Arrest shtëpiak për Kryeinspektorin e Punës Hekuran Nikçi dhe Naim Shalakun
Gjykata e Prishtinës e ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Kryeinspektorit i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në po këtë institucion, Naim Shalakut.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka vendosur që ndaj të dyshuarve të shqiptoj masën e arrestit shtëpiak.
KALLXO.COM më 27.02.2025 ka raportuar se Kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në po këtë institucion, Naim Shalaku ishin ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit.
Ndalimi i tyre me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda – sipas Prokurorisë – ka ndodhur për shkak të dyshimit se i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “përdorim i paautorizuar i pasurisë.”
Ndërsa, siç thekson më tej Prokuroria, i dyshuari Naim Shalaku është ndaluar për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.