Foto: KALLXO.com
"AVONET" kërkon pezullimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit 2026, Qeveria kundërshton propozimin për masën e sigurisë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Në Gjykatën e Prishtinës sot, më 07.11.2025, është mbajtur seanca dëgjimore për propozimin e masës së sigurisë nga rrjeti i OJQ-ve “AVONET” kundër Qeverisë së Kosovës për anulimin e aktit administrativ (vendimin e Qeverisë në detyrë për aprovimin e Projektligjit mbi ndarjen buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026).
Qeveria e Kosovës më 31.10.2025 kishte miratuar Projektligjin për vitin 2026.
Për këtë rast, OJQ-të “AVONET” kanë paraqitur padi, me të cilën kanë kërkuar nga Gjykata Themelore – Departamenti Administrativ që këtë vendim ta anulojë me propozim për masë të përkohshme të sigurisë (shtyrjen e ekzekutimit të vendimit).
Për paditësin, përfaqësuesi Shefki Berisha tha se qëndron në tërësi pranë padisë dhe propozimin për caktimin e masës së sigurisë ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për aprovimin e Projektligjit mbi ndarjen buxhetore të Republikës së Kosovës, për vitin 2026.
Berisha tha se vendosja e masës është e domosdoshme për shmangien e dëmit të rëndë dhe të pakthyeshëm.
“Alokimi i mjeteve financiare apo shpërndarja e tyre tek subjektet e ndryshme, përfshirë këtu operatorët ekonomikë, do të prodhonte dëm të pakthyeshëm për faktin se mjetet e shpërndara financiare në bazë ligjërisht të kontestueshme do të prodhonin pasoja financiare të pariparueshme në të ardhmen”- tha Shefki Berisha, përfaqësues i “AVONET”.
Më tej Berisha tha se caktimi i masës së përkohshme të sigurisë nuk e cenon interesin publik për faktin se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi vetëm e ndalon zbatimin e një vendimi nga një organ kolegjial i cili ka aktualisht mandat të kontestueshëm ligjor.
Sipas Berishës, pezullimi i ekzekutimit të këtij vendimi është masa më e butë dhe më e përshtatshme e cila nuk pengon funksionimin normal të institucioneve shtetërore, për faktin se Ligji aktual për buxhetin i vitit 2025 mund të zgjatet edhe për 3 muaj të vitit fiskal për vitin 2026 nga ana e Kuvendit aktual.
Berisha tha se plotësohen dy kushtet në mënyrë kumulative për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë: dëmi i pariparueshëm, si dhe interesi publik.
Në fund, Berisha i propozoi Gjykatës që ta aprovojë në tërësi propozimin e tyre për masë të përkohshme të sigurisë.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Art Jashari, tha se e kundërshton padinë dhe kërkesën për masë të përkohshme të sigurisë.
Jashari tha se tha se me rastin e ushtrimit të padisë nga paditësi nuk janë respektuar kushtet ligjore që kërkohen për paraqitjen e padisë ndaj një akti administrativ.
Sipas Jasharit, vendimi i kontestuar nuk mund të jetë objekt padie për anulimin e aktit administrativ pranë Gjykatës Themelore, por vetëm objekt i kontestimit kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.
Tutje, Jashari tha se është e paqartë se ku mbështetet legjitimiteti aktiv i paditësit si mbajtës i interesave kolektive apo interesave të gjera të publikut pasi për këtë paditësi nuk ka bindur Gjykatën e as palën e paditur që gëzon këto cilësi.
Sipas Jasharit marrja e një mase të përkohshme do të përbënte pengimin dhe bllokimin e përgjithshëm të institucioneve dhe shoqërisë.
Jashari tha se caktimi i masës do të përbënte ndër të tjera një ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në kompetenca të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.
Më tej Jashari tha se rëndësia e miratimit të buxhetit është e përcaktuar dhe e mbrojtur me dispozita ligjore dhe aprovimi i një mase të tillë do të cenonte interesin publik të Republikës dhe popullit të Kosovës.
Krejt në fund, Jashari i propozoi Gjykatës që të hedhë poshtë kërkesën për masën e përkohshme të sigurisë.
Kjo çështje po trajtohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, ndërsa gjyqtari i rastit është Kreshnik Kaçiu.
Sipas padisë së rrjeti i OJQ-ve “AVONET” ka kërkuar nga Gjykata që të anulohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për aprovimin e Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për vitin 2026.
Sipas padisë, Projektligji i nxjerrë nga Qeveria e Kosovës është nxjerrë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, që e kanë përcaktuar se një deputet nuk mund të ushtrojë ndonjë post ekzekutiv.
Sipas padisë, është fakt se kryeministri aktual, Albin Kurti dhe disa ministra të Qeverisë janë betuar si deputetë në këtë legjislaturë, por që sipas OJQ-së ata për çudi ende po mbajnë poste ekzekutive.
Pra, sipas padisë, Projektligji për ndarje buxhetore është nxjerrë në kundërshtim nga persona që janë deputetë e po mbajnë poste ekzekutive si kryeministër dhe ministra të Qeverisë në detyrë.
Tutje, padinë “AVONET” e ka bazuar edhe duke cituar nene nga Ligji për Qeverinë, i cili sipas tyre thot se posti ekzekutiv mbaron në momentin që një qytetar betohet si deputet. E në këtë rast kundërligjshmëria, sipas padisë, thot se duke marrë për bazë këto fakte, të betuar si deputetë e duke mbajtur poste ekzekutive kanë votuar për Projektligjin e buxhetit për vitin 2026.
