Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
A i ndalin gjobat e PZAP-it partitë politike nga përdorimi i gjuhës fyese?
Fushata zgjedhore për Zgjedhjet parlamenatare në Kosovë, e zhvilluar në fillim të këtij viti, u karakterizua me një dinamkë të gjuhës fyese dhe ofenduese në mes garuesve politik në vend. Fjalimet në tubimet e partive politike ishin të mbushura me gjuhë të urrejtjes e ofendime për njëri-tjetrin. Të njëjtat duke u shpërndarë edhe nëpër rrjete sociale me të madhe.
Në tubimet e politikanëve, por edhe në publikimet e tyre në rrjete sociale, u përdorën fjalë ofenduese e një retorikë dehuminazuese, krahasime të personaliteteve me miza e Adolf Hitlerin.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme Ankesat për shkeljet e pretenduara të Kodit të Sjelljes për subjektet politike paraqiten në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që është autoriteti kompetent për shqiptimin e sanksioneve për subjektet politike të certifikuara.
Subjektet garuese në Zgjedhjet e shkurtit u dënuan me mijëra euro nga PZAP-i, për fjalimet dhe postimet e kandidatëve e zyrtarëve, që u cilësuan si gjuhë e urrejtjes.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka gjetur se Lëvizja Vetëvendosja (LVV) është dënuar 19 herë nga PZAP, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 6 herë, e ndjekur nga Koalicioni për Familjen me 6 dënime; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 3 dënime, Lista Serbe është dënuar me 1 Vendim, LDK e ka 1 dënim, Partia Liberale Egjiptiane 2 dënime nga PZAP dhe partia IRDK është e dënuar me një Vendim.
Vlera totale e gjobave të shqiptuara nga PZAP kalon 650,000 euro.
“Gjatë këtij procesi zgjedhor PZAP ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 651,100.00 euro.” – ka konfirmuar PZAP për BIRN.
Anipse gjobat për partitë politike janë konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme, disa nga to kanë zgjedhur të mos i paguajnë.
“PZAP ju njofton se disa nga subjektet politike kanë paguar gjobat.” – thonë ata.
Në Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 shuma e gjobave nga PZAP për LVV është 212,500 euro, që nuk i ka paguar asnjë. PDK ka 144,500 euro gjoba të papaguara. LDK i ka paguar 65,000 euro nga shuma totale e gjobave 136,600 euro. AAK-NISMA ka shumën totale të gjobave 72,300 euro dhe “‘Slobodu, Pravdu i Opstanak’ (Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë) i ka 3,500 euro gjoba të papaguara nga PZAP.
Për partitë që nuk i kanë paguar gjobat e PZAP-it Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë Vendim për të bërë ndalesat e gjobave të papaguara për subjektet politike që përfitojnë nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2025.
Vendimi i KQZ-së i marrë në mbledhjen e 25.05.2025 u bë e ditur se do të aplikohet për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate dhe partinë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
PZAP deklaroi se në rast se një subjekt politik nuk i paguan gjobat, përveç që nuk mund të certifikohet për pjesëmarrje në Zgjedhje, ajo mund të iniciojë procedurën përmes përmbaruesit privat.
Profesori universitar Gëzim Qerimi thekson për BIRN rreth gjobave të konsiderueshme të dhëna nga PZAP, se nëse nuk vendosen rregulla të qarta dhe sanksione të zbatuara në mënyrë rigoroze, fushatat elektorale në vend rrezikojnë të shndërrohen gjithnjë e më shumë në gara për diskreditim, e jo për përfaqësim.
Qerimi nënvizon se rrjetet sociale kanë luajtur një rol kritik në përhahpjen e gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës, duke deklaruar se ato u shëndrruan në një platformë të pakontrolluar për amplifikimin e përmbajtjeve fyese, shpifëse dhe polarizuese.
“Përdoruesit, përmes shpërndarjeve, komenteve dhe reagimeve janë bërë pa vetëdije pjesë aktive e përhapjes së një kulture komunikimi që ushqen ndarjet shoqërore. Efekti domino është i qartë: një klimë e tensionuar, e mbushur me armiqësi, ku vlerat demokratike zëvendësohen nga retorika agresive dhe diskualifikuese. Kjo ka krijuar një normalizim të fyerjes si mjet politik, sidomos te të rinjtë të cilët janë përdoruesit më të mëdhenj të rrjeteve.” – tha ai për BIRN.
Dy muaj pas Zgjedhjeve Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese publikoi Raportin “Gjuha e Urrejtjes dhe Dezinformimi gjatë Zgjedhjeve të vitit 2025 në Kosovë”.
Raporti gjeti se rrjetet sociale luajtën një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes që synonte kandidatët zgjedhor, median dhe analistët politik. Më së shumti në postimet e fokusuara te vetë kandidatët.
Profesori Gëzim Qerimi thotë se mungesa e filtrit etik në raportim nga një pjesë e mediave dhe mungesa totale e kontrollit në rrjetet sociale kanë bërë që përmbajtjet fyese dhe provokuese të përhapen më shpejt dhe të shpërblehen përmes algoritmeve të angazhimit.
“Pra, Zgjedhjet e 2025-tës dëshmuan se demokracia e brishtë është lehtë e cenueshme, kur mungojnë standardet komunikative dhe kur mungon etika politike.” – deklaroi ai.
Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se materialet që u publikuan në media dhe në rrjete sociale, për të cilat partitë politike u gjobitën, nuk u larguan nga kandidatët dhe partitë politike.