Pamje prej video-materialit që shfaq Aleksandar Vuçiqin në Sarajevë më 1995. Fotografia shoqëron shkrimin e gazetës britanike
Vuçiq akuzohet se u ishte bashkuar 'safarive të snajperistëve' që vrisnin civilë në Sarajevë
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Presidenti serb thuhet se kishte qenë i pranishëm në pozicionet ushtarake, prej nga të huajt dyshohet se gjatë kohës së luftës së Bosnjës shtinin në drejtim të banorëve të kryeqytetit boshnjak, ka raportuar të enjten mbrëma (20.11.2025) gazeta britanike, “The Telegraph”.
Aleksandar Vuçiq është akuzuar për përfshirje në “safari snajperistësh” në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës, ku të huaj të kamur dyshohet se kishin paguar shuma të majme parash për t’i qëlluar civilët deri më 1996.
Janë shfaqur gjithashtu video-xhirime që duket se e shfaqin atë si një të ri duke udhëtuar në një automjet me katër rrota, që në bagazh kishte një kafkë njerëzore me një helmetë blu të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.
Hulumtimi i gazetarit kroat
Pretendimet kundër Vuçiqit – të cilat ai i hedh poshtë forcërisht – janë bërë nga Domagoj Margetiq, gazetar hulumtues kroat.
Ai ka ngritur rast kundër presidentit serb te prokurorët italianë, të cilët tashmë po hetojnë akuzat se shtetas italianë, rusë dhe amerikanë morën pjesë në “safari snajperësh njerëzorë” gjatë konfliktit në Bosnjë.
“E kam informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e mia lidhur me Aleksandar Vuçiqin me safaritë njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës”, ka theksuar Margetiq.
“Kam bashkëngjitur të gjitha provat, video-materialet, dokumentacionin fotografik, dokumentacionin audio dhe video, si dhe dokumentacionin mediatik të asaj kohe”. Në parashtresën e Margetiqit pretendohet se Vuçiq ishte “anëtar i një njësie paraushtarake, nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe nga Serbia, gjatë luftës në vitet 1992 dhe 1993”.
Njësia ishte “e stacionuar në një pozicion lufte në varrezat hebraike në Sarajevë”, pretendoi Margetiq. Varrezat u përdorën si pozicion snajperistësh nga forcat serbe.
Më shumë se 10 mijë persona u vranë nga bombardimet dhe snajperistët gjatë rrethimit.
Margetiq pretendon më tej se informacioni “e vendos atë pa asnjë fije dyshimi në kohën dhe vendin e këtyre krimeve”.
Ai citoi video-xhirime nga viti 1993 të cilat, sipas tij, tregonin Vuçiqin duke mbajtur një pushkë.
Mbështetësit e udhëheqësit serb i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe thanë se objekti në pamjet filmike ishte një trekëmbësh kamerash televizive, të cilin Vuçiq e mbante sepse atëherë punonte si gazetar.
Vuçiq ka thënë se objekti ishte një çadër.
Italia heton “turistët e luftës”
Prokurorët në Milano kanë nisur hetimin e akuzave pasi morën informacione që pretendonin se italianë të pasur ishin në mesin e të huajve të kamur që paguanin për të shtënë drejt civilëve boshnjakë, me një shpërblim të vendosur për gratë dhe fëmijët, dhe burra me uniformë.
“Turistët e luftës” dyshohet se u lejuan t’i qëllonin civilët nga milicitë serbe të Bosnjës nën komandën e Radovan Karaxhiqit.
Suzana Vasiljeviq, një zëdhënëse e presidentit serb, i ka deklaruar gazetës britanike, “The Telegraph”: “Pretendimet e paraqitura nga gazetari kroat Domagoj Margetiq përfaqësojnë një rast tipik të dezinformimit dashakeq, të ndërtuar me qëllim për të gërryer besueshmërinë institucionale të Republikës së Serbisë dhe presidentit të saj”.
“Presidenti Vuçiq nuk mori pjesë në aktivitete luftarake, nuk përdori armë dhe nuk pati asnjë rol në asnjë operacion lufte”, ka deklaruar Vasiljeviq.
