Çfarë premtimesh dhanë kandidatët e LVV-së e AAK-së për kryetar të Ferizajt?
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Ndërtimet pa plan si mungesë e hartave zonale e Planit Zhvillimor Komunal, gjendja në shkolla e problemet me mbeturinat ishin temat kryesore të diskutimit të dy kandidatëve për kryetar të Komunës së Ferizajt për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Në #DebatPërnime për Komunën e Ferizajt shpalosën programet e tyre Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Xhemile Murati Shabani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Programet dhe vizionin e tyre në Debat Përnime nuk erdhën për ta prezantuar dhe për t’u sfiduar dy kandidatët e tjerë, kryetari aktual, Agim Aliu nga PDK dhe Visar Azemi, kandidat i LDK-së.
Planet e Lëvizjes Vetëvendosje për Ferizajn

Kandidati i LVV-së për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti premtoi sigurimin e ujit të pijshëm për të gjithë qytetarët.
Haliti tha se me të kryetar, Ferizaj do të ketë kyçje të re në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ ndërsa theksoi se projekt i rëndësishëm është edhe ndërtimi i ngrohtores së qytetit.
Kandidati i LVV-së premtoi ndërtimin e çerdheve të reja, themelimin e ndërmarrjes së transportit publik e kuzhinë të qytetit.
“Ne premtojmë ndërtimin e 10 çerdheve të reja, tri në zonën urbane të qytetit dhe shtatë nëpër fshatra ose grupe fshatrash. Gjithashtu kemi në plan edhe themelimin e ndërmarrjes së transportit publik në Ferizaj, për shkak se Ferizaj nuk ka një ndërmarrje të transportit publik. Do të blejmë 24 autobusë hibridë ose elektrikë në mënyrë që qarkullimi në zonën urbane edhe fshatrat përreth të jetë më i shpejtë dhe më i lirë për qytetarët tanë. Do të kemi një ‘Tech Park’ dhe qendër studimore për studentët dhe nxënësit tonë me salla leximi, me laboratorë të ndryshme, me bibliotekë fizike dhe digjitale. Do të themelojmë ndërmarrjen publike; kuzhinën e qytetit”- tha Haliti.
Çka premton AAK në Ferizaj?

Xhemile Murati Shabani është e vetmja grua kandidate në garën për kryetare të Komunës së Ferizajt.
Murati Shabani prezantoi programin e AAK-së, duke i renditur prioritetet: arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, mjedisin, ekonominë, rininë dhe sportin, shërbimet publike dhe infrastrukturën.
Ajo tha se synojnë që të funksionalizojnë çerdhet ekzistuese dhe ndërtimin e shkollave të reja në qytet dhe fshatra.
Shabani Murati premtoi digjitalizimin e tërësishëm të arsimit në komunën e Ferizajt, përfshirë tabelat digjitale.
“Sa i përket shëndetësisë, do të përfundojmë infrastrukturën kryesore, Qendra e Mjekësisë Familjare në fshatin Koshare do të përfundohet. Më pastaj, do të ju kushtojmë një rëndësi të veçantë edhe furnizimit me aparaturën e nevojshme, si në qendrën diagnostike, po ashtu edhe në qendrat e mjekësisë familjare në komunën e Ferizajt. Do të shtojmë numrin e stafit, duke përfshirë stafin e mjekëve dhe infermierëve. Gjithashtu, konsiderojmë që në Qendrat e Mjekësisë Familjare duhet patjetër të kemi edhe staf tjetër shtesë si laborantë, fizioterapeutë dhe stomatologë” – tha Shabani Murati.
“Në kulturë, rini dhe sport, planifikojmë që Qendrën e Kulturës ta shndërrojmë në muze të kujtesës, si dhe në një hapësirë të përshtatshme për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Gjithashtu, kemi dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë edhe me identitetin tonë kulturor, ndërtimi i veprave artistike, dhe po ashtu do të ndërtohen edhe shumë objekte të tjera sportive. Në shërbimet publike, po ashtu synojmë furnizimin me ujë të pijshëm, duke rritur kapacitetet, duke i dyfishuar në fabrikën e ujit në fshatin Pleshinë. Do të ndërtojmë po ashtu tregun e gjelbërt” – premtoi kandidatja e AAK-së në Ferizaj.
Si planifikojnë t’i legalizojnë objektet pa leje kandidatët për kryetar të Ferizajt ?

Sipas të dhënave zyrtare, në qytetin e Ferizajt janë 32 mijë e 721 ndërtime pa leje. Kjo çështje pret zgjidhje nga kryetari i ri në këtë komunë.
Xhemile Murati Shabani kandidate nga AAK tha se ndërtimet pa leje janë sfidë.
