Foto: Denis Sllovinja
Problemet me rrymë në lagjen ‘Qëndresa’ në Prishtinë, Inspektorati i Punës demanton KEDS-in, thotë se nuk u njoftuan për rastin
Banorë të lagjes “Qëndresa” në Prishtinë, të dielën (06.04.2025) janë ankuar se mbi 17 orë kanë mbetur pa energji elektrike.
Përmes një njoftimi të lëshuar pak para mesnatës së datës 05.04.2025, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), fajin për mos arritjen e rregullimit të rrymës, ia kishte hedhur një banori, për të cilin thotë se i ka penguar punëtorët e tyre.
Mëngjesin e datës 06.04.2025, në një përgjigje për KALLXO.com, nga KEDS kishin deklaruar se ekipet kishin dalur në teren dhe se po punonin për eliminimin e prishjes.
Për këtë, Inspektorati i Punës, ka dalur me reagim kundër KEDS-it, sot më 07.04.2025.
Nga Inspektorati i Punës thonë se nuk ishin të njoftuar zyrtarisht për këtë rast dhe se as nuk kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.
“Përkundrazi, informacioni që ka qarkulluar se Inspektorati i Punës ka ndërhyrë dhe ka ndaluar punimet është i pasaktë. Ne si Inspektorat nuk kemi marrë asnjë thirrje për këtë rast dhe nuk kemi pasur asnjë rol në ndërprerjen e punimeve të ekipit të KEDS-it”- thuhet në reagimin e tyre.
Ndryshe, KALLXO.com përveç Inspektoratit të Punës, ka dërguar pyetje për sqarime rreth incidentit të datës 05.04.2025, mes pronarit të shtëpisë dhe punëtorëve të KEDS-it edhe në Policinë e Kosovës, por ende nuk ka pranuar përgjigje.
https://kallxo.com/lajm/lagjja-qendresa-ne-kryeqytet-pa-rryme-qe-17-ore-keds-thote-se-u-penguan-nga-nje-banor/