Ilustrim nga Besnik Krivanjeva- Kallxo.com
Burrat dhe gratë më të votuar për Asambletë Komunale në Kosovë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 16 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Me mijëra burra dhe gra nga e gjithë Kosova u përfshinë në listat e partive politike dhe iniciativave qytetarë për t’u bërë pjesë e Kuvendeve Komunale në Kosovë për zgjedhjet Lokale të 12 tetorit.
Votuesit patën mundësi që votën e tyre të ia besonin vetëm 1 kandidati/e për Kuvend Komunal, ndryshe nga Zgjedhjet Parlamentare, në të cilat votuesi mund të zgjedh deri në 10 kandidatë brenda listës.
KALLXO.com ka analizuar rezultatet e KQZ-së dhe ka nxjerr nga 7 komunat kryesore, kandidatët burra dh gra më të votuar.
Në Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj, kandidatët që kryesojnë listat e kuvendeve komunale kryesisht u takojnë subjekteve më të mëdha politike, apo subjekteve të cilat kanë dalë fituese në komunat përkatëse.
Sipas rezultateve të KQZ-së, kandidati më i votuar për asamble komunale në Gjakovë është Gani Hajdari nga Partia Demokratike e Kosovës.
Edhe pse partia me të cilën garoi ai nuk doli fituese në këtë komunë, megjithatë Hajdari arriti të sigurojë gjithsej 928 vota nga qytetarët e Gjakovës.
Në një bisedë për KALLXO.com, ai është shprehur se synimi i tij për mandatin e ri katërvjeçar është bashkëpunimi më i ngushtë me qytetarët.
“Normal se pritet nga ne punë dhe angazhim, por gjithmonë do të qëndrojmë pranë njerëzve dhe kërkesave të tyre. Ne si parti nuk jemi fituese e zgjedhjeve në Gjakovë, por ky rezultat i imi ka ardhur si rezultat i punës në vazhdimësi me qytetarët e kësaj komune”- tha Hajdari.
Gruaja me më së shumti vota në Komunën e Gjakovës është Albulena Komani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ajo siguroi ulëse në kuvendin komunal me gjithsej 765 vota.
Për Komanin, synimi kryesor në mandatin që e pret është përmirësimi i jetës së qytetarëve në fushat si shëndetësia dhe arsimi.
“Synimi im për mandatin e ri është të jem një zë i fuqishëm për qytetarët e Gjakovës, veçanërisht të rinjtë dhe gratë. Dua të punoj për projekte që përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve, nga arsimi e shëndetësia, deri te krijimi i mundësive të reja për zhvillim ekonomik dhe punësim”- tha Komani për KALLXO.com.
Me numrin e votave doli i pari në Gjilan kandidati për asamblenë komunale nga Lëvizja Vetëvendosje, Kushtrim Ibrahimi.
Ibrahimi, si asamblisti më i votuar në këtë komunë, siguroi mbështetje të qytetarëve me 976 vota.
Sipas tij, duke qenë se në mandatin që po lënë pas ishte pjesë e ekzekutivit të komunës, thotë se synimet e tij janë të orientuara në fushën që ai ka drejtuar, atë të Shërbimeve Publike.
“Duke i pa nga vizitat në terren problematikat dhe hallet e qytetarëve, mundohemi që t’i shtyjmë projektet tona përpara, duke filluar nga infrastruktura në rrjetin e kanalizimit fekal, rregullimi i parqeve të reja, shtrimi i rrugëve me asfalt në vende ku ka kërkesa”- tha Ibrahimi.
Ndërsa gruaja më e votuar në Gjilan është Florina Jerliut nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që doli partia e dytë në këtë komunë.
Ao mori mbështetje nga 524 qytetarë.
Ndërsa, për Gjilanin ajo premtoi drejtësi e transparencë institucionale në mandatin që po vjen.
“Synimi im i qartë është me pasë drejtësi, së pari në çdo pore të institucioneve. Synimi im tjetër është arsimi, me e ngritë cilësinë dhe të rinjtë të punësohen, si dhe të jem unë zëri i grave që kanë preokupime e shqetësime. Këto janë prioritetet e mia që kam me i theksu çdoherë në kuvendin komunal”- është shprehur Jerliu për KALLXO.com.
Mes garës së ngushtë që po zhvillohet nga kandidatëve për kryetarë të Komunës së Mitrovicës së Jugut, PDK ka asamblistin më të votuar në këto zgjedhje, nga subjektet e tjera politike.
