Foto: DokuFest
'Luftë e përhershme’: Festivali dokumentar i Kosovës adreson epokën e konfliktit
Me dokumentarë që ekzaminojnë një botë të dërmuar prej luftës dhe lakmisë – prej Ukrainës deri në Palestinë dhe pasojat e pastajme në Kosovë dhe Bosnjë – DokuFesti është munduar të ofronte një antidot ndaj ndjenjës së pafuqisë kundrejt tmerrit.
Ura historike e gurit në qytetin jugor të Kosovës, Prizren, ka më shumë kalimtarë se kurrë në javën e parë të gushtit, teksa turistët trupojnë drejt pjesës së vjetër të qytetit, duke u ndalur të shkrepin ndonjë fotografi pa ua vënë syrin qenve endacakë dhe fëmijëve lypsarë rreth e qark.
Përballë saj, në një tjetër urë me pamje kah kalaja e vjetër e Prizrenit në krye të kodrës pranë, organizatorët festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest kanë vendosur një baner me sloganin “Power the mind, not the void” (Fuqizoje mendjen, jo boshllëkun).
Slogani plotëson temën disi të pazakonshme të edicionit të sivjetmë të DokuFestit, “Lakmi e pafundme, boshllëk mendor”.

Veton Nurkollari, drejtor artistik i DokuFestit, ka shpjeguar se “tema nuk është aso standarde, nuk është një fjalë, ose shprehje, por një mori fjalësh, të palidhur në shikim të parë. Më fort është një përfundim, sikur vizitoni mjekun dhe të japin një diagnozë.
“Është një diagnozë e shkallës së çmendurisë që ekziston në botë, çfarë zbrazëtie ekziston në botë dhe pse. Ne e quajmë diagnozë e situatës, jo vetëm këtu (në Kosovë), por edhe në botë, e një paaftësie për të shprehur veten), por edhe një revoltë kundër një hise të madhe të shoqërive në botë pse kanë kthyer shpinën, ose pse nuk reagojnë a nuk janë në gjendje të flasin për padrejtësitë e botës”, ka thënë Nurkollari për BIRN-in.
Edicioni i sivjetmë, i 24-ti DokuFestit, që do të vazhdojë deri më 9 gusht, ka përfshirë filma që qendërsohen në konfliktet nga Ukraina deri në Palestinë, duke zhbiruar njëherësh telashet dhe pasojat e luftërave në Bosnjë dhe në vetë Kosovën.
Duke bërë të ditur temën, organizatorët kanë thënë se kanë zgjedhur këtë temë për shkak se “reflekton frymën e kohës tonë të dominuar prej luftës, apatisë dhe boshllëkut emocional të përhershëm”.
Të dëshmosh me sytë e tu

Nurkollari ka shpjeguar se megjithëse ka DJ dhe bende që bëjnë muzikë natën, si dhe aktivitete për fëmijë e debate në DokuFest, “në thelb, ne jemi një festival filmi dhe një pjesë e mirë (e programit) janë filma dokumentarë, që në shumicën e rasteve merren me realitetin.
“E pashmangshme është përfshirja e luftërave që po zhvillohen”, ka thënë ai, duke kujtuar se edicionit i vjetëm i festivalit i kushtoi vëmendje të veçantë pushtimit të plotë të Ukrainës, pushtimit të vazhdueshme të Palestinës nga Izraeli dhe reperkusionet e sulmeve ndaj Gazës.
“Sivjet, përsëri, kemi filma nga Ukraina, sepse konflikti ende po zhvillohet, përsëri kemi filma nga Palestina sepse atje po zhvillohet një konflikt i madh”, ka thënë ai.
Njëri prej tyre ishte ai i Julieta Le Monnyerit, artiste vizuale dhe regjisore me qëndrim në Bruksel, që ishte pjesë e programit të dokumentarëve të shkurtër ndërkombëtarë të DokuFestit. Filmi i saj, “Ramallah, Palestine, December 2018” (Ramallah, Palestinë, Dhjetor 2018), përthekon pamjet e paredaktuara të konfrontimit të dhunshëm të ushtarëve izraelitë me palestinezët vendas në Ramallah në Bregun Perëndimor të Palestinës.

“Kur shkova në Palestinë, fillimisht nuk e mendova xhirimin e filmit, por të punoja si asistente e dy artistëve vizualë palestinezë, emrat e të cilëve nuk i përmend për arsye privatësie. Gjatë përjetimit të përditshëm të pushtimit ilegal të territorit palestinez prej ushtrisë izraelite, me krejt postblloqet e veta, poshtërimet dhe skenat e saj të dhunshëm, atëherë nisa të xhiroja”, ka thënë Le Monnye për BIRN-in.
Procesi do të përshkohej me shumë rreziqe. “Gjatë filmimit, pati një situatë të rrezikut të mundshëm për shkak dhunës së xhiruar, që më shtyri të ndalja filmimit pasi u shkrep municion i vërtetë, dhe që të strehohesha në një klasë me banorët e tjerë të ndërtesës”, ka treguar Monyyer.
Pas kthimit në vendlindje, ndau mendjen që të bënte një film me pamjet e xhiruara. Mori mbështetjen e punëtorisë së produksionit me seli në Bruksel, “Atelier Graphoui, që ia ofroi mundësinë që ta kryente filmin. Kërkimi dhe gjetja e fondeve, sidomos për film ame ndjeshmëri të madhe politike, është çështje sfiduese në këtë sektor.
“Ne përballim pandëshkueshmërinë”

