Përparim Shurdhiqi duke votuar në mbledhjen zgjedhore të Senatit të UP-së, 30.06.2025, Foto: KALLXO.com
Senatori i pezulluar nga puna në UP votoi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Në mbledhjen zgjedhore të Senatit të Universitetit të Prishtinës më 30.06.2025 senatori Përparim Shurdhiqi, ndonëse i pezulluar nga puna në UP për pesë muaj, mori pjesë në këtë mbledhje dhe votoi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.
Shurdhiqi është pezulluar nga pozita e zyrtarit të prokurimit në UP sipas vendimit të Komisionit Disiplinor të UP-së të datës 04.04.2025.
Besnik Loxha, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj Përparim Shurdhiqit më 26.02.2025 për shkak të dyshimit se ka bërë shkelje të rëndë disiplinore.
Sipas vendimit të Komisionit disiplinor të UP-së, Loxha në kërkesën e tij kishte pretenduar se një “kërkesë e Shurdhiqit për hartim të specifikave teknike ka rezultuar në detyrim financiar të Universitetit në vlerë 39,960 euro, pa mbështetje buxhetore të miratuar, duke shkaktuar ngarkesë financiare të paplanifikuar dhe duke e vënë në rrezik menaxhimin e fondeve publike të institucionit”.
“Moslajmërimi i shkeljeve të rënda që lidhen me detyrat e punës nga z. Shurdhiqi – dështimi për të raportuar tek eprorët dhe institucionet përgjegjëse një procedurë të nisur në kundërshtim me ligjin, pavarësisht se ishte në dijeni të plotë për mungesën e buxhetit dhe rrezikut të krijimit të një obligimi të paligjshëm financiar për Universitetin e Prishtinës.” – thuhet në arsyetimin e vendimit të Komisionit disiplinor të UP-së të datës 04.04.2025.
Shurdhiqi ishte zgjedhur përfaqësues i personelit joakademik në Senatin e UP-së në tetor të vitit 2024, ndërsa kishte qenë zyrtar i prokurimit në UP dhe më parë ushtrues i detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurimit në UP. Mandati i senatorit zgjat katër vjet.
Por, më 02.05.2025, ai është ankuar në Komisionin e Ankesave të UP-së ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të UP-së.
Pas interesimit të KALLXO.com nga data 01.07.2025, dhe pasi kaluan dy muaj që nga paraqitja e ankesës, Komisioni i Ankesave i UP-së ka marrë vendim që ta shpallë të pabazuar ankesën e Shurdhiqit.
“Nga shqyrtimi i dokumentacionit, Komisioni i Ankesave në këtë rast vëren se provat dhe faktet e shqyrtuara nga Komisioni Disiplinor janë të pamohueshme. Po ashtu procedurat e zhvilluara nga Komisioni Disiplinor janë në pajtim me legjislacionin” – thuhet në arsyetimin e vendimit të Komisionit të Ankesave të datës 08.07.2025.
Mirëpo, Komisioni i Ankesave në UP që mori vendim ndaj ankesës së Shurdhiqit më 08.07.2025, ka tjetër përbërje nga Komisioni që e pranoi ankesën e Shurdhiqit dhe që ishte duke e trajtuar këtë ankesë.
Rektori Arben Hajrullahu ka emëruar anëtarë të tjerë në këtë Komision, por jo edhe kryesues tjetër.
Komisioni i Ankesave i UP-së fillimisht përbëhej nga Gazmend Shabaj (kryesues) dhe anëtarët – Sebahate Jonuzi, Ardrit Gashi.
Jonuzi ka qenë anëtare nga jashtë UP-së.
Kurse, nga data 04.07.2025 Komisioni i Ankesave i UP-së përbëhet nga anëtarët: Yllka Fetahaj-Kullashi dhe Milaim Mazreku. Bashkë me Shabajn, të tre janë anëtarë që vijnë nga UP dhe katër ditë pasi u emëruan morën vendim për ankesën e Shurdhiqit.
KALLXO.com e ka pyetur rektorin Hajrullahu se pse e ndryshoi përbërjen e Komisionit të Ankesave të UP-së, por në vend të tij është përgjigjur Gazmend Shabaj si kryesues i këtij Komisioni, i cili tha se çështja e ndryshimit të përbërjes së Komisionit nuk paraqet asnjë element për t’u pasur në konsideratë sepse institucionet veprojnë përmes organeve të tyre përkatëse e jo me emra të përveçëm.
