Foto: KALLXO.com
Vrasja e 27-vjeçarit në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë pas mosmarrëveshjes për fidanet e fikut – Apeli shqyrton ankesat
Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca ndaj Shefki Asllanit, i akuzuar për vrasjen e 27-vjeçarit në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë.
Një mosmarrëveshje që lindi pas një bisede rreth rritjes ose jo të fikut në Kosovë po dyshohet se u bë shkak i një konflikti mes dy personave, me ç ‘rast shitësi 27-vjeçar, V.F., mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën.
Shefki Asllani ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Prizrenit dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 20 vitesh për shkak të veprës penale – vrasje e rëndë.
Ndaj këtij vendimi ka pasur ankesa në Gjykatën e Apelit. Më 13.06.2025 është bërë shqyrtimi i këtyre ankesave.
Posa filloi seanca gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj bëri të ditur se në seancën e datës 13.06.2025 do të bëhet shqyrtimi i ankesave ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren.
Gjyqtarja Musliu – Selimaj tha se ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ka paraqitur përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Shpëtim Mehmeti, avokati i të akuzuarit Shefki Asllanaj, Besnik Berisha dhe Prokuroria Themelore në Prizren.
“Do të shqyrtohet ankesa ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda. Ndaj vendimit do të shqyrtohet ankesa e palës së dëmtuar, e familjes Fazliu nga avokat Shpëtim Mehmeti, ankesa e mbrojtësit të akuzuarit, Besnik Berisha e ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda.” – tha gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj.
Gjyqtari referues, Mentor Hajra, tha se Prokuroria e Prizrenit ankesë ka paraqitur për shkak të vendimit mbi sanksionin penale duke i propozuar Gjykatës së Apelit që aktgjykimin e shkallës së parë ta ndryshojë dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim më të lartë me burgim.
Po ashtu tha se edhe avokati Shpëtim Mehmeti ka paraqitur ankesë për shkak vendimit mbi sanksionin penal duke i propozuar Gjykatës së Apelit, që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim maksimal i paraparë për këtë vepër penale.
Ndërsa për avokatin Besnik Berisha u tha se ka paraqitur ankesë për të gjitha bazat ankimore për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, dhe vendimit mbi dënimin duke arsyetuar secilin veç e veç dhe duke i propozuar Apelit që ankesa e mbrojtësit me u aprovu si e bazuar edhe aktgjykimi i Themelores të ndryshohet, të lirohet nga akuza i pandehuri apo një alternativë tjetër që Gjykata e Apelit me anulu vendimin e Themelores edhe me kthy edhe një herë çështjen në rigjykim.
Tutje gjyqtari referues Hajra tha se Prokuroria Apelit ka propozuar që me u aprovu si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren edhe ankesa e përfaqësuesit e familjes së dëmtuar ashtu që aktgjykimi i shkallës së parë me u ndryshu sa i përket vendimit mbi dënimin dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër me burgim. Ndërsa ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar.
Nga Prokuroria e Apelit nuk prezantoi askush në seancën e mbajtur më 13.06.2025.
Seanca tutje vazhdoi me shqyrtimin e ankesës nga avokati Shpëtim Mehmeti, i cili tha se gjykata e shkallës e parë ka vepruar drejt duke e shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë.
I njëjti kërkoi nga Apeli që të aprovohet kërkesa e tij edhe e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ndërsa avokati Besnik Berisha, i cili është mbrojtësi i të akuzuarit Shefki Asllani, gjatë elaborimit të ankesës së tij në Gjykatën e Apelit tha se i akuzuari Shefki Aslllani nuk është kriminel dhe se i njëjti nuk ka qenë kurrë kriminel.
“Shefki Asllani nuk është kriminel dhe se nuk ka qenë kurrë kriminel” – tha avokati Besnik Berisha.
Kryetarja e Kolegjit, Gjykues Valbona Musliu – Selimaj tha se me vendimin e Gjykatës së Apelit për këtë çështje penale palët do të njoftohen përmes Gjykatës së Shkallës së Parë.
Kjo çështje në Shkallë të Dytë po trajtohet nga Kolegji në përbërje të gjyqtarëve: Valbona Musliu Selimaj (kryetare), Mentor Hajraj (gjyqtar referues) dhe Hashim Çollaku (anëtar i Kolegjit Gjykues).
Dosja e Prokurorisë
Prokuroria e Mitrovicës më 28.10.2021 ka ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit për veprën penale – vrasje e rëndë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17.04.2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta tashmë të ndjerin V.F.
Në aktakuzë thuhet se pas një fjalosjeje lidhur me rritjen e fidanit të fikut vjen deri te konflikti fizik, me ç’rast së pari tashmë i ndjeri V.F. e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, dhe pastaj i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe ka shtënë në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.
Si pasojë e të shtënave nga i pandehuri janë plagosur edhe Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit, Agim Abdullahu.
Ndryshe çështja është transferuar në Gjykatën e Prizrenit nga Gjykata e Mitrovicës pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit 2022.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.