Vendi ku ndodhi gjuajtja me armë në Vushtrri Foto: KALLXO.com
Vrasja në Vushtrri - Kryetari i Komunës i shpreh ngushëllime familjes Zymeri
Një 19-vjeçar është vrarë me armë zjarri në Vushtrri, mbrëmjen e së dielës, më 23.03.2025.
Për këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, i cili njëherësh i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.
“Sonte qyteti ynë është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një 19-vjeçar humbi jetën tragjikisht. Duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes Zymeri, bashkëndjejmë dhimbjen për humbjen e djalit të tyre.” – shkruhet në reagim.
Duke falënderuar organet e rendit për arrestimin e të dyshuarit, ai ka kërkuar që rasti të zbardhet sa më shpejt.
Ndërsa, i dyshuari për vrasjen e të riut 19-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës pak orë pas kryerjes së veprës.
Kështu konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Mbrëmë, më 23.03.2025, Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit ku ka gjetur dhe konfiskuar edhe një armë të gjatë me pesë fishekë.
“Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B.D., 19-vjeçar, nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale. Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishekë.” – ka konfirmuar Zahiti.
Ai ka shtuar se, me Vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.
Në vendin e ngjarjes hetuesit policorë si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
Zahiti shtoi po ashtu se viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, me ç’rast aty është konfirmuar se edhe ka vdekur.
Ndërsa, me Vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.
“Nga hetimet e para nga vendi i ngjarjes ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës, A.Z., 19-vjeçar.” – kishte thënë Zahiti për KALLXO.com.
Rasti ka ndodhur rreth orës 20:35, më 23.03.2025.
Sipas tij, rrjedha hetimore po vazhdon në koordinim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave.
KALLXO.com solli pamje nga vendi ku ndodhi vrasja në Vushtrri.