Avokatja Sheholli dhe përmbaruesi Islami s'e pranojnë fajësinë për veprat që i ngarkon Prokuroria
Në Gjykatën e Prishtinës, sot më 22.09.2025, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj avokates Shemsie Sheholli dhe përmbaruesit Isak Islami.
Dy të pandehurit, sipas Prokurorisë së Prishtinës, me veprimet e tyre kanë realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror si dhe i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 25.454.30 euro Besim Sopit.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj, të akuzuarit Shemsie Sheholli dhe Isak Islami nuk e kanë pranuar fajsinë për veprat të cilat për të cilat po i ngarkon Prokuroria.
Gjyqtari Gëzim Ademi ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda me kryetar të trupit gjykues, Gëzim Ademi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të rënda më 29.05.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shemsie Shehollit edhe Isak Islamit.
Kallxo.com ka arritur ta siguroj aktakuzën ndaj dy të pandehurve.
Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura Shemsie Sheholli, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar Besim Sopi …, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për veten, më 15.08.2023, ka kërkuar drejtpërdrejt shumën prej 25,000 euro nga i dëmtuari.
Në aktakuzë thuhet se ajo kishte tentuar ta bënte këtë duke premtuar ushtrimin e ndikimit të padrejtë mbi vendimmarrjen e Kolegjit të Gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit: Burim Shala (Kryetar) dhe Nehat Idrizi dhe Hunaida Pasuli (anëtarë), për t’ia dorëzuar Aktgjykimin e çështjes, edhe pse i njëjti ishte nxjerrë më 12.07.2023 dhe i ishte dorëzuar të pandehurës në cilësinë e avokates së palës.
Tutje, në aktakuzë thuhet se më 14.08.2023, e pandehura Sheholli, përkundër faktit që Aktgjykimi ishte tashmë i nxjerrë dhe i dorëzuar kishte kërkuar shumën prej 25,000 euro për ushtrimin e ndikimit të padrejtë mbi vendimmarrjen e Kolegjit të Gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.
Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura, Shemsie Sheholli, po akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.
Ndërsa i akuzuari tjetër, përmbaruesi Isak Islami thuhet se në cilësinë e përmbaruesit privat, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veten dhe për tjetrin, në mënyrë të kundërligjshme ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe nuk i ka përmbush detyrat e tij sipas detyrës zyrtare. Më 21.12.2023, siç thuhet në aktakuzë, ai e cakton dhe ekzekuton përmbarimin ndaj debitorit Besim Sopi përmes nxjerrjes dhe zbatimit të Urdhrit Përmbarimor, duke u bazuar në një faturë të lëshuar nga kreditorja Shemsije Sheholli, e cila faturë në shumën prej 25.000 euro, në aktakuzë thuhet se ishte e panënshkruar nga debitori.
Sipas aktakuzës, që e ka siguruar KALLXO.COM, thuhet se Islami kishte bllokuar llogarinë bankare të debitorit dhe transferuar mjetet në llogarinë e tij personale në vlerë prej 25.454 euro (duke përfshirë të gjitha shpenzimet procedurale) dhe atë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Procedurën Përmbarimore dhe Ligjin për Procedurën Përmbarimore dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore, pa e njoftuar debitorin paraprakisht për detyrimin e prendetuar dhe pa ia dhënë mundësinë për ta përmbushur atë në mënyrë vullnetare.
Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto veprime të të pandehurit janë në kundërshtim me LPP-në dhe LPK-në.
Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Isak Islami prej Prokurorisë së Prishtinës po akuzohet se e ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
KALLXO.COM më 02.12.2024 kishte raportuar se avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami janë ndaluar nga Prokuroria e Prishtinës për 48 orë.
Më 03.12.2024 KALLXO.COM kishte raportuar se Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte kërkuar 1 muaj paraburgim ndaj avokates Shemsie Sheholli dhe përmbaruesit Isak Islami, ndërsa pas disa orësh më 03.12.2024 KALLXO.COM kishte raportuar se ndaj të njëjtëve është caktuar masa e arrestit shtëpiak, lidhur me rastin për të cilin ishin ndaluar nga Prokuroria më 02.12.2024.
Më 10.01.2025 avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami janë liruar nga masa e arrestit shtëpiak.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni në këtë link.