Shkolla fillore e mesme e ulët "Xhemail Mustafa", Prishtinë, Foto: Lekë Rizvanolli/KALLXO.com
Në disa shkolla në kryeqytet u shkurtuan orët e mësimit për shkak të të ftohtit
Disa shkolla në kryeqytet janë duke mbajtur mësim me orar të shkurtuar për shkak të të ftohtit në klasë.
Drejtorët e disa të shkollave në Prishtinë që i ka kontaktuar KALLXO.com kanë treguar se shkollat e tyre ngrohen vetëm përmes ngrohtores “Termokos”.
Ndërsa, një ditë më parë, ndërmarrja “Termokos” njoftoi se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për ta nisur sezonin e ngrohjes, tetë ditë më herët se zakonisht. Sezoni i rregullt i “Termokosit” është nga 15 tetori deri më 15 prill.
Afërdita Uka-Fejzullahu, zëdhënëse e “Termokosit” ka thënë për KALLXO.com se kanë filluar ta marrin energjinë termike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe ta shpërndajnë në rrjetin e ngrohjes në qytetin e Prishtinës.
Sipas Uka-Fejzullahut, për arsye të rrezikut të dëmtimit të mundshëm të sistemit të ngrohjes, në rast se do të operonin menjëherë me temperatura të larta, në bashkëpunim të ngushtë me KEK-un kanë punuar me kujdes të shtuar duke e ngritur gradualisht kapacitetin dhe temperaturat e energjisë ngrohëse.
“Tashmë, një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve tanë kanë filluar ta vërejnë efektin e ngrohjes në radiatorët e tyre. Gjatë ditës ngrohja do të arrijë edhe tek pikat më larta dhe më të largëta të rrjetit të ngrohjes, Qarkullimi dhe arritja e ngrohjes nëpër radiatorët e konsumatorëve tanë është vështirësuar dukshëm, si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, me të cilat jemi përballur sot.” – thuhet në përgjigjen me shkrim të Afërdita Uka-Fejzullahut më 08.10.2025.
KALLXO.com ka siguruar njoftimin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri” në Prishtinë, në të cilin thuhej se për shkak të kushteve atmosferike klasat 0-5 mbajnë nga 3 orë mësimore, ndërsa klasat 6-9 nga pesë orë mësimore.
Merita Haxhiu, drejtoreshë në Shkollën “Naim Frashëri”, tha se të mërkurën, më 08.10.2025, kanë vendosur ta shkurtojnë orarin e mësimit për shkak se në objektin e shkollës ka qenë ftohtë. Dhe sipas saj, shkolla është e lidhur me ndërmarrjen “Termokos”.
“Ftohtë është shumë, vetëm nga një orë e kanë lëshu… Jemi mundu të hënën, jemi mundu të martën, d.m.th. në ato kushte kena punu, me orar të rregullt” – tha Haxhiu.
Haxhiu tha se janë 1,070 nxënës që mësojnë në Shkollën “Naim Frashëri”.
Fatos Berisha, drejtor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa”, e cila është me mësim tërëditor, tha se nga dita e premte, më 03.10.2025, është dashur ta shkurtojnë çdo orë mësimore.
Kjo pasi nuk ka funksionuar sistemi i ngrohjes i Shkollës, e cila është e lidhur me “Termokos”. Edhe pse ishin paralajmëruar se më 08.10.2025 ajo do të funksiononte.
“10 minuta është kanë e shkurtuar ora, d.m.th. 45 minuta ka qenë ora e rregullt, 35 minuta është mbajtë ora… Fatkeqësisht edhe sot [08.10.2025] s’ka nxemje, edhe kena vazhdu për shkak që mos me e rreziku shëndetin e fëmijëve” – ka thënë Berisha për KALLXO.com.
“Duhet me analizu krejt situatën edhe me ardhë në përfundim se si me i zëvendësu këto orë të humbura, mirëpo na kena shpresu që veç të premten po ndodh ajo humbje… Këto tri orë të humbura po shpresoj që brenda vitit do ta gjej mënyrën se si t’i zëvendësojmë” – shtoi ai.
Në Shkollën “Xhemail Mustafa” janë rreth 580 nxënës, kurse mësimin tërëditor e kanë filluar nga viti i kaluar.
