Votimi për përjashtimin e revistës "International Journal of Biomedicine", 30.09.2025
Senati i UP-së përjashtoi International Journal of Biomedicine nga lista e revistave të lejuara
Punimet shkencore të profesorëve të Universitetit të Prishtinës që publikohen pas datës 30.09.2025 në revistën International Journal of Biomedicine (IJBM – Revista ndërkombëtare për Biomjekësi) nuk do të vlejnë për avancim e emërim si personel akademik i UP-së.
Kështu ka votuar Senati i UP-së në mbledhjen e datës 30.09.2025 pas një debati që u zhvillua mes senatorëve e menaxhmentit të kryesuar nga Arben Hajrullahu, rektori i UP-së. Pati edhe shtatë vota kundër kësaj, që erdhën nga studentët senatorë.
Fillimisht, rektori Hajrullahu nuk e mori fjalën për ta shpjeguar çështjen e kësaj reviste, sipas rendit të ditës të mbledhjes së Senatit, por këtë ia kërkoi Avni Hajdarit, prorektorit për kërkime shkencore në UP.
Në rend të ditës ishte përjashtimi i revistës International Journal of Biomedicine nga lista e revistave të njohura në UP.
Hajrullahu është edhe kryetar i Këshillit Qendror të Studimeve të Doktoratës, i cili është organi më i lartë që merret me studimet e doktoratës dhe i kalon lëndët e kandidatëve për doktoratë. Kurse, Hajdari është zëvendëskryetar i këtij Këshilli.
Hajdari tha se revista IJBM është diskutuar në Këshillin Qendror të Studimeve të Doktoratës dhe është analizuar.
“Ditëve të fundit kanë ardhë disa sinjale për një revistë e cila është cilësu si gjoja problematike… Revista është sipas kritereve, i plotëson kriteret të cilat kërkohen me Rregullore për avancime dhe rregulloret e tjera. Mirëpo, duke pasur parasysh që mund të jetë potencialisht problematike në të ardhmen, qëllimi është me e informu stafin e Universitetit të Prishtinës, me e rujtë integritetin e stafit dhe të UP-së” – tha Hajdari.
Hajdari i sugjeroi Senatit të UP-së që punimet të cilat dorëzohen për publikim në këtë revistë pas mbledhjes së Senatit të datës 30.09.2025, të mos merren parasysh në procesin e avancimit, stafit, financimit të këtyre punimeve, përmbushjes së kriterit për plotësimin e kushteve të mbrojtjes së doktoratës.
E një ditë më parë, më 29.09.2025, rektori Hajrullahu në një intervistë për KALLXO.com tha se nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës “kanë kërkuar që këtë revistë me e përjashtu, me i propozu Senatit për ta përjashtuar, meqenëse ka indikatorë të besueshëm se kemi të bëjmë me një revistë grabitqare.”
Në pikën e rendit të ditës për këtë revistë në mbledhjen e Senatit, Hajrullahu u rezervua ta quante në shqip “grabitqare”, por tha “këto revista të themi keqbërëse, që e kanë një emër në gjuhën angleze ‘predatory’, ju mundeni me përkthy se si e quajnë në gjuhën shqipe se u paralajmërova mos me e përdorë në gjuhën shqipe, po, po tingëllon ma ‘cool’ t’i themi ‘predatory’ pra, nëse doni, e ndërrojnë kodin gjenetik si virusi i gripit.”
“Sot është kjo [revistë], nesër veç del tjetra, apo në thelb nuk kanë cilësi, po, indikator kyç, ne e dimë që publikimi kushton, ka një kosto. Po, në qoftë se mund të publikosh, vetëm dhe vetëm me pagesë, atëherë unë besoj që flamuri i kuq duhet me u vendosë aty… Shumë staf i Universitetit të Prishtinës është i involuar në këto lloj publikimesh të cilat jo domosdoshmërisht janë të pavlerë” – shtoi Hajrullahu.
Para se ta pyeste Hajrullahun, KALLXO.com e pyeti Sefedin Muçajn, dekanin e Fakultetit të Mjekësisë të UP-së se çka kishin vendosur në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit më 29.09.2025, në të cilën kanë diskutuar në lidhje me këtë revistë.
Muçaj nuk u është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com, por e ka treguar qëndrimin e Fakultetit të Mjekësisë në mbledhjen e Senatit të UP-së.
“Qëndrimi i Fakultetit të Mjekësisë është si masë preventive, mbrojtja e kandidatëve, meqenëse nuk e tham këta që po pajtohemi, pas vendimit sot që do të merret, të mos dërgohen punimet. Që mos të dëmtohen asnjë kandidat retroaktivisht, ky është edhe qëllimi” – tha Muçaj.
Sipas deklarimit të Muçajt, ata po kërkojnë që profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë t’u njihen punimet shkencore që i kanë të publikuara deri më 30.09.2025 në revistën International Journal of Biomedicine, pra të mos dëmtohen.
Kurse, Kreshnike Dedushi-Hoti, senatore e Fakultetit të Mjekësisë tha se “asnjë anëtar i stafit, qoftë i Fakultetit të Mjekësisë apo i fakulteteve tjera nuk boton në një revistë e cila nuk është kredibile dhe e cila nuk i plotëson kushtet, sepse asnjë s’ka vullnet dhe as dëshirë me ba pagesa. Në qoftë se i plotëson kushtet, normalisht që i dorëzon.”
“Me këtë revistë një muaj përpara kanë doktoru dy veta dhe nuk mundemi ad-hoc me thanë vallah sot u ba e keqja” – shtoi Dedushi-Hoti.
KALLXO.com e ka pyetur revistën International Journal of Biomedicine për procedurat e publikimit të punimeve shkencore, pagesën për publikim, si dhe qëndrimin e tyre në lidhje me vlerësimin nga UP, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e lajmit.
Në pikën 7 të nenit 18 të Rregullores së re të UP-së për avancim, emërim të personelit akademik të datës 03.06.2025 thuhet “Senati rezervon të drejtën që në çdo moment ta tërheqë njohjen e publikimit në revistat e dyshimta ose botuesit e dyshimtë, por para vlerësimit përfundimtar të kandidatit”.
Sipas kësaj Rregulloreje, revista të dyshimta (të cilave u referohet në gjuhën angleze “predatory journals”) konsiderohen revistat, të cilat nuk e aplikojnë procesin e vërtetë të recensionit, shqyrtimit profesional (“peer review”), nuk dokumentojnë qartë procesin e shqyrtimit, dorëzimit, pranimit dhe publikimit të punimit, nuk kanë fare bord editorial apo ai nuk është i përbërë nga profesionistë të fushës, nuk kanë ueb-faqe ose kanë një të tillë të dyshimtë, personi juridik apo fizik botues, nuk ka adresë ose numër kontakti, deklaron adresë ose numër kontakti fiktiv, paraqet indeksim ndërkombëtar të rremë.
Në anën tjetër, neni 3 në Udhëzimin administrativ nr. 01/2018 për parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension i Ministrisë së Arsimit përcakton se platforma e databazave indeksuese të revistave shkencore janë: Web of Science, Scopus, Ebsco, WordlCat, Doaj.
E sipas disa senatorëve që u deklaruan gjatë mbledhjes, International Journal of Biomedicine është e indeksuar në Web of Science dhe Scopus.