I akuzuari për spiunazh, Bedri Shabani, në sallën e gjyqit- Foto: Kallxo.com
Gjykimi për spiunazh: Njëri nga të akuzuarit deklaron se s’është mirë me shëndet, ndërpritet përkohësisht seanca
Për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabanit, është ndërprerë për disa minuta seanca e sotme (13.11.2025) në Gjykatën e Prishtinës.
Shabani dhe Muharrem Qerimi nga Prokuroria Speciale po akuzohen se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Me të filluar seanca, gjyqtari Rrahman Beqiri shpjegoi se janë njoftuar se i akuzuari Bedri Shabani nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.
Lidhur me këtë u deklarua edhe vet i akuzuari.
“Nuk jam në gjendje për ta vazhduar seancën. Nuk jam në gjendje të mirë… Kam marrë terapi, mirëpo nuk jam i gatshëm që të mbahet seanca.”- deklaroi i akuzuari Bedri Shabani.
Trupi gjykues pas konsultimit mori aktvendim që të ndërpritet seanca për 20 minuta dhe bëri të ditur se Gjykata menjëherë do të kontaktojë Shërbimin Korrektues për të marrë informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.
Gjyqtari Beqiri tha se varësisht nga raporti që do të dorëzojë Shërbimi Korrektues, Gjykata do të procedojë me seancën.
Në këso rrethana seanca u ndërpre përkohësisht.
Të pranishëm në seancë janë Bekim Kodraliu nga radhët e Prokurorisë Speciale, i akuzuari Bedri Shabani me avokatin Besnik Berisha dhe i akuzuari Muharrem Qerimi me avokatët Betim Shala dhe Sheremet Fejza.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Rrahman Beqiri (kryetar i trupit gjykues),Vesel Ismaili dhe Kujtim Krasniqi (antarë).
Kujtojmë se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit gjatë seancës fillestare të mbajtur më 17.03.2025, në Gjykatën e Prishtinës. Qerimi e ka pranuar fajsinë për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Dosja e Prokurorisë
Prokuroria Speciale e Kosovës më 19.02.2025 ka ngritur Aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrrem Qerimit për veprën penale “spiunazh”. Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu.
Në Aktakuzën e redaktuar që e ka siguruar KALLXO.com, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Siç është përshkruar në Aktakuzë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-Komandant të Policisë së Serbisë e udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në njërën nga masakrat që ishte kryer në Kosovë gjatë luftës.
Shabani e Qerimi akuzohen se këto informacione i transmetuan edhe përmes telefonave dhe e-mail-eve.
Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “spiunazhi”, ndërsa Muharrem Qerimi edhe me veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
“I pandehuri Bedri Shabani nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 05.06.2024, ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA në mbledhje dhe dërgim të informacioneve, dokumenteve e materialeve, siç thuhet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – përfshirë eprorët e saj dhe me ngjarjet e objektet specifike, të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin (e redaktuar) dhe masakrën (e redaktuar).” – thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Informacione të tilla i akuzuari i kishte shpërndarë me zyrtarin e lartë të BIA-s, S.R., përgjegjës për (e redaktuar), si dhe kolonel, B.J., ish-Komandant i Policisë së Serbisë (e redaktuar), gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën (e redaktuar), përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.” – thuhet në Aktakuzë.
Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Bedri Shabani me këto veprime ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës. Tutje, i njëjti, ka ndihmuar Shërbimin Sekret Serb për krijimin e një narrative të pavërtetë, që ndërlidh Spitalin Ushtarak të UÇK-së me trafikim të organeve. Përveç kësaj veprimet e të pandehurit kanë vënë, sipas Aktakuzës, në dyshim të vërtetën mbi masakrën.
Të gjitha këto veprime do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e vendit – thekson Aktakuza.
Në anën tjetër i akuzuari Muharrem Qerimi dyshohet se nga viti 2012 e deri në qershor të vitit 2024, përmes telefonit dhe takimeve fizike me një zyrtar të Shërbimit Sekret Serb, ka dhënë informacione të ndryshme që cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së. Pastaj, emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të (e redaktuar), në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, S.R., përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike, që ka zhvilluar në territorin e Serbisë.” – thuhet në Aktakuzë.
Me këto veprime, sipas Aktakuzës, i dyshuari Muharrem Qerimi ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.
Muharrem Qerimi ngarkohet edhe me veprën penale “armëmbajtje pa leje”, pasi më 05.06.2024 gjatë kontrollit i është gjetur një revole e tipit “Ekol Tuna”, me kalibër 8 milimetër, një karikator me gjashtë fishekë në të dhe 20 fishekë të tjerë 11/53 dhe katër karikatorë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak. Të gjitha këto janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.