Ajo ka shtuar se akuzat janë “të motivuara politikisht” dhe përpjekje për të “minuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë”.
Një dokumentar i quajtur “Sarajevo Safari”, i publikuar në vitin 2022 nga një regjisor slloven, ngriti dyshime të ngjashme për të huajt në “safarit e luftës në fundjavë”.
I pyetur për videon e postuar së fundmi, e cila duket se tregon Vuçiqin me automjetin me kafkë, një burim serb ka theksuar se makina nuk i përkiste atij dhe, sidoqoftë, “makina të tilla ishin kudo në zonën e luftës”.
Dyshimet e diplomatit europian
Pretendimet se të huaj të pasur udhëtuan drejt Sarajevës për “safari snajperësh” janë ngritur nga një ish-diplomat italian.
Michael Giffoni, i cili ishte zëvendëskryetar i misionit diplomatik të Italisë në Sarajevë, pretendoi se me të mbërritur në qytet më 1994, iu tha: “E dini, po organizohen safari. Shumë njerëz të pasur po vijnë këtu – disa janë gjuetarë, të tjerë janë biznesmenë. Ushtria dhe paraushtarakët i çojnë ata në kodrat (mbi Sarajevë) dhe për këtë po paguajnë”.
SISMI, agjenci italiane e inteligjencës, u informua për turizmin e luftës dhe, në bashkëpunim me inteligjencën boshnjake, arriti të ndalonte mbërritjen e italianëve, i ka deklaruar ai gazetës “La Repubblica”. “Agjencia identifikoi se kush po organizonte të gjithë këtë gjë dhe e ndali atë”, ka theksuar ai.
Megjithatë, autoritetet italiane nuk ishin në gjendje të identifikonin asnjë nga qytetarët e tyre që dyshohet se morën pjesë në të shtënat ndaj civilëve. “Nëse do të kishim pasur një emër, do t’i kishim ndjekur”, ka deklaruar Giffoni.
Ekspertët e Ballkanit i kanë thënë “The Telegraphit” se akuzat mund të jenë të vërteta, por duhen trajtuar me kujdes.
Dr. Helena Ivanov, nga grupi i ekspertëve “Henry Jackson Society”, ka theksuar: “Shumë gjëra të tmerrshme ndodhën gjatë luftës, por pati edhe histori të tmerrshme që rezultuan të mos ishin të vërteta – pretendime se ekstremistët myslimanë hodhën foshnje serbe te luanët në një kopsht zoologjik, për shembull, ose se luftëtarët në të tre anët bënë gjerdanë nga gishtat e foshnjave”.
“Historitë e rreme mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Sa herë që ka një pretendim që është vërtet shpërthyes, si ai për safarit me snajperë, ai duhet t’i nënshtrohet një hetimi të plotë dhe transparent”, ka thënë Ivanov.
“Nëse ka akuza të besueshme, atëherë ato duhet të hetohen”.
Paralajmërimet
Videoja që duket se tregon zotin Vuçiq me automjetin e zbukuruar me një kafkë u postua nga profesori Jasmin Mujanoviq, ekspert i Ballkanit dhe autor.
Ai tha se kishte “prova në rritje, duke përfshirë dëshminë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, për ekzistencën e ‘safarive njerëzore’ të kryera nga forcat nacionaliste serbe në emër të turistëve të pasur të huaj”.
Provat duhet të çojnë në hetime “në katër ose pesë vende të ndryshme”, shtoi ai.
Profesori Mujanoviq ka theksuar se akuzat janë “të besueshme”, por ka paralajmëruar: “Ne gjithmonë duhet të kërkojmë që pretendimet e jashtëzakonshme të kenë prova të jashtëzakonshme”.
“Ato meritojnë të shqyrtohen më tej nga agjencitë policore italiane dhe të tjera ndërkombëtare. Në fakt, shpresohet që ato të gjenden si legjenda urbane, duke pasur parasysh tmerrin e nënkuptuar. Por nëse janë të vërteta, atëherë duhet të ngrihen akuza të forta penale kundër të gjithë atyre që janë përfshirë”, ka shtuar ai.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com