Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Me afat të shkurtuar, KQZ tenderon 40 mijë euro jashtë çdo planifikimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ], ka iniciuar një aktivitet të prokurimit në vlerë të parashikuar 40,000 euro, që fillimisht nuk ishte parashikuar në Buxhetin Vjetor të KQZ-së për vitin 2025, e as në Planin Përfundimtar të Prokurimit. Sipas sqarimit të dhënë nga vetë KQZ, ky aktivitet u shtua më vonë si rezultat i një rishikimi të brendshëm të buxhetit. Përveç kësaj, me arsyetimin e afatit të shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve, KQZ shkurtoi afatin për pranimin e tenderëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale në vend të cilat pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti.
Së fundmi KQZ ka njoftuar se ka iniciuar tender për blerjen e gjithsej 16,769 copë jelekë, ku përfshihet furnizimi, dhe printimi i mbishkrimeve të jelekëve për Zgjedhjet Lokale 2025.
Njoftimi për kontratë, në platformën elektronike për prokurimin publik “E-prokurimi”, u publikua më 18.08.2025.
Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 40,000 euro, ndërsa procedura e hapur e prokurimit është lloji i procedurës së përdorur në këtë aktivitet të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës- çmimi më i ulët.
Me afat të shkurtuar, KQZ inicioi tender jashtë çdo planifikimi
Tenderi për blerjen e jelekëve për zgjedhje lokale, nuk ishte buxhetuar e as planifikuar, mirëpo KQZ bëri rishikim të brendshëm të buxhetit.
“Ky aktivitet i prokurimit nuk ka qenë i planifikuar në planin përfundimtar të prokurimit dhe në buxhetin e KQZ për vitin 2025 mirëpo në rishikimin brendshëm të buxhetit të bërë nga KQZ më datë 23.07.2025 është përfshirë si aktivitet i prokurimit. Përdorimi i procedurave normale kohore është i pa mundur duke pas për bazë afatin e shkurtër kohor dhe datën e ofrimit te zgjedhjeve lokale dhe për ketë arsyeje kemi përdorur afatet kohore të përshpejtuara sipas nenit 46 te LPP-së”- thuhet në arsyetimin e KQZ-së.
Ndryshe, me Ligj dhe Rregullore, brenda 15 ditëve pas shpalljes së miratimit të buxhetit për vitin fiskal, secili Autoritet Kontraktues, i cili është autoritet publik ose ndërmarrje publik do të përgatitë dhe do të publikoj në ueb-faqen e Autoritetit përkatës Kontraktues dhe të njëjtin do të dorëzoj në Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Autoritetet Kontraktuese do të përdorin platformën elektronike për të dorëzuar planifikimin final të prokurimit në AQP.
Gjithashtu me Ligjin i Prokurimi Publik [LPP], secili autoritet kontraktues, në publikimin e aktivitetit të prokurimit publik është i obliguar të lë një periudhë kohore për pranimin e ofertave nga operatorët ekonomikë. Afatet dallojnë në bazë të vlerave të parashikuara të kontratës.
Ndërsa, rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore parashihen atëherë kur kërkojnë zbatimin e një aktiviteti të prokurimit në raste urgjente; (ii) e bëjnë të pamundur respektimin e afateve kohore të përcaktuara në Nenin 44 të këtij Ligji, ose nëse është e aplikueshme edhe në Nenin 45 të këtij Ligji.
Afati për pranimin e tenderëve është shkurtuar. Sipas njoftimit për kontratë, ofertat pranohen deri më 29.08.2025.
Ligji parasheh që për tenderët me vlerë mesatare, si ky, afati i dorëzimit të ofertave duhet të jetë 20 ditë, ndërsa në raste të veçanta lejohet afat i shkurtuar prej 10 ditësh.