Pasi e mori në administrim, GKK njofton për fillimin e Programit në Galerinë "Qafa"
Nga nëntori i vitit 2024, Galeria e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (GMK), që ndodhet në Kompleksin e banimit “Qafa” (Rruga UÇK) në Prishtinë, ka kaluar në administrim të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Me emërtim të ri Galeria Kombëtare e Kosovës – Qafa (GKK – Qafa), si pjesë përbërëse e GKK-së, më 30.04.2025, do të nisë Programin për vitin 2025.
GKK – Qafa, sipas njoftimit, e nis Programin e saj për vitin 2025 me ekspozitën personale “Shtëpia Mbi Kodër” të Valdrin Thaqit, që hapet më 30.04.2025.
Përmes një njoftimi për media, GKK njofton se kjo Galeri do të vazhdojë punën si një platformë eksperimentale dhe avangarde për artin bashkëkohor, me fokus në mbështetjen e artistëve të rinj, komisionimin e veprave të reja dhe organizimin e ekspozitave të para personale ndër të tjera – siç thuhet në njoftim duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe prezantimin e praktikave të ndryshme artistike.
GKK – Qafa e nis Programin e saj me ekspozitën personale të Valdrin Thaqit, me tekst nga Erka Shalari, e cilat hapet të mërkurën, më 30.04.2025. Kurse, gjatë vitit në Programin e kësaj Galerie do të prezantohen edhe ekspozitat personale të Blerim Rracajt dhe Kemil Bektes, një ekspozitë nga koleksioni i GKK-së dhe ekspozita Artistët e Rinj.” – thuhet në njoftim.
Aktualisht në GKK është e hapur ekspozita “Fuqia e dëshirës” e Jetmir Idrizit, e cila mbyllet më 11.06.2025, e që sipas njoftimit është ekspozita e fundit para se objekti i GKK-së të shkojë në renovim.
E themeluar në maj të vitit 2000, Galeria e Ministrisë së MKRS-së (pjesë e Departamentit të Kulturës), tash GKK – Qafa, fillimisht në ndërtesën e Qeverisë dhe më pas nga shtatori i po atij viti u zhvendos në ambientet e Kompleksit Qafa, më 14.11.2024, kaloi në administrim të GKK-së.
Vendimi për këtë u mor nga ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, më 14.11.2024.
Si arsye për kalim të kësaj Galerie në menaxhim të GKK-së, sipas Vendimit është se Ligji për Artin dhe Kulturën nuk e parasheh funksionimin e kësaj Galerie dhe si e tillë nuk mund të ketë status ligjor. Sipas Vendimit, ky Ligj ka përcaktuar institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, si: TKK-në, Operën, Baleti dhe Ansamblin Popullor, Filharmoninë, Bibliotekën Kombëtare, Qendrën Kinematografike, Muzeun e Artit Bashkëkohor e GKK-në.
“Lista e institucioneve të artit dhe kulturës është shteruese dhe nuk operon me njësi paralele të të njëjtit fushëveprim. Rrjedhimisht Galeria e MKRS-së nuk mund të ketë status ligjor dhe si e tillë nuk mund të zhvillojë veprimtarinë.” – thuhet në Vendimin e nënshkruar nga ministri Çeku.
Objekti i GKK – Qafa është rinovuar rishtas dhe sipas GKK-së ofron kushte më të përshtatshme për ekspozim – duke përfshirë një sistem të përmirësuar ndriçimi dhe klimatizimi që mundëson prezantimin optimal të veprave të artit.