Hashim Thaçin gjatë takimit të tyre.
“Millosheviqi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur”, tha Hill.
Sipas Hillit, Millosheviq ishte i shqetësuar se “ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt”.
“Ai tha se ndjesi të tillë kishin edhe të tjerët. Kishte edhe brenda SHBA-së që mendonin se duhej komunikuar më shumë me UÇK-në.” – shtoi Hill.
10:29- Hill: Nuk e dinim kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së
Ish-emisari amerikan Christopher Hill ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vështirësi të përcaktonin se kush ishte përgjegjës brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ai tha para trupit gjykues se mungesa e një figure të konfirmuar- përfaqësuese e bënte të vështirë komunikimin me këtë organizatë gjatë viteve të luftës.
“Adem Demaçi fliste për rolin e tij në UÇK, por askush nuk na e konfirmoi këtë”- tha Hill.
Sipas tij, amerikanët nuk kishin një pikë të qartë kontakti me të cilin mund të diskutonin për të ardhmen e Kosovës.
“Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti me të cilin mund të komunikonim për të ardhmen. Pavarësia e Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thoshin ky ishte qëllimi.”- shtoi Hill.
Diplomati amerikan tha se nuk e dinte se kush lëshonte komunikatat e UÇK-së dhe se përmes tyre nuk mund të kuptohej struktura hierarkike e organizatës.
“Nuk mund t’i përdornim komunikatat për të përcaktuar një strukturë bazë hierarkike.”- deklaroi ai.
Hill po ashtu tha se kishte dëgjuar për ekzistencën e një drejtorie politike të UÇK-së, ku kishte mësuar se pjesë e saj ishte edhe Hashim Thaçi, por nuk kishte dijeni për anëtarët e tjerë.
“Kishte shumë persona që nuk ishin në Qeveri apo në agjenci të tjera amerikane, që përpiqeshin të mësonin se kush e udhëhiqte UÇK-në. Kur dilnin emra të rinj, ne interesoheshim. Një prej këtyre emrave ishte drejtori publik. Ne duhej të komunikonim me këtë person.”- tha Hill.
Në këtë mënyrë, ish-ambasadori amerikan përshkroi konfuzionin që ekzistonte te diplomatët perëndimorë për strukturën e brendshme të UÇK-së dhe përfaqësimin politik të saj gjatë vitit 1998.
09:32- Dita e tretë e dëshmisë së Christopher Hillit
Për ditën e tretë me radhë, diplomati amerikan Christopher Hill, do të dëshmojë në Dhomat e Specializuara në Hagë, në çështjen – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi
Në ditën e parë të dëshmisë së tij, diplomanti amerikan foli për rolin e Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në kuadër të Konferencës së Rambujesë.
Diplomati tashmë i pensionuar theksoi se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte UÇK-në.
Sipas Hill, Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandant, por “duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.
Hill përshkroi takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke shtuar se atë e pa si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”- deklaroi Hill në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.
Diplomati amerikan foli edhe për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, duke theksuar se takimin mes tij dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.
Gjatë dëshmisë, Hill u deklarua edhe për momentin kur ambasadori amerikan Robert Gelbard e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.
Kjo deklaratë e ambasadorit Gelbard, sipas tij, në një formë sikur e ka nxitur masakrën ndaj familjes së Adem Jasharit në Prekaz më 5, 6 dhe 07.03.1998.
Hill tregoi se Gelbard, ashtu si shumë diplomatë të tjerë amerikanë të asaj kohe, ishte i ndikuar nga përvojat e tij të mëparshme në Amerikën Latine, ku kishte trajtuar çështje që lidhnin organizata të armatosura me krimin dhe narkotikët.
“Në një moment të caktuar ai bëri një deklaratë të tillë dhe tha se kishte trajtuar çështje të tilla me organizata të ndryshme kriminale dhe përdori termin ‘terrorist’, duke thënë se e konsideronte UÇK-në terroriste. Ky ishte një koment që ai e bëri për shtypin dhe menjëherë pas kësaj forcat e Policisë serbe rrethuan shtëpinë e Familjes Jashari dhe për pasojë të gjithë u vranë aty. Ky ishte një shpërthim i madh i veprimeve armiqësore”- tha Hill.
Sipas tij, deklarata e Gelbardit shkaktoi reagime të ashpra dhe kritika të shumta.
“Pati shumë kritika lidhur me deklaratën e Gelbardit se UÇK-ja ishin terroriste dhe se kjo kishte përshpejtuar zhvillimin e kësaj ngjarjeje të shkaktuar nga forcat serbe të sigurisë. Në njëfarë mënyre ndjehej se Gelbard kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Duhet të shtoj se nuk ka prova për një gjë të tillë, por kjo është diskutuar — pra, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, kjo u jep serbëve sinjal të ndërmarrin sulme kundër tyre”- shtoi ai.
Hill theksoi se pas kësaj ngjarjeje, Gelbard e ndryshoi qëndrimin ndaj Beogradit dhe u bë shumë më i ashpër në raportet me presidentin Sllobodan Millosheviq.
“Gelbard mori pastaj qëndrim shumë të ashpër pasi bëri këtë gjë”- përfundoi Hill.
Më 5, 6 dhe 07.03.1998, forcat serbe rrethuan fshatin Prekaz dhe nisën sulmin ndaj familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Në tri ditë sulm u vranë 55 persona në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Të martën më 11.11.2025, ish-emisari amerikan për Kosovën, Christopher Hill, u pyet nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, se pse kishte vendosur të përfshihej në këtë gjykim dhe pse kishte pranuar të dëshmonte si dëshmitar i mbrojtjes.
Hill tha se pas më shumë se dy dekadash nga ngjarjet e luftës kishte ardhur koha për të reflektuar mbi atë periudhë dhe për të thënë atë që e dinte.
Ai tha se nuk kishte arsye të besonte që Hashim Thaçi- e as që kishte dëgjuar në atë kohë- që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme.
“Koha nuk i shëron të gjitha plagët, por mendoj që pas 25 vitesh është kohë e gjatë për t’i menduar gjërat. Nuk kam arsye të besoj se Thaçi është i përfshirë në aktivitete të tilla… Nuk kam arsye të besoj e as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai ka urdhëruar aktivitete apo veprimtari të paligjshme.” – tha Hill.
Ai shtoi se vendimi për të dëshmuar kishte ardhur pasi ishte kontaktuar nga mbrojtja e Thaçit.
“Siç e kuptoj unë, ai [Thaçi] është i mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar në lidhje me këto çështje… Kur mu kërkua kjo gjë nga njerëzit që më kontaktuan ndjeva se duhej të thosha atë që e dija për situatën.”- deklaroi Hill.
Gjatë kësaj jave prite të dëshmojë edhe një dëshmitar tjetër, i thirrur nga mbrotja e Thaçit, kurse me 18.11.2025, është paraparë të nisë dëshminë e tij ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark.
Deri më tani, si dëshmitarë të ftuar nga mbrojta kanë dëshmuar katër personalitete ndërkombëtare: James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey. Këto figura, ishin përfshirë personalisht në zhvillimet e Konferencës së Rambujesë dhe në negociatat për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të katër dëshmitarët e ftuar nga mbrojta e Hashim Thaçit kryesisht kanë deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një hierarki dhe strukturë siç kanë ushtritë e tjera në botë. Kurse, për Hashim Thaçin thanë se nuk kishte autoritet të merrte vendime ushtarake, pa miratimin e komandantëve të zonave.