Gjykimi i Shaqir Lutvijës për krimet e luftës në Prizren, dëgjohen dy dëshmitarë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Shaqir Lutvija, i akuzuar për “krime lufte” është ulur në bankën e të akuzuarve edhe sot, më 17.07.2025, për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë. Gjatë seancës janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Nga Prokuroria Speciale, Lutvija akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, “individualisht dhe në bashkëkryerje” ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Të pranishëm në Gjykatore ishin tre dëshmitarët: Agron Hoti, Hasan Shala edhe Ukë Kolgeci. Mirëpo, qysh në fillim të seancës gjyqtari Kujtim Krasniqi bëri të ditur se Gjykata e ka urdhëruar sjelljen e këtyre tre dëshmitarëve përmes Policisë.
Në lidhje me dëshmitarin Agron Hoti, gjyqtari Krasniqi njoftoi se Prokuroria është tërhequr nga dëgjimi i dëshmisë së tij, kështu që seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve Ukë Kolgeci e Hasan Shala.
Kolgeci tha se gjatë viteve 1998-1999 ka jetuar në fshatin Vraniq, Komuna e Suharekës.
“A të kanë arrestuar Policia atë kohë ndonjëherë?” – e pyeti prokurori Ilir Morina.
“Po, më kanë arrestuar. Na jemi kon e gjithë popullata në fshatin Vraniq. Ka pasë edhe prej fshatrave tjera që janë mbledhë aty, që kanë ikë prej fshatrave të tyre. Aty kanë ardhë Policia, Ushtria dhe paramilitarë serbë dhe na kanë nda grupe-grupe. Një grup, që kemi qenë më të rritur, më të rinj, na kanë shti në kamion të Ushtrisë edhe na kanë çu për Prizren. Na kanë çu në bodrumin e zjarrfikësve dhe aty kanë hy paramilitarët edhe na kanë rrahur. Shumicën prej tyre i kanë bo për Spital, sepse kanë sjellë me bishta të drurit, me kondakt të pushkës, e me shufra të hekurit. Prej aty, kur e ndalën atë ofensivë që e patën, na kanë shti me një dhomë tjetër, ku ne kemi pritur radhën me na marrë në pyetje.” – tha dëshmitari Kolgeci.
“Na kanë akuzuar për terrorizëm. Ky zotnia që është këtu (fjala për të akuzuarit Lutvija v.j), kur na merrke në pyetje, mu m’ka rreh shumë, jo pak.” – tha tutje ai.
Nga të rrahurat ai thekson se e ka humbur vetëdijen tri herë.
Pastaj, Kolgeci rrëfeu se sa herë që e kanë marrë në pyetje e kanë rrahur.
Por, për të akuzuarin Shaqir Lutvija ai tha se i kujtohet se e ka parë vetëm ditën e parë.
“Për shkak të atyre të rrahurave kurrë më s’kam qenë mirë me shëndet.” – tha para Gjykatës dëshmitari Kolgeci.
Për të akuzuarin Lutvija tha se nuk ka pas uniformë, por e dinë se ai e ka goditur, sepse e njeh nga nishani që e ka në fytyrë.
Pastaj, seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Hasan Shala.
Gjatë vitit 1998 ai tha se ka jetuar në fshatin Mushtisht, derisa e kishin dërguar në Burg.
“E mbaj mend, Policia më ka kapë në fshat. Më kanë qu në Burg. Fillimisht në Prizren.” – tha Shala.
Njëri prej tyre i kishte shkuar me një listë në dorë edhe i kishte thënë: “Ti je me UÇK-në!”
“Unë ju thojsha jo, ata po, me dajak sa mujshin.” – tha Shala.
Dëshmitari tha se personat të cilët e kanë rrahur: njëri kishte qenë civil me një nishan në fytyrë, edhe 4 të tjerë kishin qenë me uniformë.
Ai tha se e kishin rrahur vazhdimisht dhe në një moment ishte detyruar që ta pranojë. “Po, ju thashë jom kanë. U desht me pranu, edhe pse kurrë pushkë nuk kam kapë.” – tha Shala.
Tutje dëshmitari Shala tha se kishin vazhduar ta rrahin, derisa e kishin dërguar në Burg. Pastaj e kishin dërguar edhe në Dubravë. Edhe atje, sipas tij, ka vazhduar njësoj. Nga Dubrava, pastaj e kishin dërguar në Lipjan, e nga Lipani e kishin dërguar në Burgun e Nishit.
