Ilustrimi: Kallxo.com
Projeksionet e CNN e nxjerrin Trumpin fitues në tri shtete, Harrisin në një
Televizioni amerikan, CNN, ka nxjerrë të dhënat e projeksioneve të para pas mbylljes së qendrave të votimit të zgjedhjeve presidenciale amerikane të 5 nëntorit.
Sipas projeksionit të CNN-it, republikani Donald Trump ka fituar në shtetin e Indianës kundrejt demokrates Kamala Harris.
Sipas projeksioneve, Trump i fiton shtatë votat elektorale të këtij shteti, që do të jenë pjesë e Kolegjit kombëtar të Elektorëve, që e shpall fitues kandidatin që i fiton 270 vota elektorale.
Trump, sipas projeksioneve, ka fituar edhe në Kentucky, një shtet që i ka tetë vota elektorale.
Donald Trump do të fitojë edhe Virxhinian Perëndimore, sipas projeksioneve të televizionit CNN. Ky shtet i ka katër vota elektorale.
Ndërkaq në Vermont, CNN-i raporton se zëvendëspresidentja ka fituar. Janë tre vota elektorale të këtij shteti që do të jenë pjesë e Kolegjit të Elektorëve në sistemin e tërthortë zgjedhor të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Harris ia ka dalë ta bëjë për vete koalicionin e presidentit Joe Biden të 2020-s në mesin e votuesve të rinj dhe votuesve me ngjyrë në Georgia, sipas rezultateve fillestare të sondazhit të CNN-it. Por votuesit e Peach State që e quajnë veten të pavarur politikisht tani favorizojnë ish-presidentin Trump kundrejt Harrisit – një ndryshim nga viti 2020 kur Biden fitoi atë grup.
Afërsisht 86 për qind e votuesve afro-amerikanë thonë se kanë votuar Harrisin, siç kanë bërë 6 në 10 votues më të rinj se 30 vjeç – në të dyja rastet, shifrat përgjithësisht të ngjashme me ato të Bidenit në 2020.
Siç ndodhi në vitin 2020, votuesit periferikë janë të ndarë ngushtësisht. Votuesit e bardhë pa diplomë kolegji, të cilët e votuan në masë dërrmuese Trumpin më 2020, janë ende kryesisht në kampin e tij, me afërsisht 8 në 10 sosh që e votojnë atë në vend të Harrisit.
Sipas sekretarit të Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger, 12 vendevotime do të zgjasin orët e votimit për shkak të kërcënimeve me bomba, si dhe tri qendrave të tjera të votimit për shkak të “shkaqeve normale”.
Gjashtë lokacione votimi në Kontenë DeKalb, pesë në Kontenë Fulton dhe një në Kontenë Gwinnett – të cilat përfshijnë të gjitha periferitë e Atlantës – do të zgjasin orët e tyre për shkak të kërcënimeve me bomba, si dhe dy në Kontenë Cobb dhe një në Kontenë Glynn, sipas Raffenspergerut.
Raffensperger gjithashtu konfirmoi se të gjitha kërcënimet me bomba kundër qendrave të votimit në Georgia duket se kanë origjinën nga Rusia.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com