Të enjten hapet ekspozita e Festivalit Ndërkombëtar të Posterit ‘Prishtina 2025’
Me temën “Demokracia” hapet sonte më 20.11.2025, ekspozita zyrtare e Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2025”.
Festivali hapet në ora 19:00 në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Fakulteti i Arteve i UP-së ka njoftuar se edicioni i vitit 2025, e kthen këtë festival në një platformë reflektimi vizual mbi mënyrën se si demokracia jetohet, sfidohet dhe riformësohet sot, sidomos në Ballkanin Perëndimor, ku, siç thuhet më tej në njoftim, tranzicioni politik, kujtesa kolektive dhe aspiratat europiane vazhdojnë të ndikojnë realitetin shoqëror.
“Ekspozita sjell punime nga artistë, dizajnerë, studentë dhe aktivistë nga mbarë bota, të cilët përmes gjuhës së posterit adresojnë çështje si pjesëmarrja qytetare, liria e medias, korrupsioni, përkatësia, kujtesa dhe shpresa. Këto posterë ndërtojnë një portret të një rajoni në dialog të vazhdueshëm me vetveten dhe me botën duke ekspozuar sfidat, por edhe energjinë transformuese të demokracisë”- thuhet në njoftim.
Në një kohë kur vlerat demokratike janë nën presion global, thuhet më tej në njoftim, “Prishtina 2025” e vendos posterin si medium të mendimit kritik, rezistencës vizuale dhe angazhimit qytetar.
“Përmes kësaj ekspozite, arti rifiton rolin e tij publik: të pyesë, të kujtojë dhe të imagjinojë”- thuhet në njoftimin e FA të UP-së.
Ekspozita e festivalit të posterit “Prishtina 2025” është kuruar nga Rikke Hansen.
