Ilustrim: Votimi për zgjedhjet lokale në Kosovë më 12.10.2025. Foto: Kallxo.com/Denis Sllovinja
Hetime në Junik, dyshohet për votime të paligjshme në zgjedhjet lokale
Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet pas pretendimeve serioze për parregullsi gjatë procesit të votimit në Komunën e Junikut.
Sipas Prokurorisë në Pejë, pretendohet se në zgjedhjet lokale kanë votuar persona që nuk janë banorë të Junikut, gjë që ka ngritur dyshime për manipulim të mundshëm me votat.
Kryeprokurorja e Pejës, Lumturie Vuçetaj, ka nënshkruar një shënim zyrtar dhe ka autorizuar një prokuror nga Departamenti për Krime të Rënda që të hetojë rastin dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për KALLXO.com se trajtimi tashmë ka filluar dhe se organet e drejtësisë janë duke punuar për të zbardhur të gjitha pretendimet lidhur me procesin e votimit.
Në bazë të rezultatit preliminar të KQZ-së, në Junik do të ketë balotazh mes Ruzhdi Shehut të LDK-së i cili ka marrë 47.91% të votave dhe Agron Kuçit të AAK-së i cili ka fituar 40.68% të votave.
Rezultatet nga vendvotimet e rregullta nuk përfshijnë votat me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin përmes postës.