Dibran Hoxha 02.10.2025 Foto: Laurant Berisha
Avokati i Dibran Hoxhës 'Kobra': Prokuroria Speciale po e vazhdon cirkun e avazit të hetimeve edhe në gjykim
Avokati Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra”, që po akuzohet për vrasje, në fjalën përfundimtare në gjykatë, kritikoi Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Avokati Florent Latifaj në fjalën e tij përfundimtare tha se Prokuroria u mundua të tregoj se si Dibran Hoxha ka 17 apo 19 aktgjykime të formës së prerë, por asnjëherë nuk treguan se për çfarë janë ato aktgjykime apo në çfarë departamenti.
Në Gjykatën e Prishtinës gjatë seancës së të enjtes (02.10.2025) janë duke u dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë, për gjykimin ndaj Dibran Hoxhës dhe të tjerëve për vrasjen që ka ndodhur në vitin 2023 në klubin e natës “Cobra City” në Prizren.
Fillimisht fjalën përfundimatre e dha prokurorja Habibe Salihu, ndërsa pas saj seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare të avokatit Florent Latifaj i cili mbron të akuzuarin Dibran Hoxha.
Sipas avokatit Latifaj, tri vepra penale i akuzuari Dibran Hoxha i ka për armëmbajtje në Departamentin e Krimeve të Rënda, kurse të gjitha aktgjykimet tjera i ka në Departamentin e Përgjithshëm, dënime me gjobë dhe me kusht.
Latifaj tutje tha se Prokuroria asnjëherë nuk është marrë me pjesët se si personat nga Shqipëria erdhën në shtëpi të të akuzuarve dhe i rrahën duke ia u thyer edhe dhëmbët, e shkatërruan lokalin, e në fund duke ikur.
Avokati tutje tha se prokuroria u mundua të tregoj me aktakuzë se çfarë do t’i gjej të tjerët në rast se nuk i binden urdhrave të Kobrës, duke lënë të nënkuptoj se në këtë vend nuk ka shtet.
“Dibran Hoxha 17 apo 19 herë ka qenë i dënuar për vepra penale veç sa për informimin e juaj, për tri vepra penale armëmbajtje pa leje në Departamentin e Krimeve të Rënda, dhe të gjitha të tjerat i ka në Departamentin e Përgjithshëm me kusht dhe me gjobë. Pra, këtë fakt nuk ia u bërën të njohur por veç thanë 19 herë i dënuar. Kurrkush nuk u mor me pjesën qysh i kanë rreh në shpi të tyre e ia kanë thyer dhëmbët në shtëpi të vet, ia u kanë thyer lokalin, por Prokuroria u mor me fjalë si në aktakuzë ‘Demostrim i forcës së paskurpullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë në çfarëdo mënyrë’, me vazhdu avazin e hetimeve të cirkuzit edhe në shqyrtim gjyqësor, thu ti Kosova nuk ka ligj, nuk ka shtet edhe t’i demonstron forcë se edhe ty të vraj, këtë deshën me na thanë neve prokuroria.”- tha Latifaj në fjalën përfundimtare.
Sipas avokatit, në natën kritike, ka vdekur një person, një djalë i ri por me asnjë provë Prokuroria nuk ka arritë të argumentojë se i akuzuari Dibran Hoxha e ka vrarë kuksianin, duke iu thënë Gjykatës se barra e të provuarit bie te Prokuroria, në dosjen që e kanë dorëzuar në gjykatë aty duhet të kërkohet e të gjendet personi që e ka vrarë kuksianin.
Tutje Latfiaj, tha se Prokuroria asnjëherë nuk është marrë me pjesën se si personi i cili tashmë është i vdekur ishte bartur nga shoku i tij i cili po ashtu ishte i plagosur, në Shqipëri. Si kishte arritur të kaloj në pikën kufitare, apo si mund të garantohet se nuk i ka ndodhur diçka tashmë viktimës gjatë rrugës për në Shqipëri.
Latifaj tutje shtoi se babai i viktimës duke e ditur se më çfarë persona ka të bëjë punë, nuk ka mundur as të shkoj t’i pyes se si ka përfunduar djali i tij i vrarë.
“Sigurisht i shkreti (babai) ka pas nevojë me ditë çka i ka ndodhë djalit të vet por e ka ditë me kon të bëjë edhe nuk ka guxu as me shku me pyet (shokët e tij) për djalin e vet, kjo tregon se me kënd kemi pas të bëjmë.”- tha Latifaj në fjalën përfundimtare.
Pasi përfundoi fjalën përfundimtare avokati Florent Latifaj, i akuzuari Dibran Hoxha është duke vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare.
Kjo çështje penale është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Kujtim Krasniqi (kryetar i trupit gjykues), Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismaili (anëtarë).
Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024, të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Dosja e Prokurorisë
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V.C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të të akuzuarit “Cobra City”, në Prizren.
Sipas aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata të cilët e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, që rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsvyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Dibran Hoxha – Kobra, i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsvyatkova.
Dosja thotë më pas se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V.C., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë Prokuroria e ngarkon me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jesmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.
Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë link.