Shkëlqim Ibrahimi nga kjo parti u votua nga 770 qytetarë, duke i siguruar edhe një mandat tjetër në Kuvendin Komunal.
Ndërsa kandidatja grua më e votuar në Mitrovicë është Majlinda Kurti, po ashtu nga PDK, e cila siguroi 642 vota të qytetarëve.
Zhvillimi i qëndrueshëm, mundësitë e barabarta dhe ambientet e pastra, Kurti tha se do të jenë synimet e saj për katërvjeçarin e ardhshëm.
“Fushatën e kam pasur të fokusuar te gratë dhe u kam premtuar që do të angazhohem për barazi gjinore reale, për përfshirje të grave në pozita vendimmarrëse dhe për mbështetje konkrete të familjeve dhe nënave punëtore, që besoj shumë se pas katër viteve mandat do t’i diskutojmë si të përmbushura këto premtime”- ka thënë Kurti.
Këto zgjedhje lokale në Pejë nxorën si më të votuarin për asamble Rexhep Kurtbogaj nga LDK, i cili mori gjithsej 1 mijë e 256 vota.
Kurtbogaj thotë se në angazhimet e tij publike do të përfshihen projektet zhvillimore që janë paraparë me projektbuxhetin e komunës, të cilat kanë të bëjnë me rrugë lokale, trotuare, mirëmbajtje të parqeve dhe mbrojtje të mjedisit.
“Kjo mbështetje e madhe është si rezultat i punës gjatë këtyre viteve dhe bashkëpunimit me qytetarët në krejt zonat e qytetit”- tha Kurtbogaj.
Bashkëpartiakja e tij, dhe njëherit drejtoresha e Kulturës në Komunën e Pejës, Xhenet Syka Kelmendi mori mbështetje qytetare, duke u renditur si gruaja më e votuar e Pejës.
Ajo la pas gratë e tjera garuese në këto zgjedhje, duke fituar 604 vota për asamble.
Synimi kryesor në mandatin e ri, Syka Kelmendi thotë se është luftimi i ambientit patriarkal në komunë dhe shtyrja përpara e kauzave gjinore.
“Përkundër gjithë punës që është bërë, akoma ambienti është patriarkal, kështu që dua të reflektoj që çdo gjë është e mundur kur ka punë dhe kur njerëzit kanë filluar me besu në gratë dhe vajzat”- u shpreh ajo.
Prapa nuk lë as premtimin për mbështetjen e grave dhe vajzave të Pejës në fushën e sportit dhe kulturës.
“Synim kam masovizimin e sporteve te gratë dhe vajzat, konkretisht te vajzat e kam shumë prioritet, sepse vajzat e Pejës na kanë përfaqësuar si ambasadore gjithandej botës dhe janë këto vajzat e Pejës që, ku s’ka mundur me hyrë politika, kanë depërtuar ato në sport”- tha Syka Kelmendi për KALLXO.com.
Për dallim nga disa prej komunave të tjera, në kryeqytet, lista për asamblenë komunale, për nga numri i votave, kryesohet nga dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këto zgjedhje, Gëzim Sveçla fitoi gjithsej 1,618 vota, duke siguruar ulëse edhe për një mandat tjetër në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Ai është zotuar se në mandatin e ri do të angazhohet për transparencë dhe llogaridhënie sa i përket qeverisjes lokale në kryeqytet.
“Transparencë në vendimmarrje, llogaridhënie në ekzekutiv dhe bashkë me qytetarët do t’i shtyjmë përpara projektet dhe nevojat që e lehtësojnë përditshmërinë e tyre në kryeqytet”- ka thënë Sveçla.
Sipas tij, nga rezultatet e deritanishme, kjo është hera e parë që në një grup asamblistësh ka më shumë gra sesa burra që kanë fituar ulëse në asamble komunale.
“Për herë të parë ndodh që në një grup të asamblistëve ka më shumë gra sesa burra, si në rastin e grupit të asamblistëve të LVV-së, dhe brenda grupit është asamblisti më i votuar në Kosovë dhe gruaja asambliste më e votuar në Kosovë. Kjo dëshmon që qytetarët e Prishtinës i kanë besuar Lëvizjes Vetëvendosje”- u shpreh ai.
Ndërsa, pas Sveçlës, gruaja më e votuar për asamblenë komunale të Prishtinës është Jeta Bujari, me 1,209 vota të fituara.
