Prokuroria e Mitrovicës
Prokuroria interviston nënën e Milan Vukashinoviqit, qytetarit që u plagos dhe u rrëmbye afër Leposaviqit
Lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e qytetarit të nacionalitetit serb, Milan Vukashinoviq nga xhandarmëria serbe, në afërsi të zonës së Leposaviqit, Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar nënën dhe një person tjetër të afërm me viktimën.
Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni, i cili theksoi se dy telefonat që i janë gjetur viktimës janë dërguar për ekzaminim.
“Mund të konfirmojmë se deri tash janë intervistuar nëna dhe një person tjetër i afërm me viktimën. Janë gjetur dy telefona të viktimës, një në shtëpi dhe tjetri në veturën e tij, dhe të njëjtit janë dërguar për ekzaminim”- potencoi Preteni.
Sipas zëdhënësit, rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Ndërkaq, më 06.11.2025, KALLXO.com raportoi se Prokuroria e Mitrovicës ka intervistuar një person të afërt të viktimës.
Një ditë pas, më 07.11.2025 ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se ka inspektuar pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se u rrëmbye qytetari i Kosovës, Milan Vukashinoviq.
Sveçla kishte theksuar se Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe, dhe se i njëjti pas plagëve të marra po trajtohet në spitalin e Nishit, në Serbi.
Sipas tij, po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj.
Përmes njoftimit, Sveçla kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presionin dhe ndërmarrë masa ndaj shtetit serb, në mënyrë që, siç ka shkruar ai më tej, të ndëshkojë këtë sjellje destabilizuese, por edhe të parandalojë situata të tjera të cilat do të ngrisnin tensione në rajon.
KALLXO.com mëson se para një viti e gjysmë, Vukashinoviqit iu kishte sulmuar vetura me eksploziv, ndërsa ka pasur edhe sulme e kërcënime të tjera.
Për dyshimet lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e shtetasit të Kosovës njoftoi Policia e Kosovës.
Edhe kur ndodhi incidenti i një nëntorit, kishte reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme.
Sipas tij, Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cenuar hapur integritetin territorial të Kosovës.
Ai kishte kujtuar se dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit të Kosovës dhe kidnapuan tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, më 23.09.2023.
Sveçla, po ashtu theksoi se është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, “në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë.”