Gjatë kohës që kishte qenë në Dubravë, ai tha se ishte plagosur në dy vende. “Personi me nishan në fytyrë më ka kapur për flokë. Më ka ulur në karrige. Më ka thënë që je ushtar. U çu. M’i ka dhënë dy grushta dhe ka dalë jashtë.” – tha Shala.
Por, para se të dilte jashtë, sipas Shalës, ai kishte thënë që t’ia presin gishtat.
“Mi kanë pre deri në asht dy gishtat. Hala shenjat i kom. Kanë shku 2 vjet e s’i kom ndje gishtat.” – tha Shala.
Me këtë, edhe ai e përfundoi dëshminë sot në Gjykatë.
Paraprakisht në seancën e sotme gjyqtari Kujtim Krasniqi tha se Gjykata e ka urdhëruar përmes Policisë edhe sjelljen e dëshmitarit Qemajl Kollari, ndërsa Policia e ka njoftuar Gjykatën që të njëjtin e kanë kërkuar në adresën e tij të banimit dhe kanë konstatuar se dera është e mbyllur, e sipas fqinjëve të tij ai është në Gjermani dhe rrallë vjen në Kosovë.
Po ashtu Gjykata ka kërkuar përmes Policisë edhe sjelljen e dëshmitarit Arsim Zyba, mirëpo edhe për të është njoftuar nga Policia se gjendet në Gjermani.
Trupi Gjykues në seancën e sotme e aprovoi propozimin e PSRK-së që të lexohen deklaratat e dëshmitarit Qemajl Kollari edhe Arsim Zyba.
“Aprovohet propozimi i PSRK-së, ashtu që lexohen deklaratat e dhëna nga dëshmitari Qemajl Kollari në Polici edhe Prokurori. Në Polici më 18.07.2023, ndërsa në Prokurori më 26.06.2024. Po ashtu lexohet deklarata e dëshmitarit Arsim Zyba, e dhënë në Polici më 17.07.2024.” – tha gjyqtari Krasniqi.
Gjyqtari Krasniqi bëri të ditur sot se numri i dëshmitarëve të Prokurorisë ka përfunduar.
Në seancën e sotme mbrojtja e të akuzuarit Lutvija, avokatja Jovana Filipoviq propozoi të dëgjohen 5 dëshmitarët: Sejran Ramadani, Ramadan Ramadani, Raim Ramadani, Fikret Jashari edhe Abdyllahi Asimi.
“Me Parashtresë Gjykatës do t’i dorëzojmë edhe numrat e telefonave edhe adresat.” – tha avokatja Jovana Filipoviq.
Gjyqtari Krasniqi tha se pas pranimit të Parashtresës përmes komunikimit zyrtar me Prokurorin do të marrë mendimin e Prokurorisë, lidhur me dëgjimin e këtyre dëshmitarëve dhe do të vendosë për dëgjimin e tyre.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Kujtim Krasniqi (Kryetar) dhe Violeta Namani Hajra e Rrahman Beqiri (anëtarë).
Kujtojmë se në seancën e Shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 17.09.2024, i akuzuari Shaqir Lutvija nuk e kishte pranuar fajësinë.
“Për atë që më vihet në barrë nuk është e vërtetë, nuk ndjehem fajtor. Nuk kam marrë pjesë në këto ngjarje.” – kishte deklaruar ai para Gjykatës.
Çka thotë Dosja e Prokurorisë?
Sipas Aktakuzës, më 04.09.2024, i pandehuri Shaqir Lutvija akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
Në Aktakuzë thuhet se i njëjti ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Tutje sipas Aktakuzës, thuhet se fillimisht forcat policore dhe ushtarake serbe kanë ndërmarrë një fushatë të arrestimit të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar të gjinisë mashkullore, në mesin e të cilëve kanë qenë: R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.SH. dhe A. Z., të cilët pas arrestimit i kanë dërguar në Stacionin Policor në Prizren.
Sipas Aktakuzës, i pandehuri Shaqir Lutvija, së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit i kanë marrë në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë këtij procesi i kanë rrahur me grushte dhe shqelma, me mjete të forta dhe me metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor – përfshirë përdorimin e mjeteve të rrymës elektrike, që ua kanë vendosur të dëmtuarve në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç’rast si pasojë e kësaj R.J. kishte vdekur, kurse M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.SH. dhe A.Z. pësuan lëndime trupore.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”, të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë (tutje “LP i RSFJ-së”), si Ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Gjykimet për krime lufte
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë link.