Prokuroria Themelore në Pejë
Aktakuzë ndaj zyrtarit të Ministrisë dhe ndaj pronarit të kompanisë "Sallahu", dyshohen për keqpërdorim të detyrës dhe mashtrim lidhur me punimet në rrugën e Rugovës
Prokuroria e Pejës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet N.L. dhe L.S., të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik, si dhe ndaj kompanisë “Sallahu” Sh.P.K. për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik lidhur me punimet në rrugën e Rugovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, N.L. në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Mjedisit, si menaxher i kontratës për mbikëqyrjen e punimeve, akuzohet se nuk i ka përmbushur detyrat duke i aprovuar pagesat në mënyrë të kundërligjshme kompanisë në fjalë.
Kurse, i akuzuari tjetër, L.S., pronar dhe person përgjegjës i kompanisë, akuzohet se nuk i ka përmbushur detyrimet sipas kontratës së datës 29.11.2021 të prokurimit publik për rehabilitimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë-Çakorr.
Sipas aktakuzës, i pandehuri me dashje dhe pa të drejtë më datë 05.05.2022 kishte kërkuar nga Ministria që t’i paguhet shuma e parave, me ç’rast shuma e përfitimit të kundërligjshëm sipas ekspertizës është 196,234.21 euro.
“I pandehuri, L.S, pronar i operatorit ekonomik “Sallahu” Sh.P.K, sipas aktakuzës, në cilësinë e punëkryesit lidhur me kontratën nr. 054/2021 me nr. prokurimi MI-205-21-5465-5-1-1 të datës 29.11.2021, për rehabilitimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë-Çakorr, duke shkelur nenin 65 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, nuk i ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, kontratë kjo e lidhur mes operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K dhe autoritetit kontraktues MMPHI me datën 29.11.2021 dhe duke mos përfillur para masat e kësaj kontrate, me dashje dhe pa të drejtë me datën 05.05.2022, ka kërkuar nga MMPHI që ti paguhet shuma e parave, ku shuma e përfitimit të kundërligjshëm sipas plotësimit të ekspertizës së ekspertëve gjyqësor të datës 07.05.2024, është 196,234.21 euro.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.