Aktakuzë ndaj babait për vrasjen me thikë të vajzës së tij në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M. G., shtetas turk, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
M. G. më 6 maj të vitit 2025, dyshohet se ka privuar nga jeta njërën vajzë, ka plagosur tjetrën vajzë dhe gruan e tij, me të cilat jetonte në një banesë në Prizren, në kohen kur ato ishin në gjumë.
Sipas aktakuzës, më 6 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku i pandehuri jetonte bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, M. G. “me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht vajzën e tij, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit, menjëherë pas kryerjes së ritualit të faljes së namazit, i pandehuri me dashje ka marrë një thikë kuzhine me gjatësi të tehut rreth 23 centimetra, të cilën familja e përdorte për prerjen e mishit, dhe niset në drejtim të sallonit të banesës, ku ishin duke fjetur vajzat e tij, viktima Sh. G., dhe e dëmtuara A. R.”.
Aktakuza thekson se “i pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh. G., duke e prerë në qafë.” Në momentin kur viktima fillon të bërtasë, “zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A. G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij.
I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës.” Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja R. G., e cila tenton ta ndalojë të pandehurin dhe gjatë kësaj “pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë”.
Sipas Prokurorisë së Prizrenit, pas një përleshjeje të shkurtër, “e dëmtuara R. G., arrinë ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë.” Ndërkaq, si pasojë e plagëve të marra, viktima Sh.G., “ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.
Prokuroria sqaron se me këto veprime, M. G. “ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ sipas KPRK-së”.
Prokurori i çështjes ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, “i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”.
Për këtë rast KALLXO.com kishte raportuar më 6 dhe 7 maj, duke ndarë detaje nga kërkesa për paraburgim ndaj shtetasit turk.
Në kërkesën të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, thuhej se fillimisht i dyshuari rreth 45 vjeçar fillimisht kishte sulmuar me thikë vajzën 14 vjeçare, e më pas kishte sulmuar edhe vajzën tjetër 10 vjeçare.
“…më pas me të njëjtën thikë e godet në pjesë të qafës të dëmtuarën 10-vjeçare, së cilës i shkakton lëndime të rënda trupore dhe më pas me të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, në pjesë të fytyrës dhe të duarve, duke i thënë fjalët: vajzat tona duhet të vdesin dhe të gjithë duhet të shkojmë në xhenet. Unë do të mbys edhe ty, e pastaj edhe veten”- thuhej mes të tjerash në Kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për caktim të masës së paraburgimit të datës 7 maj 2025.