Drejtori i Arsimit të Ferizajt në Komisionin Hetimor parlamentar, Foto: Islam Berisha/KALLXO.com
Drejtori i Arsimit të Ferizajt: Prindërit deri në muajin tetor kanë blerë tekste shkollore
Për drejtorin e Arsimit të Ferizajt, Afrim Llabjani mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024 ka qenë diçka e re dhe kanë pasur dilema se a do të furnizohen të gjithë nxënësit me të gjitha librat para datës 01.09.2023.
Kështu është deklaruar drejtori i DKA-së në Ferizaj gjatë intervistimit të tij në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, më 23.07.2024.
Ai ka thënë se janë informuar nga mediat për mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore përmes metodës së subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.
Sipas tij, , prindërit në Ferizaj deri në muajin tetor të vitit 2023 kanë blerë tekste shkollore.
“Ka pasur me radhë të tëra të prindërve për t’i blerë tekstet shkollore (në librari). Prindërit deri në muajin tetor kanë blerë tekste” – ka thënë Llabjani.
Ai ka treguar se ka qenë e nevojshme t’u ndihmojnë prindërve në Ferizaj për aplikimin në platformën e-Kosova për subvencionimin e teksteve shkollore që i kanë blerë.
“Është dashtë t’iu ndihmojnë shumë prindërve, në komunën e Ferizajt kemi pas disa grupe të të rinjve që i kanë ndihmu prindërit me apliku në e-Kosova” – ka theksuar Llabjani.
Pasi ishin informuar në fund të muajit gusht të vitit 2023 se tekstet shkollore do t’i blejnë prindërit dhe se nuk do të shpërndaheshin nga Ministria e Arsimit, drejtori Llabjani konsideroi se kjo nuk ka qenë mënyra më e mirë e shpërndarjes së teksteve shkollore.
“Kemi marrë raporte në të cilat është konstatuar se në muajin shtator një numër i nxënësve nuk ka pasur tekste shkollore” – ka treguar Llabjani.
Drejtori Llabjani u kritikua nga anëtarët e Komisionit Hetimor parlamentar se nuk e kishte numrin e saktë të nxënësve që nuk janë rimbursuar për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, të dhëna këto që ai iu tha se do t’i informonte zyrtarisht më vonë.
Deputeti Arbër Rexhaj kur e ka pyetur se pse nuk u është përgjigjur të gjitha pyetjeve që ia ka dërguar Komisioni Hetimor parlamentar përmes email-it para se të intervistohej nga Komisioni, drejtori Llabjani i është përgjigjur duke i thënë se nuk ka përgjigje konkrete.
Tutje, drejtori Llabjani ka raportuar për mungesën e librave nga lënda Kimi dhe Biologji që është paraqitur në komunën e Ferizajt, ndërsa në një lëndë tha se nxënësit kanë punuar me libra të dëmtuara.
“Në lëndën e Matematikës janë duke punuar me librat të cilat janë të dëmtuara… Kemi pas raste që kanë deklaru familjarët që i kanë ble tekstet vet duke mos e pritur rimbursimin (për tekstet shkollore)” – ka shtuar Llabjani.
Deputetja Mirlinda Tishukaj Sadiku e ka pyetur se a kanë pasur stoqe të librave të përdorura më parë në shkollat e komunës së Ferizajt.
“Ka pasur stoqe në disa shkolla dhe nxënësi që ka pasur stoqe në atë shkollë i ka shfrytëzuar” – ka thënë ai.
Ndërsa, kur u pyet se sa nxënës i ka pasur në vitin shkollor 2023/2024, drejtori Llabjani ka thënë se i kanë pasur 8,101 nxënës të klasave 1 deri 5 dhe 6,476 nxënës të klasave 6 deri 9.
Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.
Të pranishëm nga Komisioni Hetimor parlamentar në intervistimin e drejtorit Llabjani ishin: Shemsedin Dreshaj, Bekim Haxhiu, Arbër Rexhaj, Armend Muja, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arjeta Fejza dhe Agim Veliu.
Para intervistimit të drejtorit Llabjani nga Komisioni Hetimor parlamentar, është intervistuar drejtoresha e Arsimit të Komunës së Prizrenit, Luljeta Veselaj- Gutaj.
Përveç tyre, në Komisionin Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 do të intervistohej edhe drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri, por nuk kishte kuorum.

Për intervistimin e drjetoreshës Demiri të pranishëm nga Komisioni Hetimor mbetën: Arbër Rexhaj, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arjeta Fejza, Shemsedin Dreshaj dhe Armend Muja.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.