Prokuroria Speciale- Simiç dhe Peroviq nuk janë nën hetime për sulmin në Banjskë
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka konfirmuar se deputeti i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiç, nuk është nën hetime dhe nuk është i identifikuar si i dyshuar për sulmin e 24 shtatorit 2023, në Banjskë të Zveçanit.
Po ashtu, Prokuroria ka konfirmuar se për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk është i dyshuar dhe as në hetim, as Millosh Peroviq, kandidati për kryetar të Komunës së Zubin Potokut.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast, po zhvillohen në mënyrë profesionale, të mbështetura në prova dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
“Prokuroria Speciale rithekson përkushtimin e saj për të garantuar një proces të drejtë dhe të ligjshëm në çdo rast, duke shmangur çdo formë të keqinformimit apo supozimeve që nuk bazohen në fakte të verifikuara” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë, të përcjellur sot më 27.09.2025.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24.09.2023, kur në Banjskë të Zveçanit, së bashku me disa policë të tjerë kishin intervenuar pas një informate se në një urë ishin vendosur barrikada.
Pamjet e marra nga droni, të cilat u publikuan më 26.09.2023, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shfaqën një grup të terroristëve të armatosur e uniformuar, jashtë objektit të bujtinës së Manasatirit të Banjskës, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake. Po ashtu, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit.
Në mesin e terroristëve ishte edhe Millan Radoiçiq, i cili më 29.09.2023, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.
Millan Radoiçiq është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë. Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë për rastin “Banjska” ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.
Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Abazi në një konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – theksoi tutje prokurori.
Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Seanca e fundit gjyqësore për rastin “Banjska”, ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, u mbajt më 24.07.2025. Ajo ishte me dyer të mbyllura për publikun dhe mediat.
Kjo pasi më 24.07.2025 është paraparë që të dëgjohet një dëshmitar i nacionalitetit serb, lidhur me ndodhinë e datës 23 dhe 24.09.2023 ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor, Afrim Bujnaku.
“Kjo seancë e dëgjimit të dëshmitarit, të jetë e mbyllur për publikun për arsye se dëshmia e këtij dëshmitari është e ndjeshme për të cilën përfshihen informata për çështje të sigurisë kombëtare të strukturave paralele të organizuara veprimtarinë e tyre ilegale në veri të vendit dhe përfshinë personazhe që janë të përfshira në ngjarjen e rëndë të armatosur në fshatin Banjskë e që ka pasur pasoja serioze. Meqenëse dëshmia e këtij dëshmitari lidhet kryesisht me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet mes strukturave të dyshuara ilegale përfshirë edhe elementet që mund të dërgojnë në idendifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari krimnale për më tepër ekziston edhe rrezik real për sigurinë personale të dëshmitarit dhe familjes së tij, në rast se kjo dëshmi do të jepet në prani të publikut dhe mediave”- ishte kërkesa e Prokurorit Special, Naim Abazi.
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, në Shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Në këtë rast ishin dëgjuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kishin intervenuar në orët e para të mëngjesit të 24.09.2023, kur edhe kishte filluar sulmi terrorist nga grupi i cili udhëhiqej nga Milan Radojçiq.
Raportimet në lidhje me sulmin në Banjskë i gjeni në këtë LINK.
Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.