Tryeza ‘E drejta e autorit dhe bibliotekat’. Foto: KALLXO.com.
Java e Bibliotekës në Kosovë, diskutohet për të drejtat e autorit dhe bibliotekat
Problematika e të drejtave të autorit dhe ndërlidhja me bibliotekat janë diskutuar të enjten, më 09.10.2025, në kuadër të Javës së Bibliotekës që po mbahet në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Gjatë tryezës me temën “E drejta e autorit dhe bibliotekat”, botues, bibliotekarë e ekspertë të fushës folën edhe lidhur me gjendjen e të drejtave të autorit në Kosovë, dhe për ndikimin që kanë bibliotekat në respektimin e të drejtave të autorit.
Sipas tyre, bibliotekat ndikojnë në përmirësimin e të drejtave të autorit duke blerë librat nga botues të ligjshëm.
Por, Nazmi Rrahmani, shkrimtar e botues, tha për KALLXO.com se shumë prej bibliotekave për shkak të gjendjes financiare nuk blejnë libra me vite.
Madje, Rrahmani thot se ka raste kur bibliotekat blejnë libra pa të drejta të autorit apo të fotokopjuar, duke dëmtuar kështu të drejtat e autorit.
“Ka biblioteka, jo të gjitha, të cilat i blejnë librat e printuar dhe të fotokopjuar për arsye se kanë kosto më të lirë. Kjo ka ndodhur shumë, ndodh sidomos me pjesën e lekturës shkollore që është në tirazhe më të mëdha”- ka thënë ai.
Në përgjithësi, sipas Rrahmanit, gjendja e të drejtave të autorit në vend nuk është e mirë, veçanërisht për shkak të vështirësive financiare të botuesve kosovarë. Por, edhe shitjes së librit.
Florin Lata, ekspert në fushën e të drejtës së autorit, tha se ka pak interesim nga krijues apo botues për të mbrojtur të drejtat e tyre të garantuara me ligj.
E kjo sipas tij vjen qoftë për shkak të mungesës financiare apo mosinformimit të duhur për të drejtat e tyre.
“Besoj se problemi kryesor aktualisht është tek financat, pra nuk kanë asnjë arsye tjetër, veprën e tyre ata e konsiderojnë si fëmijë të vetin, por kur ajo kushton, u merr shumë kohë, energji, ndonjëherë edhe mungesës së njohurive ligjore. Por, shfrytëzoj rastin të njoftoj se këto raste i trajton Gjykata Komerciale, dhe që trajtohen pak më shpejt”- thot ai.
Blerina Rogova-Gaxha, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, thot se kjo Bibliotekë ka nevojë për krijimin e një rregulloreje për mbrojtjen e të drejtave të saja ligjore.
Drejtoresha Rogova-Gaxha shton se Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” është e kujdesshme që në çdo kohë të blejë libra nga botues që kanë marrëveshje me krijuesit.
“Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” pikërisht me inkuadrimin e këtij paneli të diskutimit gjatë Javës së Bibliotekës jep fokus për nevojën që biblioteka ka në krijimin e një draft-rregulloreje që mbron veten si institucion karshi të drejtës së autorit”- tha ajo, duke shtuar se Biblioteka që drejton ajo ka nevojë për një rregullore për mbrojtjen e saj ligjore, hartimin e infrastrukturës ligjore duke pasur parasysh procesin e digjitalizimit që po ndodh në këtë Bibliotekë.
Java e Bibliotekës ka nisur më 6 tetor dhe mbyllet të shtunën, më 11 tetor.
Gjatë kësaj jave janë organizuar aktivitete të ndryshme lidhur me bibliotekat, funksionimin, procesin e digjitalizimit të fondit të tyre e aktivitete të tjera.
Java e Bibliotekës në Kosovë organizohet nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”.
