Trajnimi i ekipit të Auditimit Social në Drenas, Foto: KALLXO.com
BIRN Kosova trajnon një grup të qytetarëve për monitorimin e projekteve kapitale në Drenas
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) ka mbajtur një trajnim në Drenas për të ngritur kapacitetet e një grupi të qytetarëve për monitorimin e disa projekteve që implementohen nga Komuna e Drenasit.
19 qytetarët të cilët vijnë nga profesione, profile e zona të ndryshme kanë qenë pjesë e trajnimit që BIRN Kosova e ka organizuar në bashkëpunim me Handikos Drenas, të cilët janë partnerë lokalë në implementimin e projektit të Auditimit Social në Komunën e Drenasit.
Pjesëmarrësit patën mundësinë që të mësojnë për konceptin e Auditimit Social dhe rëndësinë e tij për komunitetin, të praktikojnë shkrimin e kërkesave për qasje në dokumente publike në institucione, hartimin e pyetjeve me indikatorë për projektet të cilat do t’i monitorojnë në Komunën e Drenasit.
Po ashtu, të njëjtit mësuan si t’i gjejnë dhe t’i lexojnë kontratat e projekteve, dhe si të hartojnë rekomandime bazuar në gjetjet dhe monitorimin e tyre, të cilat do të bëhen pjesë e raportit final të Auditimit Social në Komunën e Drenasit.
Me qëllim të rritjes së angazhimit të qytetarëve, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal në implementimin e projekteve infrastrukturore e mbikëqyrjes qytetare, më 29.08.2025, Komuna e Drenasit, BIRN Kosova dhe organizata Handikos në Drenas, janë dakorduar t’i hapin rrugë themelimit të ekipit të Auditimit Social.
Ekipi i Auditimit Social është një grup i qytetarëve që do të monitorojë katër projekte, “Rehabailitimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuarit Arllat-Negrovc dhe Vuqak”; “Asfaltimi i rrugës Llapushnik-Berishë”; “Instalimi i panelave solare në kulmin e objektit të komunës” dhe “Ndërtimi i kapaciteti të ujësjellësit në Drenas-Faza e dytë”.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, theksoi përkushtimin e Komunës për zbatim të plotë të marrëveshjes, duke e parë përfshirjen e qytetarëve si garanci për menaxhim më të mirë të investimeve publike.
Për ngritjen e kapaciteteve, fillimisht BIRN Kosova ka ofruar një program trajnimi për gjashtë organizatat e shoqërisë civile që janë partnere gjatë implementimit të procesit të Auditimit Social në Kaçanik, Istog, Drenas, Dragash, Lipjan dhe Mamushë.
Në vitin 2025, BIRN Kosova dhe Democracy Plus (D+) janë angazhuar nga Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në 16 projekte të përzgjedhura në Kaçanik, Istog, Drenas, Dragash, Lipjan dhe Mamushë. Projektet që do të monitorohen janë përfituar nga komunat përkatëse përmes Grantit të Performancës Komunale.
Për garantimin e një procesi profesional të Auditimit Social, BIRN Kosova do të fasilitojë të gjithë procesin përmes ofrimit të mentorimit profesional dhe asistencës teknike për organizatën lokale dhe ekipin e themeluar në Komunën e Istogut, Drenasit, Kaçanikut dhe Dragashit ndërsa D+ në Komunën e Lipjanit dhe Mamushës.
DEMOS është projekt i cili bashkëfinancohet nga BE-ja, Qeveria zvicerane dhe Qeveria suedeze, dhe zbatohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo. Ky projekt mbështet komunat e Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.
Auditimi Social përkrahet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS).
Gjatë këtij cikli të Auditimit Social që do të zhvillohet në 12 komuna të Kosovës, organizata KLGI është përzgjedhur për të bërë fasilitimin e procesit të Auditimit Social në gjashtë komuna si e kontraktuar nga MAPL ndërsa BIRN dhe D+ në bashkëpunim me gjashtë organizata lokale janë kontraktuar nga projekti DEMOS, për të bërë fasilitimin e procesit të Auditimit Social në gjashtë komuna të tjera.
BIRN Kosova dhe D+ kanë fasilituar procesin e Auditimit Social në gjashtë komuna të Kosovës në vitin 2024, në Gjakovë, Pejë, Lipjan, Obiliq, Klinë dhe Malishevë, ndërsa në vitin 2023, BIRN Kosova ka fasilituar procesin e Auditimit Social në pesë komuna të Kosovës, në Drenas, Kaçanik, Han të Elezit, Suharekë dhe Viti.
Cikli Auditimit Social i vitit 2025 ka filluar më gusht dhe do të përfundojë në dhjetor.