Bujari fitoi mandatin e parë si asambliste e Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, me më së shumti vota të siguruara nga të gjithë kandidatët e tjerë për asamble në Kosovë.
Pas besimit të marrë nga qytetarët, ajo është shprehur se synimet e saj si asambliste do të jenë fusha e arsimit dhe kulturës në Prishtinë.
“Për këtë mandat, synimi im është arsimi dhe kultura, duke qenë se jam pjesë e arsimit dhe kulturës në kryeqytet që nga viti 1995, këto të dyja do të jenë prioritetet e mia në qeverisjen lokale të Prishtinës për katërvjeçarin e ardhshëm”- u shpreh Bujari.
Ndërsa kandidatët me më së shumti vota për asamble e Prizrenit u radhitën ata nga PDK, e cila edhe doli e para parti në këtë komunë.
Islam Ukaj fitoi mbështetjen e qytetarëve me gjithsej 1 mijë e 593 vota për asamblenë komunale.
Ukaj, i cili është edhe drejtor aktual i Inspeksionit në këtë komunë, tha se qëllimi i tij për mandatin e ri është lirimi i hapësirave publike në Prizren.
“Mbështetja nga qytetarët është edhe falë punës si drejtor i Inspeksionit gjatë katërvjeçarit të kaluar. Si asamblist, por edhe si drejtor që kam qenë, do të jap kontributin tim për lirimin e hapësirave publike, mundësinë e qasjes dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. Unë do të vazhdoj t’i mbroj hapësirat publike, pavarësisht a do të jem drejtor apo jo, unë do të kontribuoj si asamblist”- tha Ukaj.
Mbrojtje të të drejtave të fëmijëve e grave ka premtuar edhe gruaja më e votuar e Prizrenit, Luljeta Veselaj Gutaj.
Veselaj Gutaj fitoi ulëse në kuvendin komunal me 795 vota të qytetarëve të Prizrenit.
“Synimet e mia konkrete janë zhvillimi i Prizrenit, mbrojtja e të drejtave të të gjithë qytetarëve me theks të veçantë të fëmijëve dhe të grave, projekte të cilat konkretisht ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve dhe të grave, siguria e tyre, si dhe projekte të zhvillimit të arsimit, të cilat edhe i kam pasë pjesë të punës për katër vite”- u shpreh ajo.
Kandidatët për asamble nga radhët e PDK-së kanë ngadhënjyer edhe në Komunën e Ferizajt.
Të dhënat e KQZ-së tregojnë se Bajram Bajrami nga kjo parti renditet si kandidati më i votuar për asamble, me 1 mijë e 357 vota.
Bajrami u shpreh se prezantimi i kërkesave qytetare përballë ekzekutivit do të jetë qëllimi kryesor në këtë mandat të radhës.
“Normalisht që prioritet do t’i kem kërkesat e qytetarëve. Ato kërkesa do t’i parashtrojmë në kuvend përballë ekzekutivit. Qëllimi kryesor është prezantimi i kërkesave të tyre dhe angazhimi që interesat e tyre të mbrohen, ndërsa punët që kanë mbetur pa u kryer, të vazhdojnë”- tha Bajrami.
Mbështetja qytetare në këtë garë zgjedhore renditi gruan e parë në Ferizaj për nga numri i votave, Sebahate Sadikun.
Ajo siguroi 1 mijë e 52 vota nga qytetarët e prioritet në mandatin e ri u zotua se do të ketë forcimin e transparencës financiare.
“Do të angazhohem që çdo vendim buxhetor të jetë në funksion të qytetarëve, me fokus në menaxhim të drejtë të parasë publike dhe në investime që sjellin zhvillim afatgjatë për Ferizajn”- tha Sadiku për KALLXO.com.
Si drejtoreshë aktuale e Financave në këtë komunë, Sadiku shprehet se përmes bashkëpunimit, transparencës dhe llogaridhënies, kontributi i saj në Ferizaj do të vërehet edhe më shumë.
KALLXO.com raportoi më 22.10.2025 për kandidatët për Asamble që morën nga 1 votë ose nuk morën fare asnjë.
Lista e tyre shkon mbi 200 kandidatë.
https://kallxo.com/lajm/lista-e-kandidateve-per-asamble-nga-e-gjithe-kosova-qe-moren-1-vote-ose-nuk-moren-asnje/
Me 25.12.2025, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale.
https://kallxo.com/lajm/kqz-shpall-rezultatet-perfundimtare-te-zgjedhjeve-lokale-2025/