Foto: ‘DokuFest’.
Yll Limani i dhuron dhjetë mijë euro për kinemanë solare të ‘DokuFestit’
Këngëtari i njohur Yll Limani i ka dhuruar 10 mijë euro për të mbështetur projekti e kinemasë solare, “DokuFest Green Cinema” të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, që po mbahet në Prizren.
Dhurimin e këtij donacion, “DokuFest” e bëri publikë pak orë pasi Limani të ngjitet, të premten (më 08.08.2025) në skenën e “DokuNights” pas orës 22:30.
“DokuFesti” ka bërë të ditur se ka mirëpritur kontributin Limanit për projektin “DokuFest Green Cinema”, ku ai ka dhuruar 10,000 euro për të ndihmuar në realizimin e vizionit për një kinema plotësisht të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.
“Prej vitesh, projekti ynë Solar Cinema, i shpërblyer me çmime dhe shumë i dashur për publikun, ka sjellë shfaqje filmash në ambiente të hapura dhe falas për audienca të gjera, deri në zonat më të largëta të Kosovës. Tani jemi të lumtur të hapim një kapitull të ri me ‘DokuFest Green Cinema’, një projekt që do të mbështetet tërësisht në energji të pastër dhe që ka në thelb të tij kujdesin për mjedisin”- thuhet në njoftimin e “DokuFesti”.
Projekti për kinemanë solare i “DokuFestit” mbetet i hapur për donacione nga artistë, partnerë, kompani dhe njerëz që duan t’i bashkohen kësaj lëvizjeje dhe besimit tonë se kinemaja nuk ka vetëm fuqinë të pasqyrojë botën por edhe ta ndryshojë atë.
Edicioni i 24-të do të mbahet deri më 9 gusht 2025.