Gjyqtari i sapoemëruar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban(i dyti nga e majta) - Foto: ZPRK
Policia, AKI-ja dhe Prokuroria Speciale heshtin për Radomir Llabanin
Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në lidhje me pretendimet e ngritura nga presidentja Vjosa Osmani më 05.08.2025, sipas të cilave gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, paraqet “rrezik për rendin kushtetues të vendit”.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në këto tri institucione të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë, por që të tria kanë zgjedhur heshtjen.
Pyetjet drejtuar këtyre institucioneve kanë qenë lidhur me informacionet që posedojnë për Llabanin, nëse janë zhvilluar hetime më parë për të, apo nëse aktualisht është duke u hetuar ky gjyqtar nën dyshimet për rrezikim të sigurisë kombëtare të Kosovës.
Presidentja Osmani më 05.08.2025, njoftoi se ka tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Arsyeja ishte pikërisht caktimi i gjyqtarit raportues Radomir Llaban, i cili sipas saj ka veprimtari që paraqesin rrezik për rendin kushtetues në vend.
Presidentja deklaroi se informacionet për Llabanin i kishte marrë nga institucionet e sigurisë.
“Në përputhje me Ligjin per Gjykatën Kushtetuese, kam tërhequr kërkesën të paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për vepritmarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021, 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare” – ka thënë Osmani.
Osmani nuk ka dhënë detaje konkrete për veprimet e pretenduara të gjyqtarit Llaban, por ka thënë se informatat për veprimtarinë e tij janë dorëzuar në vitin 2018, 2021 dhe 2024, nga udhëheqës të ndryshëm të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
“Kjo nuk ka të bëjë me vlerësimet apo perceptimet e mia si presidente e Republikës, por ka të bëjë me informata zyrtare të institucioneve tona të sigurisë që i kanë dorëzuar para institucioneve të tjera tri herë radhazi. Njëherë i kanë dorëzuar në vitin 2018, njëherë në vitin 2021 dhe në vitin 2024, nga tre udhëheqës të ndryshëm të institucioneve të sigurisë” – ka thënë ajo.
“Për ne është shqetësuese se si përkundër ndarjes së informatave me Gjykatën Kushtetuese, pikërisht në rastin ndoshta më të rëndësishëm të dekadës, të caktohet gjyqtari për të cilin ka informata të tilla. Raportet e vitit 2021 dhe 2024 flasin për veprimtari të tij që ka të bëjë me rrezikimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezikim të sigurisë kombëtare të Kosovës. Pra po flasim për veprime të tij kundër Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Gjyqtari Llaban është i nacionalitetit serb. Siç ka deklaruar presidentja Osmani, ai deri më tani nuk figuron të ketë qenë raportues i ndonjë lëndë të karakterit të rendit dhe sigurisë nacionale.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dal me një sqarim pas tërheqjes së kërkesës së presidentes Osmani në këtë gjykatë me arsyetimin se raportues i lëndës është caktuar gjyqtari Llaban.
Kushtetuesja ka shpjeguar se ndarja e lëndëve bëhet në bazë të rregullave procedurale, të cilat i “respekton me përpikëri”.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës” – thuhet mes tjerash në njoftimin e GjK-së, më 06.08.2025.
Për gjyqtarin Llaban, Gjykata ka konfirmuar se ai ka qenë i punësuar aty që nga viti 2011 në pozitën e Këshilltar juridik dhe që nga 09.08.2018 është gjyqtar.
“Pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë” – thuhet tutje në njoftim.
Gjykata tutje shton se ajo është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës” – përfundon Gjykata.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti më 06.08.2025, foli për çështjen e gjyqtarit Llaban.
Kurti tha se Vetëvendosje që nga viti 2018 kanë qenë të informuar në lidhje me pretendimet ndaj gjyqtarit Llaban, por sipas tij, presidenti i atëhershëm dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme, nuk kanë parë të arsyeshme, “të ndalojnë procesin e zgjedhjes së Llabanit si anëtar i Gjykatës”.
“Deputetja jonë Albulena Haxhiu, në emër të grupit parlamentar- asokohe kur ishim në opozitë- i pat shkruar letër zyrës së presidentit, mirëpo fatkeqësisht as presidenti i atëhershëm në vitin 2018, e as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme, pra në vitin 2018 nuk e kanë parë të arsyeshme që ta ndalin një proces të tillë, sepse është absurde që dikush i cili sipas informacioneve që kemi nga institucionet tona të sigurisë, është i papërshtatshëm e me rrezik për rendin tonë kushtetues, tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese” – tha Kurti.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese në pikën 3 të Nenit 22, e përcakton që: “Sekretari [i Gjykatës] ia dërgon kërkesën dhe përgjigjen në kërkesë gjyqtarit raportues i cili përgatit raportin paraprak lidhur me faktet, lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës”. “Gjyqtari raportues caktohet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese sipas procedurës së përcaktuar në rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në ligj. Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese ndërkaq e përcakton që “gjyqtari raportues zgjidhet nëpërmjet sistemit elektronik të ndarjes së lëndëve”.
Megjithatë, sipas Rregullores, kryetari i GjK-së “ka diskrecion që t’ia caktojë një kërkesë të caktuar një gjyqtari të caktuar”. “Gjyqtari/ja raportues/e mund të kërkojë nga pala parashtruese, pala kundërshtare dhe palët e tjera në procedurë të paraqesin fakte, dokumente apo informata shtesë, nëse kjo është e nevojshme për të shqyrtuar kërkesën. Faktet, dokumentet apo informatat shtesë duhet të paraqiten brenda afatit të përcaktuar nga gjyqtari/ja raportues/e”, thuhet në pikën 5 të Rregullit 35 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
“Gjyqtari/ja raportues/e ia dorëzon raportin Sekretarisë, e cila, përmes sistemit elektronik të Iëndëve, ia përcjell kolegjit shqyrtues një kopje te raportit dhe kopjet e shkresave te Iëndës, qe përfshijnë kërkesën dhe përgjigjet dhe dokumentet e tjera shoqëruese te kërkesës. Nga një kopje e raportit u dërgohet gjithashtu te gjithë gjyqtareve tjerë dhe te cilët kane qasje ne te gjitha shkresat e Iendes”, thuhet në pikën 3 të Rregullit 36.