Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Oda Ekonomike ofron trajnim për Ekzaminer pa qenë të akredituar, kandidatët po paguajnë mbi 1,000 euro
Oda Ekonomike e Kosovës është duke ofruar trajnime për “Pyetës të Drejtimit” apo të njohur ndryshe si “Ekzaminer” për patentë-shofer – pa qenë të akredituar në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve dhe pa qenë të autorizuar nga Ministria e Infrastrukturës, si Ministri përgjegjëse.
Për këtë lloj trajnimi kandidatët janë duke paguar nga 1,190 euro, ndërsa thirrja për aplikim ishte publikuar në janar të këtij viti.
Trajnimi është i bazuar në një Memorandum të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Odës Ekonomike të Kosovës, të nënshkruar në vitin 2022, e ku i mundësohet Odës të ofrojë këtë lloj trajnimi – pa qenë të akredituar dhe të autorizuar.
Në një përgjigje për KALLXO.com Oda Ekonomike e ka pranuar se nuk janë të akredituar dhe as të autorizuar, por kanë thënë se ofrimi i trajnimit është i bazuar në Memorandumin e bashkëpunimit me MMPHI, si dhe në bazë të Ligjit për Sigurinë në Komunikacion rrugor – Ligj i cili është shfuqizuar në vitin 2016 nga Ligji për Patentë-shofer.
E, Memorandumi i MMPHI-së me Odën Ekonomike i nënshkruar në vitin 2022 është i bazuar në një Memorandum paraprak të vitit 2008 dhe një aneksi të vitit 2014.
“Në bazë të kësaj janë nënshkruar Memorandumet për të bërë organizimin e përbashkët të Trajnimeve për pyetës. Gjithashtu, në bazë të Marrëveshjes në mes të MMPHI-së dhe Odës Ekonomike të Kosovës, përkatësisht Neni 6, ofrimi i shërbimit të trajnimit për pyetës do të ofrohet, deri me rastin e autorizimit të një institucioni për kryerjen e trajnimit bazë për pyetës të drejtimit nga ana e Ministrisë.” – thuhet në përgjigjen e Odës Ekonomike.
Sipas Ligjit për Patentë-shofer institucionet që ofrojnë trajnime në fushën e patentë-shoferit duhet të jenë fillimisht të akredituara dhe më pas duhet të marrin autorizimin nga Ministria e Infrastrukturës.
“Subjekti i autorizuar për trajnime në fushën e patentë-shoferit është ai subjekt që është i akredituar nga Autoriteti kompetent i kualifikimeve. Subjektet e akredituara nga Paragrafi 1, i këtij Neni duhet të aplikojnë në Ministrinë përkatëse për Transport për marrjen e Autorizimit për mbajtjen e trajnimeve në fushën e patentë-shoferit.” – thuhet në Nenin 121 të Ligjit për Patentë-shofer.
Në këtë rast Oda Ekonomike nuk e ka as akreditimin nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe as autorizimin nga MMPHI.
Gjithashtu, edhe Udhëzimi Administrativ Nr. 21/2017 për mbajtjen e trajnimeve dhe seminareve në fushën e patentë-shoferit dhe Udhëzimi Administrativ Nr.09/2018 e kërkojnë që subjektet që ofrojnë trajnime duhet të jenë të akredituara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.
Tutje, Oda Ekonomike ka thënë se në vitin 2019 ka qenë “një bllokadë e organizmit të provimeve për patentë-shofer”, si rezultat i mungesës së ekzaminerëve.
Dhe, sipas tyre si rezultat i mungesës së ofruesve të akredituar, si zgjidhje ka qenë ofrimi i trajnimeve për Ekzaminer përmes Odës Ekonomike, edhe pse pa qenë të akredituar.
“Deri më tani ende nuk ka një institucion të akredituar dhe për këtë arsye është vazhduar. Trajnimi për Ekzaminer është periodik dhe nuk mund të ketë mbulesë financiare për të ndjekur procedurat akredituese.” – kanë thënë nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Mosakreditimin e Odës Ekonomike për ofrimin e trajnimit “Pyetës i Drejtimit” e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), që kanë bërë të ditur se Oda as nuk është në proces të akreditimit.
“Oda Ekonomike e Kosovës për trajnimin ‘Pyetës të drejtimit’ (Ekzaminer) nuk është e akredituar në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve. Në proces të riakreditimit është kualifikimi ‘Vlerësues i Pronave të Paluajtshme’ dhe në proces fillestar të akreditimit është kualifikimi ‘Instruktor i Shoferëve’ dhe ‘Vlerësues i Biznesit’.” – kanë konfirmuar nga AKK.
KALLXO.com ka kontaktuar me disa kandidatë të cilët janë duke ndjekur këtë lloj trajnimi.
Ata në kushte anonimiteti kanë bërë të ditur se janë duke paguar nga 1,190 euro, të ndara në tri këste, për këtë lloj trajnimi dhe se atyre i është thënë se pas përfundimit të trajnimit do të marrin certifikata në bazë të së cilës mund të aplikojnë në Ministrinë e Infrastrukturës për të i’u nënshtruar testimit/licensimit. Më pas përmes këtij licensimi ata do të mund të ushtrojnë profesionin e Ekzaminerit.
Në Nenin 5, Pika 2, të Marrëveshjes në mes të MMPHI-së dhe Odës Ekonomike thuhet se kandidatët të cilët fitojnë certifikatën nga trajnimi i Odës fitojnë të drejtën të aplikojnë për licensim në Ministri. Pas marrjes së licensave ata do të mund të ushtrojnë profesionin e Ekzaminerit.
“Kandidatët të cilët janë pajisur me certifikatë fitojnë të drejtën të aplikojnë në Ministri për t’iu nënshtruar provimit profesional (licensimit) për Pyetës të drejtimit.” – thuhet në këtë Nen të Marrëveshjes.
Në anën tjetër Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që ka nënshkruar Memorandumin me Odën Ekonomike dhe ka lejuar mbajtjen e një trajnimi të tillë, nuk ka kthyer përgjigje dhe nuk ka treguar se kush janë trajnerët e angazhuar për këtë trajnim; çfarë lloj certifikatash marrin kandidatët, pasi të përfundojnë trajnimin; cila është baza ligjore e mbajtjes së trajnimit; si dhe, cila është baza ligjore e lejimit të kandidatëve të cilët përfundojnë trajnimin t’i nënshtrohen testimit për licensim në MMPHI.
KALLXO.com i ka shkruar Ministrisë së Infrastrukturës më 12.05.2025, po për më shumë se 1 muaj e gjysmë nuk kanë kthyer përgjigje.