Christopher Hill vazhdon dëshminë në Hagë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
13:29- Hill: Nuk e di nëse Thaçi ishte ndër themeluesit e UÇK-së
Diplomati amerikan Christopher Hill, ka folur për rolin e Hashim Thaçit gjatë periudhës së negociatave të vitit 1998, duke theksuar se, sipas njohurive të tij, ai nuk ishte ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk e di nëse ai [Thaçi] ka qenë një prej personave themelues të UÇK-së. Dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri vonë gjatë atij viti më sugjeron se ai nuk ka qenë. Por unë nuk jam në pozitë ta konfirmoj një gjë të tillë,” – tha Hill gjatë pyetjeve nga Prokuroria.
Gjatë dëshmisë, Hill foli edhe për takimin e 6 nëntorit 1998 në Dragobil të Malishevës, ku ishte diskutuar për marrëveshjen e përkohshme të propozuar për Kosovën.
Ai tha se nuk e dinte saktësisht arsyen pse Thaçi nuk ishte përfshirë plotësisht në negociata.
“Nuk e di arsyen- nuk mund ta them dot këtë gjë… Por mendoj se arsyeja e Thaçit ishte se ai ishte pro pavarësisë së plotë. Ndoshta nuk kishte autorizim apo kompetencë që të përfshihej me ne.” – deklaroi Hill.
Ai kujtoi se përfaqësuesit e UÇK-së kishin kërkuar të njiheshin si palë e barabartë në bisedime.
“Ata kërkonin pranimin tonë si bashkëbisedues, dhe ne ua bëmë të qartë se nëse UÇK-ja dëshiron të jetë pjesë e procesit, duhet të angazhoheshin në këtë marrëveshje.”- tha diplomati amerikan gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, Hill pranoi se pas takimit në Dragobil, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte refuzuar zgjidhjen e përkohshme për Kosovën. “Besoj që është e saktë. Më lejoni të theksoj se ne nuk kishim shumë fat për sa i takon gjetjes së një bashkëbiseduesi të UÇK-së që do të përfshihej më gjerë dhe që të jepte një kontribut më të përnjëmend.” – theksoi Hill.
12:59- Christopher Hill për Rexhep Selimin: S’e mbaj mend të kem thënë se ai mbante pozitë të lartë në UÇK
Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill, gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka folur për rolin e Rexhep Selimit në kohën e luftës, duke theksuar se ai nuk e kishte perceptuar si një figurë të lartë brenda strukturës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk e mbaj mend të kem thënë ndonjëherë se Rexhep Selimi mbante pozitë të lartë në UÇK, por kishte qëndrime të vlefshme.”- deklaroi Hill, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit.
Diplomati amerikan kujtoi takimin e vitit 1998 në Likoc, ku, sipas tij, përfaqësuesit amerikanë kishin krijuar përshtypjen fillestare se Selimi mund të ishte personi që mund t’u jepte përgjigje për çështjet që po diskutoheshin.
“Ne e kuptuam se Selimi do të ishte në pozitë për të na dhënë përgjigje, por në fakt ai ishte nga grupi i Drenicës.” – tha Hill.
Ai shtoi se gjatë bisedimeve të asaj kohe, përfaqësuesit amerikanë nuk kishin marrë përgjigje të qarta nga Selimi. “Ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte disa opinione të grupit të Drenicës.” – theksoi Hill.
11:20- Hill: Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët
Ish-emisari amerikan për Kosovën, Christopher Hill, ka folur për qëndrimet e ndryshme që kanë ekzistuar brenda palës shqiptare gjatë procesit të negociatave me Serbinë, duke përmendur në veçanti rolin që kishte Adem Demaçi në atë kohë.
Ai tha se Demaçi ishte kundër çdo negociate me palën serbe.
“Ne e dinim që Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët dhe ishte kundër çdo bisedimi që nuk e trajtonte çështjen e pavarësisë. Pra, kur kishte problematika serioze të rënda, ne supozonim që prapa tyre ishte Demaçi.”- tha Hill para trupit gjykues.
Në vijim të dëshmisë, avokati i Jakup Krasniqit e pyeti Hillin nëse në atë kohë mendohej që personat që ishin në favor të nënshkrimit të marrëveshjes duhej ta “shisnin” atë para të tjerëve.
Hill u përgjigj duke sqaruar situatën në terren: “Kështu e kuptonim ne, sepse në këtë pikë nuk ekzistonte asnjë person që do ta nënshkruante këtë marrëveshje.”
10:57- Hill: Mospajtimet mes shqiptarëve nuk ishin shqetësimi im
Diplomati amerikan, Christopher Hill, gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se prioriteti i tij si diplomat nuk ka qenë të merrej me “përçarjet apo mospajtimet mes shqiptarëve”, por me gjetjen e një mënyre për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Kosovës.
“Vështirësitë mes shqiptarëve apo mospajtimet mes shqiptarëve nuk ishin shqetësimi im. Unë e kisha për detyrë të gjeja një mënyrë që Beogradi dhe grupet e ndryshme në Kosovë të gjenin mirëkuptim dhe të përfundonte konflikti.”- deklaroi Hill.
Ai shtoi se gjatë asaj periudhe kishte vërejtur dallime të dukshme në qasjen e grupeve shqiptare, veçanërisht në raport me rolin e presidentit të atëhershëm të LDK-së, Ibrahim Rugova.
“Përfaqësuesit e UÇK-së donin të tregonin se Rugova nuk është personi i duhur për këtë detyrë.”- tha Hill.
