Operacioni i policisë në Vushtrri
Rasti i familjes Gërbeshi në Vushtrri, arrestohet një person që dyshohet se i ndihmoi ata
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se është arrestuar një person në kuadër të hetimeve për rastin e “detyrimit” të zhvilluar më 21.09.2025 në Vushtrri ndaj katër anëtarëve të familjes Gërbeshi.
Bëhet fjalë për të dyshuarin me iniciale Rr.M., i cili sipas Prokurorisë, dyshohet se në vazhdimësi ka ndihmuar anëtarët e familjes Gërbeshi në kryerjen e kësaj vepre penale.
“Personi i dyshuar është ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë më 23.09.2025.
Kjo prokurori ka theksuar se brenda afatit ligjor do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.
Arrestimi i Rr.M vjen pas operacionit të zhvilluar më 21.09.2025 në Vushtrri ndaj katër anëtarëve të familjes Gërbeshi, të pandehurve: K.G., E.G., A.G. dhe Rr.G.
Tre prej të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa njërit prej tyre masa e ndalimit për t’iu afruar vendit dhe personit të caktuar.
Sipas njoftimit, në çështjen penale kundër të pandehurit K.G. për shkak të veprave penale – lëndim i lehtë trupor, dhe – arratisja e personit të privuar nga liria, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, që llogaritet nga data 21.09.2025 deri më 21.10.2025.
Në çështjen penale kundër të pandehurve A.G. dhe E.G., për shkak të veprës penale – detyrimi, ndaj të pandehurit E.G. ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ndaj të pandehuri dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit dhe personit të caktuar, ashtu që të pandehurit E.G. i ndalohet që t’i afrohet pronës së palës së dëmtuar A.A. në fshatin Nadakovc dhe personit A.A. në distancë prej 100 metra.
Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë një muaj, duke filluar nga data 21.09.2025 e deri më 21.10.2025.
Ndërsa në njoftim thuhet se Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve A.G. dhe Rr.G., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale – detyrimi në tentative, dhe veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Paraburgimi sipas këtij aktvendimi, të pandehurve i llogaritet nga data 21.09.2025, e do të zgjasë deri me datën 21.10.2025.