Foto: Facebook / Komuna e Drenasit
Auditori gjeti se Komuna e Drenasit nuk regjistroi pasuri të blera mbi 100,000 euro
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Drenasit në regjistrin e pasurive jo financiare nën 1,000 euro kishte pasuri të blera në vitin 2023 dhe 2024 për 117 njësi për tabela të mençura me vlerë 112,203 euro, të cilat nuk ishin regjistruar në regjistrin e-pasuria.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2024, Komuna e Drenasit kishte nënvlerësuar pasuritë jokapitale me vlerë nën 1,000 euro.
“Kjo ka ndodhur si rezultat i kontrolleve të dobëta në monitorimin dhe verifikimin e regjistrave të pasurisë” – thuhet në raportin e ZKA-së për Drenasin.
Auditorët kanë gjetur se mos regjistrimi i pasurisë, sipas kritereve të përcaktuara në rregullore për menaxhimin e pasurisë jo financiare, mund të ndikojë në humbjen apo tjetërsimin e pasurisë dhe prezantimin e informatave jo të plota në pasqyrat financiare vjetore.
Paragrafi 3 në nenin 6 të Rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore përcakton se “pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK [Sistemi Informativ i Menaxhimit Financiar të Kosovës], ndërsa pasuria jo kapitale dhe stoqet duhet të regjistrohet në sistemin “e-pasuria””.
Për rrjedhojë, ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Drenasit që duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme lidhur me regjistrimin e drejtë të pasurisë jofinanciare në pajtim me kriteret e rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare.
Komuna e Drenasit është pajtuar me këtë gjetje të Auditorit.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë opinion të kualifikuar Komunës së Drenasit në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2024. Opinioni i kualifikuar është opinioni i dytë më i mirë që iu jepet institucioneve pas opinionit të pamodifikuar. Ky opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në pasqyrat financiare.
Baza e opinionit të kualifikuar të ZKA-së për Komunën e Drenasit kanë qenë gjetjet si: keqklasifikimi i shpenzimeve, nënvlerësimi i pasurive jokapitale, mangësi në pranimin e shërbimeve, mangësi në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit, tejkalime kontraktuale dhe mangësi në fushën e të hyrave.
Në raportin e vitit 2024, Komuna e Drenasit ka marrë 11 rekomandime, prej tyre 7 janë rekomandime të reja dhe 4 të përsëritura.
Zyra Kombëtare e Auditimit në vitin 2023 i kishte dhënë Komunës së Drenasit kishte marrë 5 rekomandime kryesore. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2024, një rekomandim është zbatuar dhe 4 nuk janë adresuar ende.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Drenasit në vitin 2024 mund të gjeni KËTU.