Qytetari u ankua për tejzgjatje të procedurës në një lëndë civile, Kushtetuesja konstaton se atij iu shkel e drejta për gjykim të drejtë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin rreth rastit të parashtruar nga Hadi Bakija, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurave në lidhje me një lëndë civile.
Sipas njoftimit, Gjykata Kushtetuese njëzëri deklaroi se kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kushtetuesja rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendoi tejzgjatje të procedurës lidhur me ankesën e dorëzuar në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Sipas njoftimit, në bazë të informacionit të dhënë nga parashtruesi i kërkesës rezulton se me vendim të Kuvendit Komunal të Gjakovës ai ishte zgjedhur kryetar i Komisionit për çështje të strehimit të përkohshëm në kuadër të Komunës dhe se në korrik 2001 i ishte ofruar kontrata në të cilën ishte përcaktuar paga prej 460 DM (marka gjermane), të cilën kontratë nuk e kishte pranuar.
Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë kundër Komunës së Gjakovës, ku kishte kërkuar që të detyrohet kjo e fundit që në emër të ndryshimit në të ardhurat mujore atij t’ia paguajë shumën nga 80 DM çdo muaj, duke filluar nga data 11 prill 2001 e tutje, me kamatë ligjore nga arritja e secilit këst e deri në pagesën definitive, dhe t’ia kompensojë shpenzimet procedurale, të gjitha në afat prej 8 ditësh nga dita kur ky aktgjykim të marrë formën e prerë, nën kërcënim të përmbarimit.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Komunale në Gjakovë kishte mbajtur disa seanca lidhur me çështjen në fjalë, ndërsa seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 20 janar 2004.
Më 28 maj 2007, thuhet më tej në njoftim, parashtruesi paraqiti kërkesën për vazhdimin e procedurës si dhe urgjencë për caktimin e shqyrtimit kryesor në Gjykatën Komunale të Gjakovës.
“Nga shkresat e lëndës Gjykata vërejti se, parashtruesi i kërkesës më 3 tetor 2023 kishte bërë precizimin e kërkesëpadisë dhe se lënda kishte filluar të shqyrtohej rishtazi nga një gjyqtar i ri” – thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, në përgjigjen që Gjykata ka pranuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë thuhet që kjo e fundit ka vendosur lidhur me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës më 5 prill 2024 duke e aprovuar atë, dhe se lënda ndodhet në Gjykatën e Apelit në bazë të ankesës së Komunës së Gjakovës.
Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi tejzgjatjen e procedurave për lëndën civile, e cila pritej të vendosej nga Gjykata Themelore në Gjakovë me pretendimin se kjo e fundit është duke cenuar të drejtën e tij për një vendim brenda një afati të arsyeshëm.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me të drejtën për një vendim brenda një afati të arsyeshëm dhe më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
“Duke pasur parasysh veprimet procedurale të ndërmarra nga gjykata e shkallës së parë dhe pas analizimit të kritereve që aplikohen për tejzgjatjen e procedurave, Gjykata konstatoi se përgjegjësia për zvarritjen e lëndës në rrethanat e rastit konkret nuk mund t’i atribuohej sjelljes së parashtruesit të kërkesës, por Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila pa ndonjë arsye konkrete nuk kishte arritur të caktojë qoftë edhe një seancë përgatitore për t’u dhënë mundësi palëve që të deklarohen lidhur me kërkesëpadinë e tyre” – thekson Kushtetuesja.
Njoftimin e plotë lidhur me këtë rast mund ta lexoni në këtë LINK.