“Për të lehtësuar këtë proces, ne planifikojmë edhe digjitalizimin e proceseve të legalizimit, ku të gjitha kërkesat për legalizim dhe statusin e tyre, aplikantët mund ta përcjellin në formë digjitale. Do ta lehtësojmë, duke e kombinuar ligjin i cili është në fuqi për ndërtimet pa leje deri në vitin 2018, si dhe procedurat digjitale dhe do të jetë një lehtësim për të gjithë ata të cilët do të aplikojnë për legalizimin e objekteve të tyre. ..Por, siç e thashë në fillim, gjithmonë duhet të jemi në pajtueshmëri të plotë me ligjin numër 06/L-024 për trajtimin e ndërtimit pa leje” – tha ajo.
Murati Shabani premtoi që nëse fiton në zgjedhjet lokale brenda mandatit katër vjeçare do të legalizohen të gjitha objektet pa leje.
“Faktikisht unë mendoj që gjatë mandatit duhet të përfundohen të gjitha, sepse duhet të shtohen kapacitetet në resurse njerëzore. Duhet të shtojmë stafin në kuadër të Drejtorisë së Urbanizmit që të trajtohen me shumë seriozitet ndërtimet të cilat duhet të legalizohen” – tha ajo.
Enver Haliti nga LVV tha se do të bëjë thirrje tek qytetarët që të aplikojnë për legalizim të objekteve.
Haliti tha se në Ferizaj ka objekte që duhet të rrënohen.
“Ka objekte që duhet edhe të rrënohen në Ferizaj, për shkak se janë pengesë e pakalueshme. Po, unë ato objektet që nuk i plotësojnë kriteret dhe që janë shndërruar në pengesë bazike për funksionimin e qytetit, patjetër se ka objekte që duhet të rrënohen”- tha Haliti.
Haliti premtoi se do të lirojnë trotuaret të cilat janë të pakalueshme.
“Kemi në plan lirimin e trotuareve, për shkak se të gjitha trotuaret në komunën e Ferizajt thjesht janë të pakalueshme për personat me nevoja të veçanta, edhe për nënat me karroca, me fëmijë të vegjël, por edhe për qytetarët. Kemi pengesa të jashtëzakonshme, nuk kemi nivelizim të trotuareve, kemi lloj-lloj gjeneratorësh, shkallë e terasash që janë të vendosura në hapësira publike, që thashë Komuna e Ferizajt e ka shuar Drejtorinë e Inspeksionit dhe Komuna në një farë mënyre po funksionon rrjedhshëm pa pasur fare as qeveri, as inspektorat, asnjë gjë tjetër”- tha ai.
Borxhet ndaj Komunë së Ferizajt, çfarë premtojnë Haliti e Murati Shabani?
Rreth 19 milionë euro është vlera të cilën ia kanë borxh qytetarët Komunës së Ferizajit. Prej këtyre 19 milionë euro, 70% janë taksa në pronë edhe 24% të tjera janë taksa për leje ndërtimore.
Kandidatja e AAK-së, Xhemile Murati Shabani tha se borxhet planifikon t’i mbledh përmes një marrëveshje fleksibile me borxhlinjët.
“Ne kemi planifikuar që mbledhja e borxheve për qytetarët do të bëhet me marrëveshje fleksibile, në mënyrë që t’ua lehtësojmë qytetarëve. Po ashtu edhe norma tatimore konsiderojmë që duhet të jetë më e ulëta, që veç është duke funksionuar, por megjithatë konsideroj që duhet të bëhen marrëveshje fleksibile dhe do të ju lehtësohet qasja e pagesave përmes digjitalizimit, që të jetë në formë online. Ndërsa sa i përket borxheve që ka Komuna me operatorë, mund të them lirshëm që janë diku afërsisht 20 milionë euro, që rrjedhin veç nga kontrata kolektive dhe padyshim që e kanë prishur edhe planifikimin e projekteve të cilat i realizon Komuna” – tha ajo.
Kandidati i LVV-së, Enver Haliti nuk premtoi që borxhin e qytetarëve do ta arrijë ta çoi në zero, për shkak të sfidave që thotë se janë.
“Unë thashë që është problem me premtu këtë që me e pru në zero. Po do të shohim mundësinë e programimit të këtyre borxheve. Kur Komuna iu paguan bizneseve, mund edhe të kërkojë nga bizneset që t’i shlyejnë obligimet ndaj Komunës me një lloj marrëveshje, me një lloj programimi, me mundësinë e heqjes së penalltive, për shkak se penalltitë janë shumë të larta për pagesën e mospagesave me kohë të obligimeve ndaj Komunës. Kështu që do t’i shohim mundësitë që t’ia bëjmë sa më të lehtë me një marrëveshje të programimit të borxhit, që këto taksat që janë pa u mbledhur nga Komuna, të inkasohen, në mënyrë që të paguhen edhe obligimet ndaj operatorëve dhe të ju kthehet në të mirë qytetarëve me projekte të ndryshme” – premtoi Haliti.
