Zyrtari i MASHTI-t prezantohet si 'Ministër në Qeverinë Teknike në Shqipëri'
Agim Krasniqi është zyrtar i lartë për arsimin profesional në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Tekonoligjisë dhe Inovacionit në Kosovë.
Megjithatë ai mban pozitën e ‘Ministrit të Arsimit në kuadër të Qeverisë teknike në Shqipëri’, ‘Qeveri’ kjo e udhëhequr nga Pëllumb Pilinçi.
Në një tubim të Pilinçit në Kosovë, Krasniqi ka marrë pjesë dhe ka mbajtur fjalim si ‘Ministër i Arsimit’.
“Është kënaqësi e veçantë dhe është përgjegjësi e madhe që këtu në Prishtinë po vazhdojmë bashkë bisedën për reformë të thellë në sistemin politik e në veçanti atë arsimor, për të ndëruar mbi frymën që ndamë pak ditë më parë në Tiranë”– ka deklaruar mes tjerash Krasniqi.
MASHTI në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka deklaruar se deri në dërgimin e pyetjeve nga redaksia nuk kanë pasur informacione rreth veprimtarisë së Krasniqit.
“MASHTI nuk ka informacione lidhur me aktivitetin e z.Krasniqi dhe të ”Qeverisë Teknike”. Deklarimet dhe opinionet e z.Krasniqit, nuk paraqesin në asnjë mënyrë qëndrimin apo politikat e MASHTI-t. Pas pranimit të pyetjeve nga ana juaj, MASHTI në pajtim me legjislacionin për zyrtarët publik, lajmin e ka adresuar tek mbikëqyrësi i z.Krasniqi”– thuhet mes tjerash në përgjigjen me shkrim të MASHTI.
Ky institucion ka deklaruar se pasi të merr të gjitha informatat dhe konstatimin e gjendjes, rasti do të adresohet në Komision Disiplinor.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe vet Krasniqin, i cili ka konfirmuar se është pjesë e të ashtuquajturës ‘Qeverisë Teknike në Shqipëri’.
“Ajo është Qeveri teknike, nën hije që akoma nuk ka funksione zyrtare. Unë jam i caktuar si Ministër i Arsimit në Shqipëri, në Qeverinë teknike nëse krijohet në Shqipëri. Që bëhet, unë mund ta marrë postin e ministrit, nëse shkon ashtu siç është duke u zhvilluar procesi, nëse jo, kjo mbetet vetëm Qeveri nën hije”– ka deklaruar Krasniqi.
Qeverinë e Pilinçit, Krasniqi e krahasoi me Qeverinë në hije të Partisë Demokratike të Kosovës që e kishe formuar para se të ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës.
“Kemi pas rastin e Kosovës, PDK-ja e kishte bërë Qeverinë nën hije para se me marr pushtetin”– ka deklaruar ai.
I pyetur se si zyrtar i MASHTI-t a ka të drejtë të jetë pjesë e kësaj ‘Qeverie tekinike’, Krasniqi deklaroi se ai ka të drejtë.
“Ne kemi të drejtë të mirremi me politikë, ligji e lejon. Gazetar i nderuar duhet me marrë dhe me lexu ligjin, Ligjin për Zyrtarët Publikë”– ka shtuar ai.
“Nëpunësja/i e shërbimit publik dhe nëpunësja/i teknik dhe mbështetës mund të jenë anëtare/ë të partive politike dhe anëtare/ë të organeve drejtuese të një partie politike, me përjashtim të nëpunëses/it së shërbimit publik të nivelit të lartë, të mesëm dhe të ulët drejtues, të cilët mund të jenë anëtare/ë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtare/ë të organeve drejtuese qendrore dhe komunale të një partie politike”– thuhet në paragrafin e tretë të nenit 25 të Ligjit për Zyrtarët Publik.