Foto: Pixabay
Rastet e dhunës në familje, Policia kryen arrestime e konfiskon armë zjarri
Policia e Kosovës ka shënuar disa raste të dhunës në familje, në disa qytete të vendit, të cilat kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit.
Në Prishtinë, Policia ka arrestuar një burrë pasi dyshohet se kishte dërguar mesazhe ofenduese një gruaje. Sipas Policisë, ky rast, me vendim të prokurorit, ka shkuar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, në Prishtinë, më 05.09.2025, thuhet se një grua është sulmuar fizikisht dhe është ofenduar. Për këtë rast, Policia nuk raporton për të lënduar, ndërsa rasti thuhet se është shkruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa, në Podujevë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një burrë tjetër, dje më 09.09.2025.
“Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Nga i dyshuari është konfiskuar një kaçavidë dhe një thikë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin policor të datës 10.09.2025.
Në Prizren, më 07.09.2025, është raportuar për një rast të dhunës në familje dhe të armëmbajtjes pa leje. Për këtë, sot më 10.09.2025, Policia bën të ditur se, pasi është kontaktuar burri i dyshuar, i njëjti ka dorëzuar: një pushkë ajrore, një pushkë gjuetie dhe 28 fishekë. I dyshuari njoftohet se është arrestuar dhe se, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Në Istog, Policia raporton se një burrë ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur një grua dhe një burrë tjetër, dje më 09.09.2025. “I dyshuari është arrestuar, të njëjtit i është bërë alkool-testi dhe ka rezultuar se është nën ndikim të alkoolit. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në raportin policor.
Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar edhe në Malishevë, më 08.09.2025. Atje një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje. Për këtë, Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.