Florent Muqaj, kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në UP, fillimisht në një përgjigje për KALLXO.com tha se Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative i vitit 2016 përcakton se ankesa ndaj një vendimi ka “efekt suspenziv”, pra pezullon pasojat e vendimit disiplinor.
“Nën efektin suspensiv të ankesës, z.Shurdhiqi është ftuar rregullisht në mbledhjet e Senatit dhe akoma edhe sot nuk ka një vendim përfundimtar nga komisioni i ankesave ose vendim përfundimtar në procedurën administrative lidhur me ketë çështje. Në këto rrethana z.Shurdhiqi ka pasur të drejtë të votojë në Senat dhe të jetë anëtar i Senatit.” – ka thënë Muqaj më 02.07.2025.
Por, Muqaj ka treguar se KQZ UP kishte hapur zgjedhjet për pozitën e anëtarit të Senatit në rastin e Shurdhiqit, por Shurdhiqi pas kësaj kishte parashtruar ankesën ndaj vendimit për shqiptimin e masës disiplinore.
“Në përgjigjen e dhënë nga KQZ UP, për rastin e z.Shurdhiqi, me datë 15.04.2025, ku është njoftuar edhe Rektori si kryesues i Senatit [Arben Hajrullahu], KQZ UP e ka bërë të qartë se me rastin e nxjerrjes së vendimit përfundimtar në procedurë administrative, KQZ UP do të vazhdojë me zëvendësimin e mandatit të tij, brenda 10 ditëve siç e përcakton Rregullorja, sepse rrjedhimisht vendi i tij mbetet vakant në Senat.” – ka shtuar Muqaj.
Në një përgjigje të datës 10.07.2025, Muqaj ka thënë se ai nuk ka informacion zyrtar për vendimin përfundimtar të Komisionit të Ankesave të UP-së, i cili është marrë më 08.07.2025. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se posa informohen për këtë vendim, KQZ UP do t’i shqyrtojë hapat më tutje për zgjedhjen e senatorit të ri nga personeli joakademik.
Kurse, Shurdhiqi në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka thënë se pezullimi i tij nga pozita e zyrtarit të prokurimit në UP është një masë administrative e përkohshme dhe se nuk ka asnjë ndikim ligjor apo statutar në funksionin e tij si anëtar i Senatit të UP-së.

Si rrjedhojë, Shurdhiqi mendon se pjesëmarrja e tij në mbledhjen e Senatit të UP-së më 30.06.2025 dhe ushtrimi i të drejtës për të votuar për anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së ka qenë në përputhje të plotë me Statutin dhe me legjitimitetin që i është dhënë nga procesi zgjedhor.
“Unë jam zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga stafi joakademik i Universitetit të Prishtinës, dhe mandati im si senator është plotësisht i vlefshëm dhe aktiv. Statuti i UP-së është i qartë dhe nuk parashikon që një pezullim nga detyra administrative të sjellë automatikisht humbjen ose pezullimin e mandatit të senatorit. Për më tepër, nuk ekziston asnjë vendim që më ndalon të ushtroj funksionin tim si senator.” – ka thënë Shurdhiqi më 30.06.2025.
“Mandati im nuk është privilegj i përkohshëm, por një përfaqësim demokratik që nuk mund të cenohet nga masa të përkohshme administrative që lidhen me një pozitë tjetër në institucion.” – ka shtuar Shurdhiqi.
Rektori i UP-së: KQZ-ja e ka çertifikuar senator dhe mund t’ia marrë mandatin
Rektori Arben Hajrullahu përmes telefonit ka deklaruar për KALLXO.com se vetëm KQZ e UP-së vendos për mandatet e senatorëve dhe se nuk ka ndonjë dispozitë të qartë që parashikon automatikisht përfundimin e mandatit të përfaqësuesit të personelit joakademik në Senat, në rast të ndonjë mase disiplinore.
“Në mungesë të një baze ligjore eksplicite që e lidh masën disiplinore me ndërprerjen e mandatit në Senat, çdo veprim që synon largimin e tij nga ky grup duhet të ndërmerret vetëm nga organi kompetent për administrimin dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor për personelin akademik, pra nga KQZ-ja e UP-së” – ka thënë rektori Hajrullahu më 01.07.2025.