Si do t’i qasjen telasheve me mbeturinat në Ferizaj?
Në Ferizaj qytetarët vazhdojnë të kenë probleme me mbledhjen e mbeturinave, ndërsa punëtorët kanë nevojë për kushte më të mira të punës.
Enver Haliti nga LVV premtoi se do të heq mbeturinat nga Ferizaj duke ri-konstruktuar kompanitë publike.
“Unë premtoj që do ta heqim bërllokun nga Ferizaj, duke i ristrukturuar kompanitë publike. Ferizaj ka dy kompani, e ka ‘Pastërtinë’ e cila merret me grumbullimin e mbeturinave dhe ka kompaninë ‘Ambienti’ që merret me pastrimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese. Kështu që ne do të ri-strukturojmë, do t’i japim shërbime të reja të Komunës, ku pushteti aktual jep kontrata operatorëve privatë për punët e njëjta që i kryejnë kompanitë publike dhe i ka sjellë buzë falimentimit. Ne do ta ndërrojmë mendësinë qeverisëse me kompanitë publike, për shkak se kompanitë publike janë pronë e Komunës. Ne do t’i fuqizojmë ato. Ne do të tentojmë që punëtorët të kenë pajisjet e nevojshme, të kenë paga të dinjitetshme, të kenë makinerinë e nevojshme, në mënyrë që Komuna e Ferizajt” – tha ai.
Kandidatja e AAK-së, Xhemile Murati Shabani premtoi fuqizim të ndërmarrjes ‘Pastërtia’.
“Shërbimet publike mendoj që janë çështjet themelore mbi jetën e cila zhvillohet në çdo qytet, dhe padyshim që ne si Aleancë do t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë shërbimeve publike. Sa i përket mbeturinave, nuk mund të flasim për cilësi kuptohet, pa e pasur një qytet të pastër. Por ne do t’i fuqizojmë ndërmarrjen publike ‘Pastërtia’… Do të jetë ndërmarrje e cila do të funksionojë dhe do t’i ketë të gjitha hapësirat. Do të fuqizohet brenda komunës së Ferizajt dhe po ashtu do të blejmë edhe dy kontejnerë dhe dy kamionë me 50 tonë, sepse në këtë formë ne e lehtësojmë buxhetin e ndërmarrjes ‘Pastërtia” – tha ajo.
Kandidati i LVV-së, Enver Haliti po ashtu premtoi rikthimin e stacionit të autobusëve në lokacionin e vjetër.
“E përmenda më herët që do ta themelojmë edhe ndërmarrjen e transportit publik, blerjen e 24 autobusëve të rinj elektrikë ose hibridë, në mënyrë që ta rregullojmë çështjen e trafikut urban brenda komunës së Ferizajt. Autobusi, stacioni i autobusit të vjetër do ta kthejmë aty ku ka qenë, për shkak se kemi marrë vërejtje dhe kërkesa nga të gjitha fshatrat e komunës së Ferizaj, që është bërë një padrejtësi shumë e madhe, ku pa konsultim me ta, është vendosur stacioni i autobusëve në periferi të qytetit dhe ia ka vështirësuar punën dhe jetën fshatarëve, studentëve, nxënësve që… Stacioni i ri do të shërbejë për linjat me qytete të tjera: Prishtinë, Prizren, Gjilan e ndërkombëtare, ndërsa stacionin e vjetër do ta lëmë për qarkullim për fshatrat e komunës së Ferizaj. Do të thotë, do t’i kemi dy stacione në komunën e Ferizajt, në veri dhe jug, dhe ky në jug, që ka qenë i vjetri, do të restaurohet”- tha ai.
Premtimet për mësim gjithë-ditor në Ferizaj
Enver Haliti nga LVV premtoi se do të nisin me mësim gjithë-ditor në dy shkolla, si pilot projekt.
“Me dy shkolla synojmë pilotimin në mënyrë që ta shohim se si po shkon” – tha ai.
Xhemile Murati Shabani nga LVV përmendi tetë shkolla tek të cilat synon që brenda mandatit katër vjeçar të nis mësimin gjithë-ditor.
“Sa i përket arsimit gjithë ditor, ne konsiderojmë që gjatë mandatit tonë do të fillojmë me pilotimin e projektit që ka të bëjë me shkollën fillore ‘Dy Dëshmorët’, shkolla ‘Naim Frashëri’, shkolla ‘Erzen Muhadini’; shkolla ‘Rizah Matoshi’; shkolla ‘Pavarësia’; ‘Pesë Dëshmorët e UÇK-së’. Pas restaurimit të shkollës së vjetër po ashtu mund t’i plotësojë kriteret edhe shkolla ‘Tefik Çanga”- tha ajo.
Komuna e Ferizajt aktualisht udhëhiqet nga kryetari Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në artikull kontribuan: Blinera Gashi dhe Nora Osmani