RP-2025: Kosova, ngecje në sigurinë e ushqimit dhe veterinari - më mirë në peshkatari e akuakulturë
Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2025 i miratuar nga Komisioni Europian flet edhe për sigurinë e ushqimit, veterinarinë, politikat fitosanitare, peshkimin e akuakulturën.
Për sigurinë e përgjithshme të ushqimit në Kosovë, ky raport ka thënë se Kosova ende duhet të adoptojë legjislacionin për t’u bashkërenduar me atë të BE-së, në fushën e veterinarisë dhe politikave fitosanitare.
“Financat dhe burimet njerëzore të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë mbeten jo të mjaftueshme për të siguruar implementim të plotë të legjislacionit të BE-së”- thuhet mes tjerash në raport.
Sipas raportit, duhen më shumë burime, specifikisht në kontrollet zyrtare, krijimin e një njësie për epidemiologji dhe implementimin e një qasjeje të kontrollit të bazuar në rrisqe.
Kosovës, thuhet se i duhet të adoptojë Ligjin për shëndetin e kafshëve dhe të shfuqizojë Ligjin e vitit 2004 për Veterinarinë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, sipas këtij raporti nuk ka adoptuar plan kontrolli dhe monitorimi për sëmundjet 5 vjeçare- kjo për shkak se Qeveria nuk ka alokuar mjaftueshëm burime.
Në raport po ashtu thuhet se nga Kosova nuk është raportuar ndonjë zhvillim në rregullat për sigurinë e ushqimit dhe rregullat specifike për ushqimin e kafshëve.
Për fitosanitarinë, në raport thuhet se Kosova ka aprovuar koncept dokumentin për shëndetin e bimëve por që duhet edhe përmirësim në sferën e përputhjes së legjislacionit me atë të BE-së.
Sipas raportit, Kosova promovon një akuakulturë të qëndrueshme, teksa rekomandohet adaptimi i një ligji për peshkatarinë dhe akuakulturën që të jetë në linjë me legjislacionin e BE-së.
Raportin e plotë për vendin dhe këto fusha specifike mund t’i qasni në këtë vegëz.