Hajrullahu mendon se do të ishte shumë e mirë dhe do të krijonte një situatë shumë më të qartë sikur të kishte një normë diku në Statut të UP-së apo në ndonjë rregullore që automatikisht kur dikush pezullohet prej masës disiplinore ta humbë të drejtën për të përfaqësuar në Senat.
“Në qoftë se është çështja për ndonjë rregullore që mund ta precizonte më mirë, mund ta sqaronte më mirë këtë çështje, atëherë gjithsesi duhet me i ndërmarrë masat edhe me mundësinë e parë me e bë plotësim-ndryshimin apo hartimin e një norme që vërtet i largon këto situata ku sipas mendimit tim është edhe pak situatë absurde” – ka theksuar Hajrullahu.
“Në momentin kur bjen ndesh edhe bëhesh subjekt i sanksionimit të masave disiplinore për shkelje të çfarëdo natyre qofshin, unë po flas në parim, atëherë do duhej jo vetëm me e lënë si mundësi vullnetare me u largu nga përfaqësimi, po me dorëheqje, po me të sanksionu me të thanë – ti ma nuk mundesh me qenë [senator].” – shtoi Hajrullahu.
Hajrullahu edhe gjatë mbledhjes së Senatit të datës 30.06.2025 ka treguar për rastin e senatorit Përparim Shurdhiqi se është i pezulluar dhe do të votojë në këtë mbledhje, por nuk ia ka përmendur emrin.

Komisioni zgjedhor për menaxhimin e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së më 30.06.2025 është përbërë nga prorektorja Majlinda Zhitija-Gjelaj, senatorja Kreshnike Dedushi-Hoti dhe dekani Florian Miftari.
Nga data 01.07.2025, KALLXO.com po ashtu i ka dërguar pyetje komisionit zgjedhor në lidhje me lejimin e Përparim Shurdhiqit për të votuar për anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, por nuk është përgjigjur.
“Nuk i përmbushi detyrat e punës”
Në vendimin 11-faqësh të Komsionit Disiplinor të UP-së të datës 04.04.2025 thuhet se Shurdhiqi i kishte mohuar në tërësi pretendimet e ngritura në kërkesën e inicuar nga u.d. sekretari Besnik Loxha për shkelje të rëndë disiplinore.
Por, Komisioni Disiplinor në vendimin e tij ka konstatuar se Përparim Shurdhiqi nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e punës.
Andaj, ndaj Shurdhiqit, përveç masës disiplinore të pezullimit prej 5 muajsh pa pagesë, Komisioni Disiplinor i UP-së i ka shqiptuar masën disiplinore: të transferimit në pozitë të ngjashme në klasë dhe kategori të njëjtë sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë; ndalim i avancimit në kategori më të lartë për pesë vite, si dhe i ka kërkuar sekretarit të UP-së që të inicojë procedurat për revokim të certifikatës profesionale të prokurimit.
Sipas Komisionit Disiplinor, Shurdhiqi në pozitën e zyrtarit kryesor të prokurimit e ka përgatitur Deklaratën e Nevojave për Përcaktimin e Dispunueshmërisë së Fondeve, për aktivitetin e prokurimit “Funksionalizimi i objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë” në vlerë prej 1,641,711 euro.
“Në këtë deklaratë, te pika ll.1.6 Planifikimi ceket: A ka qenë ky aktivitet i prokurimit i përfshirë në parashikimin e prokurimit?, në këtë rubrikë, z. Shurdhiqi ka deklaruar PO, duke deklaruar të pavërtetën, pasi që ky aktivitet i prokurimit nuk ka qenë i parashikuar në planifikimin e prokurimit” – ka konstatuar Komisioni Disiplinor i UP-së.
Komisioni Disiplinor i UP-së ka përmendur faktin për të cilin ka raportuar edhe më parë KALLXO.com se Këshilli Drejtues i UP-së nuk kishte dhënë aprovim paraprak për hapjen e tenderit “Funksionalizimi i objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë” në prokurim, procedura e të cilit ishte hapur më 13.05.2024, por UP e anuloi 11 ditë më vonë, më 24.05.2024, me arsyetimin se “ka mungesë të fondeve” për këtë projekt.
Përveç Shurdhiqit, më 26.09.2024, pasi Këshilli Drejtues i UP-së e kuptoi se ky tender ishte shpallur nga ish-sekretari i përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi pa një planifikim paraprak të buxhetit, mori vendim ta lirojë atë nga kjo detyrë duke e vlerësuar për keqmenaxhim të buxhetit të UP-së.