Rriten rastet e përdorimit të armëve në ahengje, lansohet fushata ‘Festo me zemër, jo me armë’
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) më 03.07.2025 ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave me armë në ngjarje festive, me titull “Festo me zemër, jo me armë”.
Sipas të dhënave policore, numri i rasteve të raportuara nga ana e qytetarëve në Policinë e Kosovës për përdorim të armëve gjatë ahengjeve familjare, është rritur për 40% më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani në një konferencë tha se në aspektin e parandalimit, është i domosdoshëm edhe angazhimi i fuqishëm i aktorëve të tjerë institucionalë, shoqërisë civile, mediave dhe vetë qytetarëve.
“Misioni ynë, i përkushtimit të përditshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj, është ndërtuar mbi parimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të pandashëm me qytetarët. Qëllimi ynë është ngritja e vazhdueshme e nivelit të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke garantuar jo vetëm rendin dhe qetësinë publike, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët tanë” – theksoi Gashani.

Gashani shtoi se se kjo fushatë synon të parandalojë keqpërdorimin e armëve të zjarrit, të forcojë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe organeve të zbatimit të ligjit, të ndalojë gjuajtjet festive dhe të krijojë një mjedis të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
MPB-ja ka theksuar se qëllimi kryesor i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes kolektive, ndërgjegjësimi lidhur me pasojat nga keqpërdorimi i armëve, rreziqet që sjellin armët e zjarrit për popullatën në përgjithësi, mundësinë e parandalimit të lëndimeve dhe fataliteteve me armë zjarri gjatë ahengjeve dhe ngjarjeve festive.