10:27- Hill: Nuk kam arsye të besoj se Thaçi ka urdhëruar aktivitete të paligjshme
Gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-emisari amerikan për Kosovën, Christopher Hill, u pyet nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, pse kishte vendosur të përfshihej në këtë gjykim dhe pse kishte pranuar të dëshmonte si dëshmitar i mbrojtjes.
Hill tha se pas më shumë se dy dekadash nga ngjarjet e luftës kishte ardhur koha për të reflektuar mbi atë periudhë dhe për të thënë atë që e dinte.
Ai tha se nuk kishte arsye të besonte që Hashim Thaçi- e as që kishte dëgjuar në atë kohë- që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme.
“Koha nuk i shëron të gjitha plagët, por mendoj që pas 25 vitesh është kohë e gjatë për t’i menduar gjërat. Nuk kam arsye të besoj se Thaçi është i përfshirë në aktivitete të tilla… Nuk kam arsye të besoj e as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai ka urdhëruar aktivitete apo veprimtari të paligjshme.” – tha Hill.
Ai shtoi se vendimi për të dëshmuar kishte ardhur pasi ishte kontaktuar nga mbrojtja e Thaçit.
“Siç e kuptoj unë, ai [Thaçi] është i mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar në lidhje me këto çështje… Kur mu kërkua kjo gjë nga njerëzit që më kontaktuan ndjeva se duhej të thosha atë që e dija për situatën,” deklaroi Hill.
Me këtë përgjigje, përfunduan pyetjet e avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, për të vazhduar me pyetjet e avokatit të Jakup Krasniqit.
09:18- Christopher Hill vazhdon dëshminë në Hagë
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, nisi më 10.11.2025, dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës dhe do ta vazhdojë edhe më 11.11.2025. Ai po dëshmon në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Diplomati amerikan, që deri në fillim të vitit 2025, ishte ambasador i SHBA-së në Serbi, po dëshmon në çështjen ndaj katërshes së UÇK-së që po gjykohet për krime lufte, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Seanca pritet të fillojë në orën 09:00, teksa transmetimi publik i saj bëhet me 45 minuta vonesë.
Christopher Hill, diplomat dhe një prej figurave kyçe të diplomacisë amerikane në Ballkan gjatë viteve ‘90, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet që çuan drejt përfundimit të luftës në Kosovë. Ai ka shërbyer si i dërguar special i SHBA-së për Kosovën dhe ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në negociatat e Rambujesë në vitin 1999.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij, diplomanti amerikan foli për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në kuadër të Konferencës së Rambujes.
Diplomati tashmë i pensionuar theksoi se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte UÇK-në.
Sipas Hill, Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandant, por “duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.
Hill përshkroi takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke shtuar se atë e pa si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”- deklaroi Hill në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.
Diplomati amerikan foli edhe për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, duke theksuar se takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.
Në dëshminë e tij në Hagë, diplomati Christopher Hill u deklarua edhe për momentin kur ambasadori amerikan Robert Gelbard e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.
Kjo deklaratë e ambasadori Gelbard, sipas Hill, nxiti masakrën ndaj familjes së Adem Jasharit në Prekaz më 5, 6 dhe 07.03.1998.
Hill tregoi se Gelbard, ashtu si shumë diplomatë të tjerë amerikanë të asaj kohe, ishte i ndikuar nga përvojat e tij të mëparshme në Amerikën Latine, ku kishte trajtuar çështje që lidhnin organizata të armatosura me krimin dhe narkotikët.
“Në një moment të caktuar ai bëri një deklaratë të tillë dhe tha se kishte trajtuar çështje të tilla me organizata të ndryshme kriminale dhe përdori termin ‘terrorist’, duke thënë se e konsideronte UÇK-në terroriste. Ky ishte një koment që ai e bëri për shtypin dhe menjëherë pas kësaj forcat e Policisë serbe rrethuan shtëpinë e Familjes Jashari dhe për pasojë të gjithë u vranë aty. Ky ishte një shpërthim i madh i veprimeve armiqësore”- tha Hill.
Sipas tij, deklarata e Gelbardit shkaktoi reagime të ashpra dhe kritika të shumta.
“Pati shumë kritika lidhur me deklaratën e Gelbardit se UÇK-ja ishin terroriste dhe se kjo kishte përshpejtuar zhvillimin e kësaj ngjarjeje të shkaktuar nga forcat serbe të sigurisë. Në njëfarë mënyre ndjehej se Gelbard kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Duhet të shtoj se nuk ka prova për një gjë të tillë, por kjo është diskutuar — pra, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, kjo u jep serbëve sinjal të ndërmarrin sulme kundër tyre”- shtoi ai.
Hill theksoi se pas kësaj ngjarjeje, Gelbard e ndryshoi qëndrimin ndaj Beogradit dhe u bë shumë më i ashpër në raportet me presidentin Sllobodan Millosheviq.
“Gelbard mori pastaj qëndrim shumë të ashpër pasi bëri këtë gjë”- përfundoi Hill.
Më 5, 6 dhe 07.03.1998, forcat serbe rrethuan fshatin Prekaz dhe nisën sulmin ndaj familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Në tri ditë sulm u vranë 55 persona në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Deri më tani, si dëshmitarë të ftuar nga mbrojta kanë dëshmuar katër personalitete ndërkombëtare: James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey. Këto figura, ishin përfshirë personalisht në zhvillimet e Konferencës së Rambujes dhe në negociatat për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të katër dëshmitarët e ftuar nga mbrojta e Hashim Thaçit, kryesisht kanë deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një hierarki dhe strukturë siç kanë ushtritë e tjera në botë. Kurse, për Hashim Thaçin thanë se nuk kishte autoritet të merrte vendime ushtarake, pa miratimin e komandantëve të zonave.