Prokuroria inicion rast penal për përleshjen që dyshohet se ndodhi të mërkurën në Komunën e Prishtinës
Për rrahjen që dyshohet se ka ndodhur dje (24.09.2025) në ambientet e Komunës së Prishtinës Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast penal ndaj të dyshuarve për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.
Prokuroria e Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se për këtë rast deri më tash janë intervistuar tre persona të dyshuar.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin penal ndaj të dyshuarve për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në pajtim me nenin 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Në kuadër të ketij rasti deri më tani janë intervistuar tre persona të dyshuar, ndërsa veprimet e mëtejshme procedurale do të ndërmerren në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Paraditen e së mërkurës, më 24.09.2025, pas dështimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës për miratimin e buxhetit dyshohet se ka ndodhur një përleshje në ambientet e Komunës.
Të përfshirë në këtë rast dyshohet se ishin kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina dhe asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sami Salihu.
Përfaqësues të Komunës e asamblistë të Kuvendit kanë dhënë versione të ndryshme për ngjarjen.
Policia ka konfirmuar se në rrugën “UÇK” në Prishtinë ka ndodhur një rrahje dhe se për këtë rast janë shoqëruar tre persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë.
https://kallxo.com/lajm/dyshohet-per-rrahje-ne-komunen-e-prishtines-asamblistet-pretendojne-se-u-perfshi-fehmi-kupina-e-sami-salihu/
Ndërsa, dje (24.09.2025) në orët e mbrëmjes përmes një shkrimi në rrjete sociale, ka reaguar asamblisti i LDK-së, Sami Salihu.
Ai ka mohuar pretendimet se ka sulmuar Kupinën me shishe. Sipas tij, ai vetë është sulmuar dhe ka reaguar për t’u mbrojtur.
Mirëpo, ai nuk ka përmendur as Kupinën dhe asnjë person tjetër me të cilin ka pasur konflikt.
https://kallxo.com/lajm/perleshja-ne-komunen-e-prishtines-salihu-nuk-kam-sulmuar-askend-me-shishe/
Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ndërsa, nënkryetari, Florian Dushi, në reagimin e tij ka hedhur akuza drejt Kupinës, duke pretenduar se sulmi ndaj bashkëpartiakut të tij u krye nga Kupina dhe djali i tij.
KALLXO.com ka tentuar të marrë një sqarim edhe nga Kupina, mirëpo ai nuk i është përgjigjur thirrjeve përmes telefonit.