Nurkollari ka thënë se DokuFesti shpreson se do të vë në pah padrejtësitë dhe se do t’i trimërojë njerëzit të mos rrinë duarkryq.
“Kemi bërë një përpjekje që t’u tregojmë individëve në botë se duhet të reagojnë më shumë kundër shumë padrejtësive në botë. Është jashtëzakonisht shqetësuese sesa shumë padrejtësi ka në botë në këtë moment dhe sesa pak po bëhet për adresimin e këtyre padrejtësive”, ka thënë ai.
“Ne jemi bërë tepër indiferentë duke kaluar në ekran prej një lajmi në lajmin tjetër të zi dhe pastaj në një vallëzim të mirë në TikTok, dhe ky na është kthyer në një realitet të hidhur dhe rehati të padurueshme, sa lehtë i anashkalojmë pamjet dhe kalojmë në ekranin e celularit nëpër shumë gjëra, për të cilat ne do të duhej të reagonim dhe të bënim më shumë”.

Le Monnyer beson se “realizimi i filmit në përgjithësi, dhe dokumentarët në veçanti, kanë fuqinë të dëshmojnë, të na përballin me realitetet që nganjëherë janë padukshme, ose për të cilat dihet tepër pak”.
“Me dëshmim, dokumentim, besoj se ne konfrontojmë pandëshkueshmërinë, dhe bëjmë thirrje për drejtësi”, ka shtuar ajo, duke shprehur shpresën se filma të kësollojshëm do t’i inkurajojnë qeveritë në Europë që “të ndërmarrin veprime konkrete në favor të një armëpushimi dhe sanksioneve të menjëhershme”.
Trashëgimia e konflikt

Nurkollari ka thënë se ka pasur rritje të interesimit për “filmat që fokusohen në arkiva” – një trend i reflektuar në programin “Balkan Dox” të DokuFestit, ku janë shfaqur filma që “reflektojnë të kaluarën”.
Marko Grba Singh, regjisor me qëndrim në Beograd, ka marrë pjesë në këtë program, me filmin “Qyteti i ndarë i Mitrovicës”, ku përshkruhet ndarja e qytetit etnikisht në Kosovën veriore dhe rrënojat nga lufta e fundviteve nëntëdhjetë. Filmi shtron narracionin e dy poemave për nënat që po japin shpirt, bazuar në një libër të bashkëbotuar prej qendrës kulturore, “7-Arte” në Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare dhe qendrës kulturore, “Aquarius” në Mitrovicën Verore me shumicë serbe.
Grba Singh i ka thënë BIRN-it se vizitoi Mitrovicën përherë të parë para dy vjetësh, dhe se përshtypja e parë ishte se “dy bashkësi qartazi nuk ndërvepronin me njëra-tjetrën”. Me këtë film, ka thënë ai, “ndau mendjen që ta përçonte këtë ndjenjë boshllëku”.
Pengesa kryesore gjatë filmimit ishte mungesa e besimit ndërmjet dy bashkësive, që ai e përdori eventualisht për hesap të vetin, sepse, ka shpjeguar ai, “filmi ka për thelb mungesën e komunikimit”.

“Pjesa e parë e filmit ngërthen aktualisht disa pamje të shtëpive të thata, ose të shtëpive të shkatërruara, që nuk janë rindërtuar pas luftës, përzier me dy poema”, ka thënë ai.
“Duhet të jetoni me të gjallët, jo me të vdekurit”, ka vazhduar ai, duke recituar përfundimin e njërës prej poemave. “Andaj, do të thosha, mesazhi ideal është që të kthejmë shikimin kah e ardhmja dhe të rrekemi të bëjmë diçka konstruktive prej të ardhmes dhe të mos ngecim në të kaluarën”.
Një tjetër film i “Balkan Doxit” të DokuFestit ishte “The Track” (Shtegu) i Ryan Sidhoos, regjisor dhe producent kanadezo-polak, që thelbëson situatën në Bosnjën e pasluftës.
“The Track” është një histori e rinisë që përfshin tre tinejxherë, Mirza, Zlatan dhe Hamza, duke ushtruar në shtegun e labirinttë të sajave, relikt i Olimpiadës Dimërore, “Sarajeva 1984”, nën instruksionet e trajnerit Senad. Trajneri është e përkushtuar që ta rindërtojë shtegun derisa rioshët luftojnë fort për jetësimin e ëndrrave të tyre olimpike.

Sidho ka shpjeguar se më 2016, “krejt rastësisht”, i pa ata duke ushtruar derisa ishte në kërkim të gjetjes së infrastrukturës së mbetur prej Lojëra Dimërore.
“Kur pashë njerëz që po e përdornin shtegun, atëherë më shkrepi ideja – e dija që duhej ta dokumentoja. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, ‘The Track’ është produkti përfundimtar i këtij shtegtimi”, ka theksuar ai.
Sidhoo beson se filmi tregon se “pavarësisht a është konflikt i armatosur, përçarje politike apo edhe mosmarrëveshje personale në shkallë të vogël, ndikimi nuk merr fund me ndaljen e luftimeve. Ai zgjat – dhe pasojat emocionale dhe sociale mund të zgjasin ndër breza”, i ka thënë ai BIRN-it.
“Kjo është ajo për çfarë shpresoj se audienca në mbarë botën të mund të reflektojë, veçanërisht në frymën e sotme ku kemi kaq shumë ndasi të panevojshme”.
DokuFest 2025 do të vazhdojë deri më 9 gusht në vende të ndryshme në Prizren.
Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.
Nga anglishtja: Rexhep Maloku