Për shkak të mungesës së ngrohjes, nga data 03.10.2025 edhe në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Faik Konica” ora e mësimit është duke u mbajtur 30 minuta. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Liridon Shala, kryetari i Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle.
KALLXO.com e ka kontaktuar disa herë përmes telefonit dhe e ka pyetur me shkrim Jehona Oruqin, drejtoreshën e Shkollës “Faik Konica”, por nuk është përgjigjur.
“Njoftimet kanë qenë të përditësuara nga shkolla për secilën ditë veç e veç, sepse nga dita në ditë ne kemi pritur se “Termokosi” do t’i aktivizojë ngrohjet përpara orarit të tyre të rregullt, që është data 15 tetor 2025” – ka thënë Shala më 08.10.2025
“Nisur nga fakti se rënia e temperaturave ishte e përnjëhershme dhe e theksuar, thënë të drejtën e pazakonshme për fillimin e tetorit, prindërit, me të drejtë, kanë pasur shqetësimet e tyre rreth ambientit në klasa sa i takon ngrohjes. Këto shqetësime ne si Këshill i Prindërve i kemi përcjellë në adresat përkatëse duke nisur nga drejtoria e shkollës e tutje” – ka shtuar Shala.
Shala ka thënë se sipas informatave të fundit që i ka deri rreth orës 15:00, ngrohja nga “Termokos” ka arritur deri përtej Shkollës “Dardania”.
“Por, po sipas të njëjtave burime, janë diku 84 kilometra rrjet dhe duhen edhe pak orë derisa të përfshihet/mbulohet i tërë rrjeti me ngrohje. Po shpresojmë shumë që nga dita e nesërme gjendja të kthehet në normalitet sa i takon kohëzgjatjes së orari mësimor” – tha Shala.
Edhe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë ora mësimore është mbajtur 30 minuta nga data 07.10.2025. Po ashtu kjo shkollë është e lidhur me “Termokos”.
“Orari është i shkurtuar, na kanë njoftuar për sot, edhe ka fillu ngrohja pak me funksionu prej sotit… Ndoshta objekti është i vjetër, i joni, ka izolim ma të mirë se tjerat, po nuk është shumë ftohtë, po deri tash s’kemi pasë ankesa të mëdha kështu” – tha Flamur Bujupi, drejtor i Shkollës “Dr. Ali Sokoli”.
Mimoza Krasniqi, drejtoreshë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” tha se të mërkurën, më 08.10.2025, nxënësit e ndërrimit të paradites i kanë mbajtur tri orë mësimore të rregullta, por pastaj kanë vendosur që ta shkurtojnë në 30 minuta për çdo nxënës.
Kjo ishte dita e dytë që e kanë shkurtuar orarin mësimor pasi e kanë shkurtuar edhe të hënën, më 06.10.2025.
“Të shtunën, të dielën u kanë në pushim, edhe shkolla u ftofë. U kanë ftoftë edhe ne provuam me mbajtë mësim por e pamë që nuk po funksionon, pas orës dytë e kena ndërru orarin, të hënën [06.10.2025], të martën [07.10.2025] kena fillu me orar të rregullt se temperaturat kenë ma mirë” – tha Krasniqi për KALLXO.com.
Në Shkollën “Ismail Qemali” gjithsej janë 2,900 nxënës në vitin shkollor 2025/2026.
KALLXO.com nga data 07.10.2025 i ka telefonuar dhe e ka pyetur me shkrim Samir Shahinin, drejtorin e Arsimit në Prishtinë, rreth shkurtimit të orarit të mësimit në disa shkolla për shkak të mosfunksionimit të nxemjes qendrore, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e lajmit.
Moti u përkeqësua nga dita e enjte, më 02.10.2025, me reshje shiu e disa vende edhe me reshje bore që vazhduan edhe të premten, më 03.10.2025.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi më 05.10.2025 se moti i paqëndrueshëm pritet të zgjasë deri të mërkurën, më 08.10.2025, ndërsa nga dita e enjte, më 09.10.2025, pritet stabilizim gradual i kushteve meteorologjike me interval me diell dhe rritje të lehtë të temperaturave.