Shkrimtarja shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga do të prezantohet në programin e 'Heritage Space'
Shkrimtarja shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga do të jetë autorja e radhës që do të prezantohet në programin “Në bisedë” të “Heritage Space”.
“Heritage Space” ka njoftuar se biseda me shkrimtaren Xhoga, që do të moderohet nga Doruntina Vinca, do të zhvillohet më 24.11.2025, në muzeun “Reporting House” në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00.
Gjatë bisedës do të flitet edhe për romanin e Xhogës “Keqkuptimi”, i cili, sipas njoftimit, shqyrton trashëgimitë e errëta të familjes dhe vendlindjes, si dhe kufijtë midis dhembshurisë dhe vetëruajtjes.
Shkrimet e Xhogës janë botuar në Electric Literature, Lit Hub, Brooklyn Rail, Large Hearted Boy, Intrepid Times, Hobart dhe revista të tjera letrare.
Ledia Xhoga është shkrimtare dhe dramaturge shqiptaro-amerikane. Ka lindur në Tiranë dhe jeton me familjen e saj në SHBA, Nju Jork- Bruklin dhe Catskills. Romani i saj i parë “Keqkuptimi” u përzgjodh në listën e gjatë për çmimin prestigjioz “Booker Prize 2025”, fitoi çmimin e Librit të Qytetit të Nju Jorkut dhe u shpall finalist për Çmimin e Romanit të Parë në “Center for Fiction” në Bruklin.
Doruntina Vinca është shkrimtare, hulumtuese dhe përkthyese nga Prishtina, me bazë në Tiranë. Praktika e saj luhatet midis gjuhës, letërsisë feministe dhe tekstit si mjet për të eksploruar forma të reja të kolektivitetit dhe ndarjes së dijes.
Platforma “Heritage Space” implementohet nga “CHwB- Kosova” dhe financohet nga Qeveria suedeze.
