Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit
Gjilan, dyshimet për dhunë fizike ndaj një të moshuari, shefi i kabinetit të Alban Hysenit ka kërkuar të lirohet nga pozita
Pas një raportimi në media, në të cilin pretendohet se Labinot Latifi, shefi i kabinetit të Alban Hysenit, kryetarit të Komunës së Gjilanit, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuari në Gjilan, më 25.08.2025, Latifi e ka mohuar se ka qenë palë në këtë rast.
Latifi në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com e ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, ndërsa ka thënë se ka kërkuar që të lirohet nga pozita e shefit të kabinetit.
“Sulmi është bërë ndaj fëmiut tim, ndërsa i moshuari është rrëzuar… Kam kërkuar të lirohem prej pozitës deri në sqarim të rastit” – ka thënë Latifi më 26.08.2025.
Kurse, Prokuroria e Gjilanit ka konfirmuar se është duke e hetuar rastin.
“Prokurori kujdestar ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për rastin konkret, ndaj personit me inicialet L.L, në drejtim të veprës penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’ nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit.
KALLXO.com e ka pyetur edhe Policinë në Gjilan për këtë rast, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje deri në publikimin e lajmit.
Latifi nuk ka ndarë informacion nëse ka ndonjë vendim zyrtar me të cilin është liruar nga pozita e shefit të kabinetit.
Kryetari Alban Hyseni nuk është përgjigjur as përmes telefonit kur është kontaktuar nga KALLXO.com, as në pyetjet me shkrim, për ta kuptuar nëse Latifin e ka liruar apo jo për një kohë të caktuar nga pozita e shefit të kabinetit.
Ndërsa, Latifi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se më 25.08.2025 ka ndodhur një përleshje mes disa fëmijëve të lagjes, në të cilën ka qenë i përfshirë edhe fëmija i tij.
“Ngjarja në fjalë, ndonëse një situatë e zakonshme mes fëmijësh, rrezikon të keqpërdoret për qëllime tjera, sidomos në këtë periudhë të ndjeshme që po kalojmë. Për këtë arsye i jam drejtuar Kryetarit me kërkesë që të më lirojë përkohësisht nga detyra e Shefit të Kabinetit, derisa kjo situatë të sqarohet plotësisht.” – ka shkruar Latifi në Facebook.