Presidenti Trump dhe homologu Zelensky në Shtëpinë e Bardhë më 17 tetor 2025. fFto: Shtëpia e Bardhë
Zyrtarët amerikanë në Kiev derisa Europa kundërshton planin e raportuar të paqes me Rusinë
Zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë mbërritur të enjten (20.11.2025) në Ukrainë që t’i diskutojnë përpjekjet që t’i jepet fund luftës” me Rusinë, ka njoftuar ushtria amerikane, raporton BBC.
Ekipi, i prirë nga sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, ka zhvilluar bisedime me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko, të enjten në mëngjes. Ata më vonë gjatë ditës pritet të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Të mërkurën pati raportime se SHBA-ja dhe Rusia kishin përgatitur një kornizë të re të propozuar për t’i dhënë fund luftës, duke kërkuar lëshime të mëdha nga Ukraina, përfshirë heqjen dorë nga territori dhe zvogëlimin dramatik të ushtrisë së saj.
Thuhet plani se u hartua nga i dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe i dërguari special rus, Kirill Dmitriev.
Heshtja
As Uashingtoni dhe as Moska nuk e kana konfirmuar zyrtarisht planin.
Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shkruar në X se arritja e një “paqeje të qëndrueshme do të kërkojë që të dyja palët të bien dakord për lëshime të vështira, por të nevojshme”.
Ai ka theksuar se SHBA-ja po konsultohet me të dyja palët e konfliktit për të “zhvilluar një listë idesh të mundshme për t’i dhënë fund kësaj lufte”.
Ekipi i Driscollit është grupi më i lartë ushtarak që udhëton në Kiev qëkur Trump mori detyrën në janar.
Ai shoqërohet nga shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Randy George, komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Europë, gjenerali Chris Donahue, dhe major ih ushtrisë, Michael Weimer.
Detajet e draftit të planit 28-pikësh Witkoff-Dmitriev u bënë të ditura më shumë se tre javë pasi thuhet se të dy burrat patën takime për tri ditë në Miami të Floridës.
Duke cituar njerëz të njohur me çështjen, Axios, Financial Times dhe Reuters kanë raportuar se planet kërkojnë që Kievi të heqë dorë nga zonat e Donbasit në Ukrainën lindore që ende i kontrollon, të ulë ndjeshëm madhësinë e forcave të tij të armatosura dhe të heqë dorë nga shumë nga armët e tij.
Zelensky ka përjashtuar vazhdimisht çdo lëshim territorial ndaj Rusisë.
Ekipi i Kirill Dmitrievit nuk ka pranuar t’i komentojë raportet. BBC-ja gjithashtu i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë dhe një përfaqësuesi të Witkoff të komentojnë, por s’ka marrë përgjigje
Pa përfshirjen e aleatëve
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar të enjten se ka pasur “kontakte” me SHBA-në, por nuk po zhvillohen “konsultime ose negociata”. As zyrtarët europianë dhe as ata ukrainas nuk besohet se kanë qenë të përfshirë në hartimin e propozimit të ri, duke shkaktuar frikë se ai mund të jetë jashtëzakonisht i favorshëm për Rusinë.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka paralajmëruar të enjten se që çdo plan të funksionojë, do të duhej të kishte ukrainasit dhe europianë në krah, dhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Nowl Barrot, ka theksuar se “ukrainasit nuk duan asnjë formë kapitullimi”.
Pas takimit me zyrtarët amerikanë, kryeministri i Ukrainës nuk u ndal te plani i përfolur – por tha se vizita e tyre ofroi “një mundësi për përfaqësuesit e administratës amerikane për të vlerësuar situatën në terren dhe për të parë pasojat e agresionit rus”.
Raportet e planit u publikuan të mërkurën dhe të njëjtën ditë zyrtarët ukrainas thanë se të paktën 26 persona ishin vrarë në një sulm rus me raketa dhe dronë në blloqe apartamentesh në qytetin perëndimor të Ukrainës, Ternopil. 22 persona të tjerë ishin të zhdukur në vend, tha Zelensky të enjten.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com