Sipas padisë, Qeveria në detyrë me këtë përbërje nuk ka pasur të drejtë të miratojë Projektligjin.
Në këtë padi kanë dhënë sqarime se si Qeveria në dorëheqje e ka këtë kompetencë por Qeveria në detyrë nuk mundet të votojë Projektligjin për buxhet.
“Me normën e nenit 31 paragrafi 2 përcaktohet se Qeveria në dorëheqje ka të drejtë te propozojë miratimin e Buxhetit, ndërsa me normën e nenit 31 paragrafi 5 theksohet se “KUFIZIMET” e përcaktuara në nenin 31 vlejnë edhe për Qeverinë në detyrë me mandat te skaduar. Në këtë kontekst, nga një analize juridike vihet në përfundim se Qeveria në detyrë me mandat të skaduar i nënshtrohet kufizimeve të nenit 31, por e njëjta nuk i nënshtrohet përjashtimeve të këtij neni përmes paragrafit 5, për faktin se norma juridike e paragrafit 5 të nenit 31 nuk i jep autorizim pozitiv (kompetencë) Qeverisë në detyrë me mandat të skaduar (Qeverisë në detyrë) qe t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit, por kjo normë juridike ia njeh vetëm kufizimet Qeverisë në detyrë me mandat te skaduar, dhe jo përjashtimet”- thuhet në padinë e “AVONET”.
Në këtë padi është kërkuar edhe propozimi për masë të përkohshme të sigurisë rreth këtij vendimi.
Sipas “AVONET” duhet të vendoset masa e sigurisë për këtë rast për shkak të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm.
Në rast se ky Krojektligj kalon, sipas OJQ-së, akti i nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme do të zbatohej nga qeverisja e vendit, veprim i cili do të komprometonte integritetin e rendit kushtetues, dëm i cili do të ishte i natyrës institucionale e i pakthyeshëm.
Tutje në kërkimin për masë të sigurisë thuhet se nëse ky akt miratohet atëherë rrezikohet stabiliteti fiskal i shtetit për shkak se çdo akt i nxjerrë tutje do të mbështetej ose do ndërtohej mbi një bazë juridike të paligjshme.
Përmes masës së sigurisë është kërkuar që të shtyhet ose pezullohet ekzekutimi i këtij vendimi qeveritar.
Padia për këtë rast është bërë më 03.11.2025 kurse përgjigjja në padi nga Qeveria e Kosovës – Ministria e Financave, Punës dhe Transferve (MFPT) është bërë më 07.11.2025.
Në përgjigjen në padi, duke përfshirë këtu edhe kundërshtimin për masë të përkohshme, MFTP ka kontestuar juridiksionin e Gjykatës – të Departamentit Administrativ për trajtimin e kësaj çështjeje.
MFTP e ka kundërshtuar me përgjigje në padi pretendimin e “AVONET” se vendimi i Qeverisë nuk mund të quhet “akt administrativ” ashtu siç i janë referuar me padi.
“Si ky vendim, ashtu dhe çdo vendim tjetër i Qeverisë së Kosovës për miratimin e një projektligji të caktuar, nuk përbën dhe nuk mund të përbëjë asnjëherë një akt administrativ. Kjo edhe sepse vendimi në vetvete thjesht konsumon një të drejtë ekskluzive kushtetuese të Qeverisë. Ai as prodhon pasoja dhe as rregullon ndonjë marrëdhënie konkrete të së drejtës administrative. Ai thjesht i propozon Kuvendit për miratim një akt normativ ligjor” – thuhet në përgjigjen në padi të MFTP-së.
Pra përmes përgjigjes në padi, MFTP ka thënë se kjo padi për të anuluar Projektligjin për buxhetin e vitit 2026 nuk mund të jetë objekt i padisë për anulim të një vendimi administrativ, por duhet të jetë objekt i kontestit kushtetues në Gjykatë Kushtetuese.
Pra, MFTP si palë e paditur ka thënë se paditësit i mungon legjitimiteti aktiv për ngritje të padisë.
“Nëse paditësi pretendon legjitimitet aktiv si mbajtës i interesave kolektive apo interesave të gjera të publikut, në bazë të paragrafit 2 të nenit 22 të LKA, paditësi nuk na i ka treguar. Por nëse operon në këtë cilësi atëherë është dashur edhe ta bindë gjykatën që e gëzon cilësinë e mbajtësit të interesave të gjëra të publikut”- thuhet në përgjigjën në padi.
MFTP-ja i është përgjigjur padisë së “AVONET” ku kishte pretenduar se është shkelur një dispozitë e Kushtetutës së Kosovës duke u thënë se për këtë shkelje kushtetuese nuk është kompetente Gjykata Themelore dhe as nuk ka juridiksion të trajtojë çështje të tilla.
Në përgjigje në padi është kundërshtuar edhe propozimi për vendosjen e masës së sigurisë, pasi sipas MFTP-së, “AVONET” në padi nuk ka argumentuar se çfarë dëmi i interesave do të shkaktohej aq më pak një dëm i pakthyeshëm.
Sipas përgjigjes në padi, paditësi – në këtë rast “AVONET”, nuk mund të pësojë asnjë dëm të menjëhershëm, pasi propozimi për buxhet nuk ka fuqi ekzekutive dhe nuk krijon detyrime ligjore për asnjë subjekt jashtë Qeverisë.