Aktakuzë për dallavere me patentë-shoferë dhe ndaj anëtarëve të komisionit për kërkesa të licensimit
Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për dallavere me patentë shoferë.
Të akuzuarit ngarkohen për vepra penale si, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrja e ryshfetit në vlerë deri në 200 euro.
Sipas Prokurorisë, e akuzuara A. B. si instruktor në një autoshkollë ka pranuar nga e dëmtuara 200 euro në mënyrë që t`i mundësohet kalimi i testit praktik të vozitjes.
“Sipas aktakuzës, e pandehura A. B., në cilësinë e personit zyrtar – instruktore në auto-shkollën “A. B, A. F.”, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka pranuar dobinë pasurore nga e dëmtuara në shumën prej 200.00 (dyqind) euro, në mënyrë që kësaj të fundit t’i mundësohet kalimi i testit praktik të vozitjes. Me këto veprime e pandehura A. B., ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ sipas KPRK-së”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në këtë rast të akuzuar sipas njoftimit janë edhe E. Q., F. S., S. M. dhe V. V. akuzohen se më datë 04.04.2025 si anëtarë të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për licencim dhe ndryshim të kushteve hapësinore në auto shkolla me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm i kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
“Po ashtu, të pandehurit F. S., E. Q., S. M. dhe V. V., që nga data 04.04.2025, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me kërkesat për licencim dhe ndryshim të kushteve hapësinore të auto-shkollave, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe me dijeni të plotë, kanë tejkaluar kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore, me qëllim që të përfitojnë dobi materiale në mënyrë të kundërligjshme. Me këto veprime, të pandehurit F. S., E. Q., S. M. dhe V. V., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”- thuhet bnë njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.
Për të dyshuarin E. L. njoftimi i prokurorisë thotë se janë pushuar pjesërisht hetimet në drejtim të veprës penale të marrjes së ryshfetit.