Foto: KALLXO.com
Gjykimi i Jusuf Shujak për krimet e luftës në Gjakovë, dëshmitari rrëfen për ditën kur iu vra babai
Jusuf Shujak, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka dalë përsëri para Gjykatës së Prishtinës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë që rëndojnë mbi të.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të datës 24.01.2025, i pandehuri Jusuf Shujak akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999 në fshatrat e komunës së Gjakovës, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje i shkel rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë. Sipas Prokurorisë, ai ka kryer vrasje, dëbim dhe shkatërrim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Në seancën e së premtës (17.10.2025) ka dëshmuar Dukagjin Dyla, i cili njëkohësisht është edhe në cilësi të të dëmtuarit.
Dëshmitari Dukagjin Dyla gjatë dëshmisë së tij dha detaje rreth ditës kur ai dhe familja e tij ishin larguar nga shtëpitë e tyre.
Dëshmitari tha se më 10 maj të vitit 1999 kishte qenë në shtëpi me bashkëshorten dhe 4 fëmijët e tij, dhe në orën 07:00 të mëngjesit kishin ardhur paramilitarët dhe u kishin thënë që të largoheshin nga shtëpia dhe të niseshin për në Shqipëri.
Dëshmitari Dyla tha se kishte dëgjuar krismat e armëve kur ishin vrarë C.H. dhe I.L. në oborrin të shtëpisë.
Dëshmitari tutje tha se ka njohur edhe një paramilitar i cili kishte qenë në oborrin e shtëpisë së tij me emrin Lubisha Rakoviq.
“E kam njoftë Lubisha Rakoviqin, i zi, i shkurtë” – e përshkruajti dëshmitari personin i cili sipas tij kishte qenë paramilitari në shtëpinë e tij.
Dëshmitari tha se edhe babai i tij kishte mbetur i vrarë në shtëpi.
“Qat ditë kur neve na kanë qitë, mbet baba në shtëpi, mbajsha ymyt që ka pshtu. Mas katër dite nana jem bashkë me Florije Dylën dhe Humajun Dyla janë shku në shtëpi me marrë ushqim se ishin 23 vetë në banesë…, si kanë hy në hajat e kanë pa babën e vdekun. E ka pasë një shenjë në ballë dhe një plumb në gjoks dhe trupin e ajun” – tha dëshmitari.
Dëshmitari më tej tha se trupin e babait të tij e kanë gjetur në një varrezë masive në Batajnicë (Serbi).
Ndërsa për arrestimin e të akuzuarit Jusuf Shujak tha se e ka parë në televizion, ndërsa vetë të akuzuarin nuk e ka njohur por i ka treguar një familjare e tij.
“Si person në atë kohë nuk e kam njoftë. Për të akuzuarin më ka tregu Florije Dyla që e ka pa në oborr” – tha dëshmitari.
Me të përfunduar dëshminë dëshmitari Dukagjin Dyla dhe pasi nuk kishte dëshmitarë të radhës për t’u dëgjuar, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua për në muajin nëntor, kur pritet dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë në këtë proces gjyqësor.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Lutfi Shala (kryetar i trupit gjykues), Violeta Namani-Hajra dhe Vesel Ismaili (anëtarë).
Kujtojmë se i akuzuari Jusuf Shujak nuk e kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 13.02.2025 në Gjykatën e Prishtinës.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Në aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar dhe të armatosur, të ndarë në dy grupe të ndryshme, kanë hyrë me dhunë në shtëpinë e M.D., ku ishin duke qëndruar M.D., D.D., bashkëshortja e tij, një fëmijë, si dhe dy të zhvendosur D.H. dhe I.L., të cilët ishin strehuar përkohësisht. Fillimisht i urdhërojnë të dëmtuarit dhe viktimat që të dilnin në oborr, mirëpo brenda kishte mbetur M.D.
Në aktakuzë thuhet se me të dalë në oborrin e shtëpisë, një polic serb i ndalon viktimat C.H. dhe I.L. dhe ua kishte kërkuar letërnjoftimet.
Pastaj, njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë: “Ah, ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre dhe i kishte vrarë që të dy.
Kurse, një polic tjetër kishte hyrë në shtëpinë ku po qëndronte M.D. dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kanë shtënë me armë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarve: F.D., D.D. etj., duke i detyruar që të largohen nga shtëpia.
Sipas aktakuzës, më 13 maj 1999, F.D., bashkë me S.D. dhe H.D. ishin kthyer në shtëpi, ku në korridor të shtëpisë e kishin gjetur të vrarë M. D., i cili e kishte pasur fytyrën të gjakosur, një plagë në gjoks dhe fytyrën e ënjtur. Po ashtu, në oborr kishin qenë edhe trupat e C.H. dhe I.L., ndërsa trupat e tyre ishin gjetur pas luftës në varrezë masive në Batajnicë, në Serbi. Kurse, identifikimi i tyre ishte bërë përmes analizës së ADN-së.
Tutje, në dosjen e Prokurorisë thuhet se në kohën dhe vendin e përshkruar në pikën 1 të dispozitivit të aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjen Dyla.
Sipas aktakuzës, në ditën e incidentit derisa pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë tre persona, të njëjtit i kishin detyruar pjesëtarët e tjerë të familjes Dyla që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe t’u bashkohen kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.
Tutje, sipas aktakuzës në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë, si në pikën 1 të dispozitivit të aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, plaçkitën dhe shkatërruan pasurinë e familjes Dyla, në atë mënyrë që ditën e incidentit, pasi që i vranë dhe i dëbuan viktimat në formën dhe mënyrën e përshkruar në pikën 1 dhe 2 të dispozitivit të aktakuzës, fillimisht e plaçkitën shtëpinë e familjes Dyla dhe disa shtëpi të tjera rreth saj, e më pastaj i dogjën – duke u shkaktuar viktimave dëm në një shumë të madhe materiale.
Sipas aktakuzës, me këto veprime i akuzuari Jusuf Shujak po akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullatës civile.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.