Pas Maltës e para Ishujve Faroe, ekspertët e vlerësojnë ekipin e Kosovës
Kosova me fitoren e mbrëmshme ndaj Maltës me rezultat 3-1 në kuadër të Ligës së Kombeve tregoi se është favorite për të dalë e para në këtë grup.
Nga tri ndeshje të zhvilluara, “Dardanët” e kryesojnë tabelën me shtatë pikë, të ndjekur nga Azerbajxhani me pesë pikë dhe Ishujt Faroe 3 e Malta në fund me 1 pikë.
Kosova ndaj Maltës mbrëmë ishte dominuese si në posedimin e topit, në goditjet në drejtim të portës dhe në gola të shënuar.
Analisti sportiv dhe ish-lojtari i Kombëtares së Kosovës, Muhamet Dragusha, thotë për KALLXO.com se fitorja e mbrëmshme e Kosovës ndaj Maltës ka qenë e pritshme pasi ekipi kombëtar, sipas tij, po kalon në një formë të mirë në lojërat e fundit dhe po i zbatojnë urdhërat e trajnerit Bernard Challandes me përpikmëri duke zhvilluar lojë të mirë me qarkullim të topit dhe harkime nga anash e lojë individuale.
“Kosova mbrëmë e fitoi një ndeshje që edhe është pritë duke e parë formën e mirë të ekipit kombëtar dhe rezultateve të lojërave të fundit. Më të vërtetë kemi ndryshuar shumë në çdo aspekt e më së shumti në disiplinë taktike lojtarët po i zbatojnë urdhëratë e trajnerit që po e zbaton një koncept të mirë dhe sigurisht se po i del i mirë dhe i suksesshëm, pasi përveç rezultateve të mira ne zhvillojmë edhe lojë të bukur kemi qarkullim të topit kemi edhe harkime nga anash, kemi edhe lojë individuale në momente të caktuara që janë normale. Harmonia në grup dhe dëshira e secilit ta japë maksimumin, rezultatet nuk po mungojnë”, ka thënë Dragusha.
Dragusha ka kritika për mënyrën se si Kosova e pranoi golin në ndeshjen e mbëmshme pasi, sipas tij, ishte naive pranimi i atij goli.
“Golin e pësuar e morëm në mënyrë naive pas një goditje të këndit ku portieri ishte në vij të golit e golashënuesit maltez shënoi nga katër metra largësi, por edhe lojtarët e mbrojtjes nuk ishin të vendosur mirë “, komentoi Dragusha.
Ai shprehet se me fitoren e mbrëmshme Kosova ka treguar se është kandidati kryesor i grupit dhe sugjeron që edhe në ndeshjen e ardhshme të dielën ndaj Ishujve Faroe, lojtarë e Kosovës duhet ta luajnë lojën e njëjtë si kundër Maltës.
Por ai kërkon përqendrim më të madh.
“Me këtë fitore kemi treguar se jemi kandidati kryesor i grupit, por në lojën me Ishujt Faroe duhet të luajmë njëjtë si me Maltën, të qarkullojmë topin, mos të mbrohemi shumë pasi u japim mundësi të na afrohen te goli ynë dhe mundësia pastaj për ta është më e lehtë. Mesfusha mendoj duhet të jetë shumë vigjilente dhe të mbyllë korridoret, të vrapojnë shumë kur e ka kundërshtari topin e pastaj me mesfushorët në krah që i kemi të shpejt, driblues të kundërsulmojmë dhe të shënojmë gol. Mendoj që duhet të shkojmë të luajmë, qarkullojmë topin të sulmojmë me mesfushorët në krah, kurse mbrojtësit tanë në këtë lojë duhet të jenë më shumë të përqëndruar në mbrojtje”, thekson Dragusha.

Ndërsa njohësi i futbollit dhe trajneri i klubit të futbollit “Vëllaznimi”, Gani Sejdiu, thotë se fitorja e Kosovës ndaj Maltës ishte e lehtë, por kishte vetëm një rrezik të vogël pas barazimit që mos t’i arrinte objektivin e lojës.
“Ishte fitore e lehtë, por ishte një rrezik i vogël që mos të arrinim objektivin e lojës pas golit të barazimit, sepse në këso raste futbolli prodhon gjëra të paparashikueshme. Por gjithsesi reaguam shpejt dhe pastaj kishim çdo gjë nën kontroll”, thotë Sejdiu për KALLXO.com.
Sejdiu thotë se gjëja më pozitive e Kosovës mbrëmë ishte kompaktësia e skuadrës në të dy pjesët, ku ekipi funksionoi në mënyrë të ekuilibruar. Ai tutje thotë se është shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit i cili është duke vijuar me shumë siguri në këtë ligë.
“Gjëja më pozitive ishte kompaktësia e skuadrës në të dy fazat, ku ekipi funksionon në mënyrë të organizuar e që tregon se ekipi ka ekuilibrin e duhur dhe që edhe në atë mënyrë vepron në fushë. Po ashtu më pëlqeu agresiviteti i ekipit për të rikuperuar topin sa më shpejt, një veprim që zakonisht bëhet me ekipe më të dobëta se ekipi i jonë edhe ajo ka qëllim psikologjik ndaj kundërshtarit e që u arrit gjatë lojës. Ndoshta pak në disa raste kishte tendencë në pjesën e parë për pak egoizëm në disa raste, por duhet kuptuar këta djem të rinj e plotë perspektivë që dëshirojnë të japin më të mirën për kombëtaren e tyre. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit ku është duke vijuar me shumë siguri në këtë ligë”, ka potencuar Sejdiu.
Sejdiu e ka komentuar edhe ndeshjen e radhës me Ishujt Faroe e cila luhet të dielën. Sipas tij përballja me Ishullorët do të jetë e nivelit tjetër, por beson se “Dardanët” mund t’ia dalin duke i shfrytëzuar kundërsulmet si armë shumë të fortë që e ka skuadra e Challandes.
Trajneri i Vëllaznimit mendon që nëse Kosova nxjerr rezultat pozitiv me Ishujt Faroe, vetëm atëherë është favorit për ta kryesuar këtë grup.
“Do të jetë një ndeshje e një niveli tjetër nga kjo me Maltën, por jam i bindur se më këso performance do t’ia dalim mbanë. E kur kësaj i shtojmë edhe faktin se atje mund të përdorim më shumë edhe kundërsulmet e që është armë e jona shumë e fortë, atëherë duhet besuar shumë në rezultat pozitiv. Me rezultat pozitiv nga ky takim përfundimisht do të jemi favoritë kryesorë në këtë grup”, tha Sejdiu për KALLXo.com.

Kosova ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve e luan të dielën si mysafir ndaj Ishujve Faroe me fillim prej orës 18:00.
Ndërsa ndeshjen kundër Maltës e luan përsëri si mysafir me 17 nëntor, e krejt në fund e pret Azerbajxhanin në ndeshjen e kthimit me 20 nëntor prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova nga tri ndeshjet në Ligën e Kombeve ka realizuar pesë gola dhe ka pranuar vetëm një në Grupin D.
Kosova të dielën mund të hyjë në fushë pa tre lojtarë standardë, Benjamin Kolollin që është lënduar në ndeshjen e djeshme, Leart Paqaraden dhe Hekuran Kryeziun që është i suspenduar për arsye të kartonëve.


