Vdes në QKUK një punëtor që dyshohet sa ka rënë nga skelet e një ndërtese në Prizren
Një punëtor i cili kishte pësuar lëndime trupore pasi sot, më 29.10.2025, rreth orës 13:30, kishte rënë nga skelet e një ndërtese në ndërtim në lagjen “Bajram Curri” në Prizren, ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për KALLXO.com se viktima është F.M., i gjinisë mashkullore, 34-vjeçar, nga fshati Caravik i Klinës.
Viktima, sipas Bytyqit, fillimisht është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit në gjendje të rëndë, por më vonë, rreth orës 16:30, është njoftuar se ai ka vdekur në QKUK.
Në lidhje me rastin, i dyshuari N.B., pronar i kompanisë ndërtimore, pas intervistimit me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë, si i dyshuar për veprën penale – asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve dhe rrezikimi në vendin e punës.
Sipas Bytyqit, Policia, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, Inspektoratin e Punës dhe njësitë kompetente hetimore, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.